Nga dokumentet që dorëzojnë bizneset për të marrë pjesë në tender, te fondi limit dhe vlerësimi i ofertave, Diella do të përfshihet në të gjitha hallkat e prokurimit publik. Kryeministri Edi Rama prezantoi modelin e ri të prokurimit publik, sipas të cilit ministritë nuk do t’i zhvillojnë më vetë tenderët duke nisur nga 2027-a, por do t’i planifikojnë dhe realizojnë përmes Operatorit të Blerjeve të Përqendruara.
“Për herë të parë, në fazën e diskutimit të buxhetit të vitit të ardhshëm, përfshihet edhe sistemi i ri i prokurimit përmes Operatorit të Blerjeve të Përqendruara, i cili do të shërbejë si mekanizëm në dispozicion të dikastereve qendrore për të planifikuar dhe realizuar në kohë prokurimet publike. Ky është një transformim në funksionimin tërësor të pushtetit ekzekutiv sa i përket eficiencës së prokurimeve. Vëmë në dispozicion të këtij qëllimi një strukturë të specializuar, e cila po integrohet në sistemin europian të prokurimeve dhe po merr ekspertizë të nivelit të lartë nga institucione të ngjashme.
Synimi është që të jetë një model ekselence dhe inovacioni për të gjithë këtë pjesë të botës ku ne jetojmë. Do të kombinojmë arkitekturën ligjore europiane me centralizimin strategjik të sistemit të prokurimit përmes Operatorit të Blerjeve të Përqendruara dhe me përdorimin e inteligjencës artificiale në analizën e riskut dhe në hartimin e të gjithë dokumentacionit”, u shpreh Kryeministri.
Për bizneset, ndryshimi nis që në dorëzimin e ofertës. Dokumentet që sot u duhet t’i mbledhin vetë do të sigurohen përmes Diellës, në një dosje virtuale për çdo kompani. Rama tha se kjo do të ulë kostot dhe do t’i bëjë procedurat më të shpejta e më transparente.
“Sot jemi gati të nisim punën për ndërtimin e sistemit të ri të prokurimit. Një sistem unik, jo vetëm në Shqipëri, por shumë më gjerë, ku inteligjenca artificiale do të flasë gjuhën e çdo grupi interesi që e ka të lidhur aktivitetin e tij me prokurimet publike. Për sipërmarrjen do të ketë shumë më tepër qartësi, shpejtësi dhe transparencë absolute. Po aq e rëndësishme është se do të ketë ulje të kostove dhe eliminim masiv të burokracisë.
Asnjë biznes s’do të mbledhë letra lart e poshtë për të pasur mundësinë të dorëzojë një ofertë për një prokurim publik, pasi gjithçka që lidhet me informacionin për secilin biznes do të kalojë përmes Diellës. Çdo biznes do të ketë një dosje virtuale, me të dhëna nga mbi 40 regjistra publikë, të cilët do të mund të hapen me një klik të vetëm. Kështu do të bëhet e gjithë puna që sot biznesi e bën duke angazhuar njerëz, duke harxhuar kohë dhe duke ndeshur pengesa të natyrave të ndryshme”, tha Rama.
Mbikëqyrja e Diellës do të nisë që përpara shpalljes së tenderit, kur përcaktohet fondi limit, dhe do të vijojë pasi bizneset të kenë dorëzuar ofertat.
“Ky do të jetë një revolucion për përcaktimin e fondeve limit, si dhe për mënyrën e shqyrtimit dhe të vlerësimit të ofertave. Të gjitha këto do të jenë nën mbikëqyrjen e Diellës, e cila po përgatitet të ofrojë zgjidhje me algoritme inteligjente për të gjitha hallkat e këtij procesi. Procesi i reformimit dhe i modernizimit të prokurimit publik mbështetet në standardet e transparencës”, vijoi Rama.
Krahas Diellës, në disa procese të prokurimit publik do të përfshihet së shpejti edhe Gjoni, një avatar i ri i inteligjencës artificiale, tha kryeministri Edi Rama.
“Gjithsesi kam besim që kur Diella bashkë me Gjonin, është dhe Gjoni që do të shfaqet së shpejti në këtë fushë, i cili do të merret specifikisht me një sërë procesesh të prokurimeve, kur Diella bashkë me Gjonin do të jenë shumë më tepër në zotërim të procesit, atëherë besoj, dua të shpresoj që do të fillojë të krijohet dhe bindja që po, ka fitues me të drejtë dhe ka humbës me meritë pasi të kalojë dhe një fazë kur humbësit të duan t’i shikojnë me sytë e vetë dhe t’i kontrollojnë një më një të gjitha fletët e procesit, sepse procesi gjithsesi do të jetë i kontrollueshëm manualisht”, tha Rama.
Rama evidentoi edhe shifrat e institucioneve të huaja që sipas tij tregojnë revolucionin e Shqipërisë në fushën e prokurimeve.
“Nga platforma digjitale e transparencës së Komisionit Europian, ‘public procurement data space’ për vitin 2025 në Bashkimin Europian kontratat me një ofertë ishin 32.3%, ndërkohë që në Shqipëri ato ishin 23% dhe në këtë indikator Shqipëria gjendet në një shoqëri shumë të lartë për sa i përket prokurimit publik, në të njëjtin grup me Suedinë, me Gjermaninë, me Finlandën dhe me Francën, shumë nën mesataren e Bashkimit Europian në aspektin pozitiv”, theksoi ai.
