E mërkurë, 18 Nëntor, 2026

“Statuti, më i fortë se kryetari”, Petro Koçi për Asamblenë e PS: Përjashtimi i Spiropalit nga funksionet në parti, nul! Largoni ata që janë në ndjekje penale

Share

Socialisti veteran Petro Koçi ka dalë me një qëndrim të hapur për zhvillimet në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, duke kërkuar nga të vetët që të zbatojnë Statutin dhe të mos bëhen parti e përjashtimeve. “Modestisht për Asamblenë: 1). Lajmi më i mirë e ndofta i vetmi si i tillë ishte caktimi i Ervin Demos dhe Albana Koçiut në drejtimin e PS-së për bashkinë e kryeqytetit. Do të doja që ky akt të kurorëzohej nëpërmjet një procesi zgjedhor, por në gjykimin tim ata, në përbërjen aktuale të lidershipit të PS-së, përfaqësojnë zgjidhjen më të qëlluar në konsideratë të përvojës, zotësisë e mbi të gjitha të integritetit.

Të dy kolegët, bashkë me Erion Braçen, përbëjnë ndofta kapitalin njerëzor më të arrirë, nga i cili do të përzgjidhet kandidatura përfundimtare për kryetar bashkie në garën e zgjedhjeve vendore që po troket; 2). Lajmi më i keq ishte propozimi e pastaj pretendimi se Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca qenkan përjashtuar nga forumet e PSSH-së. Qasja disiplinore kërkon argumentim të plotë dhe të bazuar në Statutin e partisë. Parti e vërtetë është ajo në të cilën Statuti është më i fortë se kryetari apo sekretari i përgjithshëm. Përndryshe, koncepti institucional i partisë shkërmoqet. Është e vërtetë që Elisa ka dalë në mexhlis me disa qëndrime të konsideruara problematike nga një pjesë me peshë e opinionit socialist.

Mund të kenë qenë ato qëndrime të motivuara nga iluzione apo emocione të shkaktuara nga tensionet shpesh panikndjellëse të protestave. Qëndrimet e saj mund të vijnë, në një pjesë të tyre, nga mënyra se si ajo u përndoq nga qeveria. Arsyet më mirë se unë i di vetë ajo. Unë thjesht arsyetoj me supozime. Por propozimi për përjashtim ishte i tepërt dhe dëmprurës. PS-së nuk i intereson një unitet i bazuar te frika, por një unitet i bazuar në besim dhe bindje politike të vërtetë. Në fund të fundit, Elisa nuk është Marjana Koçeku, për përzgjedhjen e së cilës nuk mbajti askush përgjegjësi. Rasti i Plarentit është edhe më i pakuptimtë.

E kujtoj Plarentin në krye të Komisionit Hetimor për Koncesionet në Shëndetësi. Ishte gati heroik në përballimin e një procesi që vetëm parlamentar nuk mund të quhej dhe që bazohej në një platformë si ato të plenumeve të PP-së; 3). Përjashtimi nga forumet me rastin e së shtunës është një pretendim nul. Nëse propozimi nuk është votuar institucionalisht, ai nuk validohet dot. Statuti është shumë i qartë në kësi rastesh; 4). 

Në bazë të Statutit, deputeti është ex officio anëtar i Asamblesë Kombëtare. Statuti nuk ka përcaktim ndryshe. Nëse Elisa është anëtare e Grupit Socialist, ajo automatikisht është në Asamble. Nuk besoj se do të çmendej partia e ta përjashtonte nga grupi; 5). Do të ishte lajm i shkëlqyer akti i pritshëm i përjashtimit të ndonjë të korruptuari. Standardi i largimit, të paktën përkohësisht, të personave ndaj të cilëve ka filluar procesi penal duhet të jetë përherë i detyrueshëm për një parti që pretendon luftë ndaj korrupsionit. Kjo nuk do të thotë që hiqet dorë nga prezumimi i pafajësisë; 6).

Partia Socialiste nuk ka nevojë që anëtarët e saj të ndahen në “Facebook” në grupe ku disa përbetohen për kryetarin e mallkojnë plangprishësit e të tjerë mallkojnë kryetarin e lëvdojnë kritikuesit. Jemi pak muaj para zgjedhjeve. Kërkohet qartësi dhe bashkim parimor forcash. Kritikat konstruktive i bëjnë mirë shëndetit politik të PS-së; 7). Protestat në fillimet e veta të qershorit ishin më shumë se simpatike. Ato i dhanë ngjyrë europiane vëmendjes dhe reagimit të publikut ndaj zhvillimeve politike. Por fenomenet e dhunës e të plaçkitjes që ndodhën kohët e fundit e rrëzuan qytetarinë fillestare dhe e komprometuan përkrahjen popullore. Pushteti ndërrohet me votë. Jo në tavolinë.

Ndërkohë, protestës i mungon vizioni dhe lidershipi. Vizioni dhe lidershipi berishian përbëjnë prapakthim dhe e fundosin qëllimin e supozuar progresist të protestës. Përmbysja revolucionare e synuar bie ndesh me përshpejtimin e procesit të integrimit europian. Protesta i ka arritur disa suksese: ulja e TVSH-së për ushqimet, heqja e taksës së qarkullimit nga karburanti, premtimi për rritje pagash për policinë etj. Këto duhen shoqëruar me hapa të tjerë, si p.sh. rritja e pagave për pedagogët, ndërtimi i ambienteve sportive për rininë e fëmijët në vend të kullave, etj”, shkroi dje ish-deputeti i PS, Petro Koçi. 

Te tjera

Lajme te tjera