Zyrtarizohen shkarkimet e dy drejtuesve të rëndësishëm të Bashkisë së Tiranës. Kryebashkiaku Erion Veliaj, ndonëse ndodhet në paraburgim, ka firmosur urdhrat për largimin nga detyra të Zhaneta Beqirit, drejtoreshë e Përgjithshme e Çerdheve dhe Kopshteve, dhe Rigers Sheqerit, kryeinspektor i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit.
Sipas dy dokumenteve zyrtare, të datës 20 nëntor 2026, kontratat individuale të punës të dy drejtuesve zgjidhen, ndërsa marrëdhëniet financiare përfundojnë më 24 nëntor 2026. Të dy përfitojnë pagesën për 14 ditë pune, si kompensim për lejet vjetore të pashfrytëzuara.
Në urdhrin për shkarkimin e Zhaneta Beqirit, Bashkia e Tiranës i referohet raportit përfundimtar të auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, si dhe rekomandimeve të këtij institucioni. Sipas dokumentit, largimi i saj nga detyra argumentohet me mospërmbushjen e detyrimeve institucionale të konstatuara nga KLSH-ja.
Ndërkohë, në urdhrin për Rigers Sheqerin, Bashkia mbështetet në dispozitat e Kodit të Punës, ligjit për vetëqeverisjen vendore dhe legjislacionit për Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit. Në dokument nuk jepet një arsyetim i detajuar për shkaqet konkrete të shkarkimit të tij.
Të dy urdhrat mbajnë emrin dhe firmën e kryebashkiakut Erion Veliaj, si dhe vulën zyrtare të Bashkisë së Tiranës.
