E premte, 6 Nëntor, 2026

“Fol me kryeministrin”, hapet faqja e dialogut për protestat! Rama: Gati të dëgjoj studentët, i bindur se akujt do të shkrihen

Share

“Fol me kryeministrin” është emëruar faqja online, të cilën shefi i mazhorancës e krijoi në valën e protestave kundër tij, e që deri më sot, ftesa e tij me letra dialogu mbi sofrën e betonit para godinës qeveritare është refuzuar.

“Faqja është gati. Kushdo të komunikojë, për të hyrë në një dialog në kushtet kur vijnë nga një sfond protestash, përshkallëzimesh, dhune, presioni, kërcënimi, përpjekjesh për ta penguar me çdo kusht dialogun. Kjo është ura që është ngritur për ju. Një urë funksionale. Një urë e hapur 24 orë”, thotë Rama.

Në këtë klimë të protestës, megjithatë kryeministri beson se herët a vonë do të shkrihen akujt dhe do të hapet rruga për dialog.

“Besoj më herët se vonë do të shkrihen edhe akujt e vendosur artificialisht nga ata që mendojnë se mund t’i imponohen shoqërisë, bashkëjetesës demokratike, mund t’i imponohen të gjithë atyre që mendojnë ndryshe prej tyre. Ndërkohë ne shfrytëzojmë këtë mundësi të artë që na jep teknologjia”, vijoi Rama.

Në plaftormën, e cila fillimisht do të presë studentët, mund të drejtohen pyetje, kritika, shqetësime, apo edhe të ngrihen propozime. Komunikimi nuk është ekzskluziv vetëm për kryeministrin, por edhe me anëtarë të tjerë të qeverisë apo të grupit parlamentar

“Nuk ka pyetje të ndaluara për shkak të përmbajtjes së tyre kritike dhe as nevojë për të qenë dakord me qeverinë që të marrësh pjesë”. thuhet në faqe. 

Në portal, është dhe një shënim i gjatë  i kryeministrit mbi protestën si një e drejtë e pamohueshme, por se dhuna e disave nuk duhet të bëhet arsye për të mos dëgjuar të tjerët

Shënimi i plotë i kryeministrit Edi Rama në faqen e dialogut

Çdo protestë ka një arsye kur nis, por edhe një sfond më të gjerë sesa pankarta e pikënisjes. Nga ana tjetër protesta nuk është vetëm një manifestim shqetësimi, pakënaqësie a zemërimi, po pjesë e bashkëjetesës demokratike, ku qytetarët janë të lirë të shprehen dhe kanë të drejtë të dëgjohen. Në vendet e lira protesta është një e drejtë e pamohueshme, që mbrohet nga shteti edhe kur protestohet kundër qeverisë, parlamentit, gjykatës. Dhuna ndaj institucioneve, kërcënimi dhe vandalizmi ndaj pronës publike e private janë krime. Prandaj refuzimi i dhunës e distancimi prej saj, është ana tjetër e lirisë dhe së drejtës së protestës. Për mua, që i përkas një gjenerate e cila e fitoi me protesta paqësore lirinë e mendimit dhe të pluralizmit politik, ka qenë gjithnjë e qartë:

Protesta është një trokitje në veshin e pushtetit dhe pushteti duhet ta dëgjojë çdo protestë, e të jetë kurdoherë gati për dialog.

Shpesh, kur një protestë nuk është një demonstrim politik për bazën opozitare, po një manifestim qytetar shqetësimesh, protestuesit e kërkojnë dialogun dhe qeveritë hezitojnë të ulen me ta. Por nganjëherë ndodh e kundërta. Sot ka studentë që duan të flasin, të pyesin, të kundërshtojnë, të kërkojnë shpjegime apo të propozojnë zgjidhje, mirëpo nuk ndihen të lirë ta bëjnë këtë publikisht, për shkak të intimidimit të vazhdueshëm të atyre që nuk duan dialog. Por as dhuna e disave nuk mund të bëhet arsye për të mos dëgjuar të tjerët, as refuzimi i dialogut nga disa nuk mund të kthehet në pengesë për ata që duan të dialogojnë.

Kështu lindi ideja e kësaj hapësire të re sociale. Një mundësi e thjeshtë komunikimi të drejtpërdrejtë me mua, fillimisht për studentët, por e hapur për këdo që dëshiron të bëjë një pyetje, të shprehë një kritikë, të ngrejë një shqetësim apo të paraqesë një propozim. Pa qenë nevoja të dalë publikisht me emër e mbiemër. Pa qenë nevoja të marrë anën e askujt. Pa qenë nevoja të jetë dakord me mua për asgjë. Identiteti i atyre që dëshirojnë të komunikojnë pa e bërë publik emrin e tyre do të ruhet në mënyrë konfidenciale dhe nuk do të publikohet pa pëlqimin e tyre.

Kjo nismë nuk synon të zëvendësojë protestën me një formular digjital, as të kushtëzojë dialogun me dakordësinë për çka mund të mos jemi kurrë dakord. Synimi është ngritja e një ure ku pyetjet, kritikat, shqetësimet dhe propozimet, ashtu si përgjigjet, kundërargumentet, mirëkuptimi dhe dakordësitë e mundshme, të thuhen lirisht, të shqyrtohen me respekt dhe të adresohen me përgjegjësi.

Askush nuk duhet të zgjedhë mes së drejtës për të protestuar dhe mundësisë për t’u dëgjuar. Prandaj, kush do të protestojë paqësisht, le ta bëjë pa asnjë pengesë. Kush do që edhe të dialogojë për çka proteston, bujrum, është i mirëpritur në këtë hapësirë të re sociale. Le ta nisim duke rënë dakord se mund të mos jemi kurrë dakord, por nga mënyra se si e shprehim mosdakordësinë tonë varet edhe sa e mirë ose jo është bashkëjetesa jonë demokratike.

“Fol me kryeministrin” parashikon ruajtjen e konfidencialitetit të përdoruesve, duke mos bërë publik identitetin e tyre pa pëlqim, si dhe publikimin periodik të një përmbledhjeje mbi temat e ngritura, përgjigjet e dhëna dhe hapat e ndërmarrë. Hyrja në këtë platformë online kërkon identifikimin e përdoruesit përmes portalit e-Albania.

Mesazhet do të shqyrtohen dhe, në varësi të natyrës së tyre, çështjet me interes të gjerë do të marrin përgjigje publike nga Kryeministri, ndërsa problematikat individuale do t’u përcillen institucioneve përgjegjëse për trajtim dhe përgjigje private.

Te tjera

Lajme te tjera