Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, u ka bërë thirrje demokratëve dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë që të bashkohen në protestën e së shtunës, në orën 12:00, në mbështetje të revoltës studentore dhe gjimnazistëve.
Në konferencën për mediat ditën e sotme, Berisha e cilësoi revoltën studentore si përballjen më të fortë të rinisë shqiptare me atë që ai e quajti narkoregjimi i Edi Ramës, duke vlerësuar guximin e të rinjve dhe duke akuzuar policinë për akte barbare ndaj protestuesve.
“Revolta studentore dhe e gjimnazistëve të Tiranës është shndërruar në shpresën e madhe të mbarë shqiptarëve. E shtuna është dita që fton çdo shqiptar të rreshtohet përkrah tyre”, deklaroi Berisha, duke bërë thirrje për bashkimin e të gjitha forcave politike dhe qytetarëve kundër qeverisë.
Duke komentuar letrën e Erion Veliajt nga burgu, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po ushtron presion dhe kërcënime ndaj kryebashkiakut të Tiranës për çështjen e drejtimit të Bashkisë. Sipas tij, kërcënimet me 100 vite burg dhe kërkesa për dorëzimin e çelësave të Bashkisë dëshmojnë degradimin moral të kryeministrit.
I pyetur për reformën territoriale dhe mundësinë e dërgimit të saj në Gjykatën Kushtetuese, Berisha tha se PD do ta ndjekë çështjen përmes të gjitha modaliteteve ligjore. Ai kritikoi gjithashtu Presidentin Bajram Begaj për dekretimin e ligjit, duke e cilësuar atë si “noterin e Padrinos”.
Sa i përket zgjedhjeve të ardhshme vendore, kreu i PD-së bëri të ditur se emrat e drejtuesve politikë dhe kandidatëve për bashkitë do të bëhen publikë sa më shpejt, ndërsa mënyra e përzgjedhjes së tyre do të vendoset nga forumet e partisë.
Berisha u ndal edhe te mundësia e një kandidature të përbashkët opozitare për Bashkinë e Tiranës, duke kërkuar krijimin e një koalicioni të gjerë në të gjithë vendin.
“PD dhe partitë opozitare kanë përgjegjësinë që në këtë betejë të bashkohen në zgjedhjet vendore me kandidatë të përbashkët, në një koalicion të gjerë në gjithë Shqipërinë, përfshirë edhe Tiranën”, u shpreh ai.
I pyetur nëse opozita ka një emër konkret për Bashkinë e Tiranës, Berisha tha se opozita ka kandidatë me vlera të larta qytetare, por theksoi se prioritet mbetet bashkimi i forcave politike në një front të përbashkët.
“Vetëm një front i bashkuar mund të arrijë atë ndryshim që me padurim e presin shqiptarët”, përfundoi Berisha.
