Nga Faslli Myrtollari
Nuk e kemi fjalën për fshatrat e braktisur totalisht. As për ato larg rrugëve automobilistike, që kanë mbetur me 2-3 shtëpi të braktisura. Fjala është për fshatrat anës asfaltit. Të shtrosh këtë pyetje tani, në fund të vitit 2026, e 3-4 vjet, siç pretendohet, për t’u bërë pjesë e Evropës së Bashkuar, duket çudi. Vërtet për t’u habitur dhe nuk të beson njeri në Itali, Francë, Gjermani e gjetkë. Po ja që është e vërtetë! Në fshatin Qafë të Skraparit elektrifikimi u krye në vitin 1969. Që në muajt e parë u ndez llamba elektrike. Shtypej çelësi apo lëvizej lehtë poshtë-lart, sipas llojit, dhe ndriçohej dhoma. Qemë ndër fshatrat e para që përfunduam elektrifikimin. Ishte urdhër Partie. Do të realizohej se s’bën. Ndryshe, do të shpallej ndonjëri armik ose sabotator.
Më 17 mars 1969 festohej me bujë të madhe 25-vjetori i Brigadës së Shtatë Sulmuese, e formuar në Vlushe. Do të vinte udhëheqja kryesore e vendit. Që nga Ramiz Alia, Adil Çarçani e me radhë. Në kohën e Luftës, këtej e kishin fshehur kokën nëpër male. Edhe pas luftës i izoluan fare këto male. Vetëm tunele misterioze në zemër të tyre u hapën të panumërta e të frikshme. Nejse… Ashtu janë edhe sot. Ish-partizanët, të ardhur një natë më parë që nga Myzeqeja e gjetkë, mbrëmja e darka duhej t’i gjente me drita elektrike. Në fakt, u realizua. Në shtëpinë tonë, më 16 mars, u pritën e fjetën 3 ish-partizanë dhe të nesërmen do të niseshin për në Vlushe. U punua me sakrifica e në vështirësi të mëdha. Në kohë rekord. Në kushtet e dimrit, me shi, baltë e dëborë të muajve nëntor e dhjetor 1968 dhe janar e shkurt 1969. Shtyllat elektrike me dy pjesë. Njëra me tre blinda të futura në tokë dhe pjesa tjetër një shtyllë trekëndore e lartë, me fije të trasha hekuri të salduara kryq e tërthor. Transporti bëhej nga burrat me krahë. Blindat e shtyllat me mjete transporti vinin deri në Dhores. Pastaj… o nënë, nënë! Nga Dhoresi, në Visockë, në Qafë e në Vlushe, me damarët, muskujt e venat e krahëve të të rinjve e burrave. Blindat tepër të rënda. Për të kompletuar një shtyllë duheshin tre blinda. Materiali: beton i fortë e hekur i trashë. Gati 2 metër të gjata, me bazamentin fundor më të gjerë se kreu, në formë konike, ku mbërthehej me bollona shtylla e lartë e hekurit. Vetëm për njërin blind duheshin 4 veta, dy para e dy mbrapa. Do të ecej rrugë e pa rrugë, në shkurreta, përrenj e pjerrësi të ndryshme, sipas terrenit e vendit të piketimit, ku do të vendoseshin tre e nga tre, njëra pas tjetrës, në distancën e përcaktuar. Punë e mundimshme, 5-6 orë, sepse, po të bëje një kilometër, duhej çlodhur për të shliruar damarët e krahët. Nga Dhoresi në Visockë norma ishte dy rrugë. Për në Qafë e Vlushe, një rrugë.
– Ngriheshim herët në mëngjes, – kujton Arshini, në atë kohë kryetar këshilli. – Dita ishte e shkurtër. Na zinte nata, sido që niseshim pa zbardhur, gati në errësirë. Ditë dimri me kohë të keqe e cikmë drithëruese. Çohesha i pari dhe i zgjoja me radhë nga gjumi. Aq të lodhur sa Safeti, kur i thirra, më tha: «Pse u gdhi, o mos u gdhifshim!»
Veç transportit, për çdo shtyllë duheshin ngulur tre blinda thellë në tokë, deri sa të dukej vetëm kreu në sipërfaqe, ku do të fiksohej shtylla tjetër e gjatë e hekurt. Në majë lidheshin në izolatorë telat përcjellës të rrymës, prej fije teli alumini të gërshetuara për transmetimin e tensionit të lartë. Vendi ku do të hapeshin gropat për blindat e betonit ishte hall më vete. Mund të qëllonte gurë e shkëmb i fortë që duhej të çahej. Diku edhe me leva, qysqi e mina. Kabina elektrike u ngrit e përbashkët për tre fshatrat: Visockë, Qafë e Sukars. Atje ku është edhe sot. Akoma atje që më 1969. 45 minuta larg. Atje tek bregu i arës së krushqve. Atje matanë Plehut të Nasit. Atje afër Çukës së Krestit. Po, po, edhe sot atje. Atje! Atje! Në 1969 u vendos sa për të ndezur nga një a dy llamba elektrike në çdo shtëpi. Jo për gjë tjetër. Hiç! Vetëm llambë në vend të kandilit. Nga 1969 kanë ndryshuar shumë kohët. Ka hyrë televizori, soba elektrike, frigoriferi, lavatriçja, pompat e ujit, stufat me korrent për gatim e ngrohje, dushi, ventilatori e kaloriferi… Privatët kanë bërë investime. Është baxhua me dhomë frigoriferike. Janë disa familje që çojnë ujin brenda në banesë me pompa korrenti. Dikush edhe për vaditje rreth oborrit. Transformator është vetëm ai atje te kabina e përbashkët. Një i vetëm. Janë zëvendësuar vetëm shtyllat e hekurta me shtylla betoni. Gjithë këto dekada, asnjë investim tjetër. Nga ngarkesa, dritat fiken shpesh. Automatët nuk mbajnë. Siguresat në kabinë digjen përherë. Tensioni i ulët. Pompat e ujit gërrhasin të pafuqishme. Nuk kanë takat ta ngjitin ujin 4-5 metra më lart. Elektricist në fshat nuk ka. Ku t’i gjejmë të papërtuarit Nesim Shahini, Arshin Mukaj e Maksi Bregun?! Atje në fshat vete shpesh.
– Në katin e dytë me zor ngjitet uji, – i them një inxhinieri elektrik në Çorovodë, tek kafja e Fikretit. – Nga tensioni i ulët nuk ka fuqi pompa.
– Ke të drejtë! – më tha. – Do mundohemi të forcojmë pak tensionin duke lëvizur fijet tek kabina nga njëra lagje në tjetrën.
E mbajti fjalën. Erdhën 2-3 elektricistë. Panë rrjetin, bënë ndonjë spostim. Ndryshimi shumë i vogël. Duhet transformator i ri, i veçantë për secilin fshat. E ndiente shqetësimin, por aq e kishte hapin. Nuk kishte akses për më tutje.
– Po pate ndonjë të njohur në Ministrinë e Energjetikës a te Sistemi Kombëtar i Shpërndarjes, të sigurosh ndonjë transformator të ri, vetëm për Qafën, zgjidhet problemi.
– Sa mora vesh që një drejtor i tillë ishte nga një fshat i Tomorricës. Jo, – i thashë. – Skraparllinjtë, kur ngrihen në përgjegjësi e marrin ndonjë funksion shtetëror, nuk bëjnë kurrë gjë për Skraparin. Kanë qenë burra të tjerë ata që bënin punë.
E mirëkuptova interesimin e dashamirësinë e tij, por shteti ku është? Njëri, nga halli, ka blerë gjenerator. Një tjetër, pompën e ujit e furnizon me karburant. Nja dy të tjerë kanë hapur e vënë në funksionim puset si qëmoti. Kur do të ketë tension të plotë që të punojnë normalisht pompat e vogla të ujit?!
(Vetë, ngaqë shkoj shpesh në fshat, e kam gjetur zgjidhjen: e përdor pompën e ujit e rraqet e tjera me korrent vetëm natën. Ditën fle gjumë. Qesh ti, lexues, qesh e tallu, por nuk ka mundësi tjetër.) Kjo është gjendja. Akoma me një transformator të vetëm që më 1969. Atje matanë Plehut të Nasit. Atje! Atje! Kurrë këtu, afër jetës e banorëve. Dhe bëjnë thirrje të kthehen njerëzit në vendlindje. Po deputeti merr vesh nga këto halle?!
