Rigels Seliman
Teksa vendi zien nga revolta e studentëve, të cilët kërkojnë përmbysjen e kastës së vjetër politike në Shqipëri, Uashingtoni i ka dërguar një mesazh të fortë “zotërve të pushtetit”. Ambasadori Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Eric Wendt ka dalë hapur në mbështetje të rinisë, duke lëshuar një deklaratë të fortë nga takimi me studentët në Tiranë dhe duke paralajmëruar se koha e elitës së konsumuar politike po perëndon përfundimisht. Diplomati amerikan zhvilloi një takim me studentët e Institutit të Teknologjisë të Rochester-it, në Akademinë Amerikane të Teknologjisë në Tiranë (AATT), ku u njoh nga afër me mënyrën se si arsimi amerikan dhe inovacioni po i përgatisin të rinjtë për të marrë role drejtuese në të ardhmen.
Gjatë vizitës, Wendt dëgjoi edhe idetë dhe propozimet e studentëve për hapat konkretë që mund të kontribuojnë në zhvillimin e Shqipërisë. “E ardhmja e Shqipërisë i përket rinisë së saj. Ambasadori Eric Uendt u takua me studentët e Institutit të Teknologjisë të Rochester-it në Akademinë Amerikane të Teknologjisë në Tiranë (AATT) për të parë nga afër se si edukimi amerikan i nivelit më të lartë dhe inovacioni po i përgatisin ata për të udhëhequr, dhe dëgjoi idetë e tyre për hapat konkretë që mund ta çojnë Shqipërinë përpara”, shkruan ambasada e SHBA në Tiranë në rrjetet sociale.
Mesazhi
Por ky mesazh i prerë nga diplomacia amerikane jo vetëm që trondit oborret e pushtetit, por shënon edhe një goditje të drejtpërdrejtë ndaj skemave të kalbura të tranzicionit. Ndërsa protestat e rinisë shkundin themelet e qeverisjes, Uashingtoni i jep një sinjal kristalor kryeministrit Edi Rama se koha e sundimit të tij klientelist ka marrë fund. Mirëpo, fshikullimi i diplomacisë amerikane nuk ndalet me kaq, pasi ky paralajmërim shigjeton fuqishëm edhe kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, si pjesë e pandashme e së njëjtës kaste që ka mbajtur peng Shqipërinë për dekada me radhë.
Ambasadori Wendt dëshmon prerazi se SHBA-ja nuk e shikon më dyshen Rama-Berisha si garanci, por si pengesën kryesore për të ardhmen euroatlantike të vendit. Ky hap i guximshëm ka ngritur alarmin te “zotërit e pandëshkuar të karrigeve”, të cilët po kuptojnë se llogaritë e vjetra kanë rënë përfundimisht. Koha e politikanëve që zhvatën shqiptarët po perëndon me shpejtësi të frikshme, ndërsa skena po thërret për një lidership të pastër dhe perëndimor. Me këtë qëndrim të pamëshirshëm, Uashingtoni i bashkohet hapur zërit të studentëve, duke konfirmuar se e ardhmja e Shqipërisë i takon vetëm rinisë dhe kurrë më relikeve të kalbura të së shkuarës.
