Qeveria synon të ndryshojë mënyrën se si kryhen kontrollet e inspektorateve në biznese, duke i dhënë fund kontrolleve të befasishme dhe duke e zhvendosur fokusin nga gjobat te parandalimi i shkeljeve dhe këshillimi i sipërmarrjeve.
Nisma u bë e ditur gjatë Konferencës mbi Investimet dhe Përmbushjen e Kërkesave Ligjore, të organizuar nga Inspektorati i Përgjithshëm, ku kryeministri Edi Rama kërkoi që inspektorët të mos shkojnë në biznese me qëllimin për t’i kapur në gabim dhe për t’i gjobitur.
“Duhet të marrin fund kontrollet e befasishme sikur po shkohet në një shpellë për të kapur një grup kriminal”, tha Rama, ndërsa njoftoi se inspektorët do të pajisen me kamera inteligjente që do të regjistrojnë në kohë reale veprimet e tyre gjatë punës.
“Të gjithë inspektorët e Inspektoratit të Përgjithshëm së shpejti do të vishen me uniformë civile, me kostum, kravatë. Të gjithë do të kenë kamerën inteligjente të vendosur si stemë në trup, që do të jetë e lidhur me qendrën, dhe të gjitha veprimet do të jenë të regjistruara në kohë reale. Kështu do të mund të inspektohet nga zyra e etikës e kryeinspektorit edhe edukata. Kamerat do të jenë bashkë me inspektorin gjatë gjithë orarit të punës”, shpjegoi ai
Ai theksoi se bizneset duhet të ndihmohen për të përmbushur standardet e kërkuara, veçanërisht në kuadër të përgatitjes për konkurrencën në tregun e Bashkimit Evropian.
“Qëllimi kryesor i Inspektoratit të Përgjithshëm dhe trupave inspektuese duhet të jetë parandalimi. Nuk është qëllimi ynë të kapim në gabim biznesin, të ngremë kurthe që biznesi të kapet i papërgatitur dhe t’i vëmë gjobë, por të përmirësojë në vijimësi pozicionin e vet në raport me ato standarde që duhet të përmbushë dhe parandalimi duhet të jetë i shoqëruar si qasje me paralajmërimin”, u shpreh kryeministri.
Kontrollet përfshijnë një sërë fushash që prekin drejtpërdrejt bizneset. Inspektorët verifikojnë sigurinë dhe kushtet në vendin e punës, deklarimin e punonjësve dhe pagave, kontratat e punës dhe pagesën e detyrimeve tatimore, etj. Paralajmërimi do të vlejë edhe për kontrollet e inspektoratit të ndërtimit, ndërsa inspektorët e veterinarisë dhe sigurisë ushqimore kontrollojnë respektimin e standardeve për produktet ushqimore.
Në të njëjtën konferencë, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Denila Ibrahimaj, bëri të ditur se qeveria synon të ngrejë gjatë vitit 2027 sistemin e ri të inspektimeve, për të shmangur mbivendosjen e kontrolleve dhe për të ulur barrën administrative për bizneset.
““Duam të arrijmë standardet e kërkuara nga BE, por pa i dhënë biznesit një barrë ekstra. Ndaj sistemi i inspektimeve është menduar i tillë që të eliminohen mbivendosjet. Gjatë 2027 synojmë të ngremë sistemin e ri të inspektimeve, i cili do të garantojë akoma më shumë dhe më mirë zbatimin e ligjit. Do të garantojmë të mos kemi mbivendosje apo kontrolle të zgjatura”, deklaroi ministrja.
Ndërsa kryeinspektori i Përgjithshëm, Dash Sula, theksoi se reforma do të ndryshojë edhe mënyrën se si vlerësohet puna e inspektorateve. Sipas tij, rezultatet nuk duhet të maten vetëm me numrin e kontrolleve apo masave administrative, por me aftësinë për të parandaluar shkeljet dhe për të reduktuar rreziqet.
“Një sistem modern inspektimi nuk mund të vlerësohet vetëm nga numri i kontrolleve apo masave administrative, por mbi të gjitha nga aftësia për të parandaluar shkeljet, për të reduktuar risqet dhe për të nxitur respektimin e ligjit”, u shpreh Sula.
Sula bëri të ditur se reforma përfshin edhe digjitalizimin e proceseve, unifikimin e metodologjisë së inspektimeve, forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve dhe përmirësimin e mekanizmave për trajtimin e ankesave, përfshirë platformën “e-Albania”. Ai theksoi se përgatitja profesionale e inspektorëve dhe zhvillimi i kapaciteteve të tyre do të mbeten gjithashtu përparësi të reformës.
