Erion Veliaj ka dalë me një reagim të fortë nga paraburgimi, duke hedhur akuza të rënda politike për mënyrën se si është trajtuar çështja e tij, për përpjekjet për ta shkarkuar nga detyra dhe për administrimin e Bashkisë së Tiranës.
Edhe pse nuk e përmend me emër kryeministrin Edi Rama, deklarata e Veliajt mund të lexohet si një mesazh kritik ndaj kreut të qeverisë, veçanërisht në pjesën ku flet për përpjekjet për shkarkimin e tij dhe menaxhimin e kryeqytetit.
“Pasi më rrëmbyen nga zyra e Kryetarit të Bashkisë me letra anonime, pasi tentuan të më shkarkonin nga detyra në mënyrë antikushtetuese, pasi e bënë çorbë menaxhimin e Tiranës, pasi më persekutojnë dhe më mbajnë në paraburgim politik prej 20 muajsh, në një ping-pong gjykatash”, shprehet Veliaj.
Pjesa më e fortë e reagimit lidhet me akuzën se dikush ka tentuar ta largojë nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës në kundërshtim me Kushtetutën. Po ashtu, shprehja “e bënë çorbë menaxhimin e Tiranës” përbën një kritikë të drejtpërdrejtë ndaj mënyrës se si është administruar kryeqyteti në mungesë të tij.
Deklarata merr një tjetër peshë politike për shkak se Veliaj nuk e kufizon reagimin vetëm te procesi gjyqësor, por e lidh situatën e tij personale me vendimmarrjen për drejtimin e Bashkisë së Tiranës.
Kryebashkiaku ngre gjithashtu pretendime për trajtimin e tij në paraburgim, duke deklaruar se është transferuar nga një ambient në tjetrin pa asnjë shkresë zyrtare dhe se është përballur me kërcënime.
Ai e cilëson paraburgimin e tij si politik dhe pretendon se prej 20 muajsh po përballet me atë që e quan një “ping-pong gjykatash”.
Megjithatë, Veliaj përcjell edhe një mesazh sfidues, duke deklaruar se nuk do të tërhiqet nga prioritetet e tij për Tiranën, pavarësisht vendit ku mund të transferohet.
“Jo në Durrës e Fier, por edhe në Hënë po të duan të më internojnë, unë do t’u qëndroj besnik prioriteteve të mia!”, shkruan ai.
Në të njëjtin reagim, Veliaj njofton se ka miratuar projektet për 15 çerdhe dhe kopshte të reja për fëmijët e Tiranës. Sipas tij, me këto projekte, numri i çerdheve dhe kopshteve të ndërtuara apo të projektuara gjatë administrimit të tij arrin në 130.
Postimi i Veliajt:
Pasi më rrëmbyen nga zyra e Kryetarit të Bashkisë me letra anonime, pasi tentuan të më shkarkonin nga detyra në mënyrë antikushtetuese, pasi e bënë çorbë menaxhimin e Tiranës, pasi më persekutojnë dhe më mbajnë në paraburgim politik prej 20 muajsh, në një ping-pong gjykatash, pasi më rrëmbyen për të më ndërruar birucën pa një shkresë te vetme dhe pasi më kërcënuan edhe aty, përsëri sot miratova projektet për 15 çerdhe dhe kopshte të reja për fëmijët e Tiranës!
Me këto projekte, numri i çerdheve dhe kopshteve të ndërtuara apo të projektuara gjatë administrimit tim arrin në 130!
Jo në Durrës e Fier, por edhe në Hënë po të duan të më internojnë, unë do t’u qëndroj besnik prioriteteve të mia!
Këto janë kopshtet e çerdhet që kam miratuar sot:
Nj. 9, Kopsht, Don Bosko, 150 fëmijë
Nj. 12, Kopsht, Fresku, 150 fëmijë
Nj. 13, Çerdhe, Kodra e Diellit, 50 fëmijë
Nj. 9, Çerdhe, Don Bosko, 100 fëmijë
Nj. 13, Çerdhe, Liqeni i Thatë, 50 fëmijë
Nj. 9, Çerdhe, Stracioni i Trenit, 100 fëmijë
Petrelë, Kopsht, Daias, 16 fëmijë
Dajt, Kopsht, Tufinë, 33 fëmijë
Nj. 12, Kopsht, Sh. 17 Shkurti, 122 fëmijë
Nj. 1, Kopsht, Tregu Elektrik, 120 fëmijë
Nj. 7, Çerdhe, Fusha Aviacionit, 100 fëmijë
Nj. 7, Çerdhe, Dogana, 100 fëmijë
Nj. 7, Kopsht, Zogu i Zi, 150 fëmijë
Nj. 14, Çerdhe, Yzberisht, 100 fëmijë
Nj. 14, Çerdhe, Astir, 100 fëmijë
