Milan Radoiçiç, i akuzuar për organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë të Kosovës, është shpallur në kërkim pasi nuk është paraqitur në stacionin policor në Beograd, ku ishte i detyruar të raportonte dy herë në muaj. Sipas informacionit të publikuar për vendimin gjyqësor, Gjykata e Lartë në Beograd ka urdhëruar paraburgimin dhe ka lëshuar urdhër-arrest ndaj tij.
Radoiçiç nuk është paraqitur të dielën, më 15 nëntor, në stacionin policor “Savski Venac”, ku duhej të konfirmonte praninë e tij në vendbanimin e deklaruar, në përputhje me masën e sigurisë të vendosur nga gjykata. Zhdukja e tij vjen vetëm pak ditë pasi në mediat serbe dolën informacione se ai ishte larguar nga Serbia dhe kishte udhëtuar drejt Moskës.
Më 13 nëntor, ish-inspektori i pavarur i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA), Milan Zvezdanović, deklaroi për televizionin N1 se kishte marrë informacione nga burime brenda strukturave të sigurisë, sipas të cilave Radoiçiç ishte larguar drejt Rusisë më 12 nëntor.
Deklaratat e tij i paraprinë mungesës së Radoiçiçit në paraqitjen e detyrueshme në polici. Ish-zyrtari i inteligjencës serbe ka folur gjithashtu për lidhjet e Radoiçiçit me persona brenda aparatit të sigurisë, duke ngritur akuza për marrëdhënie biznesi dhe veprimtari kriminale mes tyre.
Një element i rëndësishëm i çështjes është fakti se pasaporta e Radoiçiçit ndodhej në Gjykatën e Lartë në Beograd. Në kuadër të procedimit penal për sulmin në Banjskë, ndaj tij ishte vendosur masa e ndalimit të largimit nga vendbanimi pa miratimin e gjykatës, si dhe detyrimi për t’u paraqitur periodikisht në polici.
Sipas raportimeve të mediave serbe, paraqitja e fundit e regjistruar e Radoiçiçit ishte më 1 nëntor. Më 15 nëntor, ai nuk e përmbushi detyrimin e radhës, ndërsa informacionet për largimin e tij drejt Moskës kishin filluar të qarkullonin disa ditë më parë.
Radoiçiç është një nga figurat më të njohura të veriut të Kosovës, ish-nënkryetar i Listës Serbe dhe bashkëpunëtor i ngushtë i biznesmenit Zvonko Veselinoviç. Emri i tij lidhet drejtpërdrejt me sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë, ku mbeti i vrarë polici i Kosovës Afrim Bunjaku dhe tre pjesëtarë të grupit të armatosur serb.
Pas sulmit, Radoiçiç pranoi publikisht përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur. Ai u arrestua përkohësisht në Serbi në tetor 2023, por më pas u lirua me masa kufizuese, ndërsa procedimi penal ndaj tij vazhdoi në Beograd.
Autoritetet e Kosovës e akuzojnë Radoiçiçin për organizimin e një sulmi terrorist dhe kanë kërkuar vazhdimisht që ai të përballet me drejtësinë për ngjarjet në Banjskë. Serbia nuk e ka ekstraduar, ndërsa procedurat penale të nisura në Beograd janë zhvilluar veçmas nga ato të institucioneve të Kosovës.
Zhdukja e Radoiçiçit vjen në një periudhë kur mediat serbe kanë raportuar edhe për largimin jashtë vendit të personave të tjerë të lidhur me rrethin politik dhe ekonomik të Aleksandar Vuçiçit. Mes tyre është Zvonko Veselinoviç, bashkëpunëtori i tij i afërt, për të cilin është raportuar se është larguar drejt Stambollit.
Veselinoviç dhe Radoiçiç janë përmendur prej vitesh së bashku në raportime për rrjete biznesi dhe ndikim politik në veri të Kosovës. Të dy janë përfshirë në listën e sanksioneve të Departamentit amerikan të Thesarit, në kuadër të masave ndaj personave të akuzuar për korrupsion dhe krim të organizuar.
Sipas autoriteteve amerikane, Veselinoviç ka drejtuar një rrjet të organizuar kriminal, ndërsa Radoiçiç është identifikuar si një nga personat e lidhur me këtë grup. Marrëdhëniet e tyre të biznesit dhe ndikimi në veri të Kosovës janë trajtuar vazhdimisht nga mediat investigative serbe dhe ndërkombëtare.
Ndërkohë, në raportimet për udhëtime drejt Moskës janë përmendur edhe Aleksandar Vulin, ish-drejtues i shërbimit sekret serb BIA, Dušan Bajatoviç, drejtuesi i kompanisë shtetërore Srbijagas, dhe Nenad Popoviç, politikan serb me lidhje të ngushta me Rusinë.
Më 3 nëntor, një avion i kompanisë Air Serbia me destinacion Moskën, në të cilin udhëtonin Vulin, Bajatoviç dhe Popoviç, u kthye në Beograd pasi kishte hyrë në hapësirën ajrore të Lituanisë. Sipas raportimeve të N1 dhe Nova.rs, incidenti lidhej me kontrollet e sigurisë ndaj Vulinit. Pas kontrolleve, avioni u nis sërish drejt kryeqytetit rus.
Mediat serbe raportuan më pas se Bajatoviç dhe Popoviç ishin kthyer në Serbi, ndërsa Vulin kishte vazhduar qëndrimin në Moskë. Ish-drejtuesi i inteligjencës serbe është një nga politikanët më të lidhur me Kremlinin dhe ndodhet nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara që prej vitit 2023.
Bajatoviç është një figurë qendrore e bashkëpunimit energjetik mes Beogradit dhe Moskës, ndërsa Popoviç ka mbajtur prej vitesh marrëdhënie të ngushta politike dhe ekonomike me Rusinë.
Në të njëjtën periudhë, raportimet për largimin e Radoiçiçit dhe Veselinoviçit kanë marrë vëmendje të veçantë në Serbi. Ndërsa për Radoiçiçin është raportuar se destinacioni i tij ka qenë Moska, për Veselinoviçin është përmendur Stambolli.
Urdhër-arresti ndaj Milan Radoiçiçit e vendos tashmë organizatorin e vetëdeklaruar të sulmit në Banjskë në një situatë të re gjyqësore, ndërsa informacionet për largimin e tij drejt Rusisë dhe lëvizjet e figurave të tjera të lidhura me pushtetin serb vazhdojnë të jenë pjesë e raportimeve të mediave në Beograd.
