Një operacion i gjerë kibernetik ka vënë në shënjestër 178 faqe interneti të organizatave dhe kompanive të njohura ndërkombëtare, mes tyre Zoom, CNN, HSBC, IKEA, Salesforce dhe Equifax.
Sipas raportimeve të mediave të huaja, sulmuesit shfrytëzuan platformën Optimizely, të cilën kompanitë e përdorin për optimizimin dhe testimin e faqeve të tyre në internet, për të shpërndarë kod keqdashës JavaScript.
Përmes këtij mekanizmi, hakerët synonin të ndërhynin në veprimet e përdoruesve gjatë navigimit në faqe, duke zëvendësuar adresat e pagesave me kriptomonedha me adresat e portofolave të kontrolluar prej tyre.
Kodi keqdashës synonte gjithashtu të siguronte të dhënat e kartave bankare, cookie-t e shfletuesve dhe pamje të ekranit të përdoruesve. Një tjetër objektiv ishte instalimi i programeve keqdashëse në pajisjet që përdorin sistemin operativ iOS.
Përfshirja e faqeve të kompanive që ofrojnë shërbime financiare, teknologjike dhe tregtare e bën këtë sulm veçanërisht të rëndësishëm për sigurinë e të dhënave të përdoruesve.
Pas identifikimit të aktivitetit keqdashës, Salesforce dhe Equifax ndërmorën masa parandaluese për mbrojtjen e sistemeve të tyre. Ndërkohë, IKEA nisi hetimet për të përcaktuar nëse sulmi ka ndikuar te klientët apo te shërbimet e saj dixhitale.
Megjithatë, deri tani nuk ka të dhëna të konfirmuara se hakerët kanë arritur të vjedhin kriptomonedha apo informacione bankare. Autorët e raportimeve nuk kanë përcaktuar as numrin e përdoruesve që mund të jenë prekur.
