E martë, 3 Nëntor, 2026

Rama për administratën: Provim kombëtar unik sipas modelit të Cambridge, emërime e promovime sipas ‘Shkallës së Meritës’! Edhe regjistër talentesh

Share

Punonjësit e administratës publike do të përzgjidhen dhe promovohen sipas një sistemi të ri, të quajtur “Shkalla e Meritës”, ku emërimet, ngritjet në detyrë dhe largimet do të bazohen te aftësitë dhe rezultatet në punë. Kryeministri Edi Rama prezantoi reformën që parashikon edhe ngritjen për herë të parë të një Ministrie për Administratën Publike, drejtimi i së cilës do t’i besohet Adea Pirdenit.

“Kemi reflektuar mbi mënyrën se si të jemi më pranë njerëzve, duke e sjellë më pranë administratën, më pranë shtetin. Pjesë e këtyre ndryshimeve, ku kemi thirrur në ndihmë IA-në, por jo vetëm, është edhe Shkalla e Meritës. Si ta bëjmë administratën një hapësirë ku njerëzit më të aftë, më të përgatitur, më të përkushtuar dhe më të dëshiruar që t’i shërbejnë vendit nga ana e shtetit, të mund jo vetëm të hyjnë, por edhe të ecin përpara, kur hyjnë, në shkallën e hierarkisë në administratë?”, tha Rama.

Sistemi i ri parashikon një provim kombëtar unik, sipas modelit të Cambridge, ku kandidatët do të testohen për njohuritë dhe aftësitë e tyre. Ata që kalojnë do të marrin një certifikatë të vlefshme për 4 vite, e cila u mundëson pjesëmarrjen në konkurset për pozicionet në administratë.

“Provim kombëtar unik, ku kandidatët do të dëshmojnë njohuritë. Ky test do të bëhet së bashku me Qendrën e Shërbimeve Arsimore, që po adopton modelin e provimeve të Cambridge. Ata që kalojnë marrin një certifikatë për 4 vite, që u mundëson të marrin pjesë në konkurrimin për pozicionin përkatës”, tha Edi Rama.

Krah Pirdenit, Rama tha se vlerësimi i punonjësve të administratës nuk mund t’u lihet vetëm në dorë drejtuesve, të cilët po ashtu do të vlerësohen sipas rezultateve në punë.

“Nuk është garë për të parë sa drejtorë do të largohen nga detyra, as ushtrim për të ndryshuar emra, hiq Lolin apo vër Colin. Kërkesë për të parë se ku drejtimi ka prodhuar rezultate dhe ku ka prodhuar rutinë apo kosto. Aty ku ka profesionalizëm, duhet njohur dhe mbrojtur. Aty ku problemet përsëriten, duhet të ketë pasoja, pa cenuar kapacitetet dhe punën, por edhe procesin e negociatave me BE-në”, tha Rama.

Pjesë e reformës do të jetë edhe krijimi i Regjistrit Kombëtar të Talenteve, ku të gjithë ata që dëshirojnë të punojnë në administratën publike do të mund të regjistrojnë kandidaturën, duke deklaruar formimin dhe kualifikimet e tyre profesionale. Përmes këtij sistemi, kandidatët do të informohen në kohë reale për vendet vakante dhe konkurset që përputhen me profilin e tyre. Rama sqaroi se sistemi do të mbështetet edhe te inteligjenca artificiale, përmes platformës “MeritAI”, ndërsa theksoi se ndërhyrjet në procesin e testimit dhe promovimit do të jenë të pamundura.

Te tjera

Lajme te tjera