E diel, 1 Nëntor, 2026

“Një kuti plot me euro në vilën e Ballukut”, foto u gjet në telefonin e bashkëshortit të pastrueses! SPAK: Duket e shkrepur në Dhërmi

Share

Qindra komunikime të vartësve apo bashkëpunëtorëve të Belinda Ballukut, telefonata përgjatë viteve 2018-2025, janë përdorur nga Prokuroria e Posaçme për të vërtetuar pronësinë faktike të ish zv. Kryeministres mbi vilën dykatëshe tip Begonia në “White Rocks” në Dhërmi.

Vila 103m2, e rrethuar me një parcele toke jo më pak se 300 m2, për të cilën SPAK thotë se aktualisht vlen 720 mijë euro, është përdorur nga Balluku që prej qershorit të vitit 2019 deri të paktën në shkurt-mars 2026, periudhë kur SPAK ka lokalizuar telefonin e Ballukut në këtë zonë, para se vila të sekuestrohej me vendim gjykatë vetëm 3 muaj më vonë.

Në dokumentin e lexuar nga Report Tv janë me dhjetëra faqet me prova që sipas Prokurorisë së Posaçme vërtetojnë pas asnjë lloj dyshimi se Vila në kompleksin turistik “White Rocks”, që formalisht rezulton në emër të ish futbollistit të njohur Igli Tare, i përket në fakt, ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Komunikimet e ish vartësve, shoferit të Ballukut, punonjësve të pastrimit në shtëpinë e saj në Tiranë, administratorëve të kompleksit, familjarë të këtyre të fundit të gjithë i referoheshin godinës ‘f6’, si “vila e shefes”. Ndërkohë që nga ana tjetër arredimi apo investimet ishin bërë sipas preferencave të Ballukut, ndërsa në godinë janë gjendur foto e prova të tjera që vërtetojnë se ish zv. Kryeministrja e përdorte atë në vazhdimësi, për të paktën disa çdo muaj për vite më radhë, sipas qelizave telefonike të numrit celular të Ballukut.

Ka edhe një detaj interesant në një dokument të SPAK që Report Tv ka lexuar. Një mesazh i dërguar mëngjesin e datës 17 korrik 2021 nga bashkëshorti i sanitares që punonte për Ballukun, si në banesën e saj në Tiranë, ashtu dhe herë pas here te Vila në Dhërmi, tregon sipas SPAK, një fotografi, në të cilën shfaqet një kuti e kuqe, ku ndodhen tufa kartëmonedhash 50 euroshe, të lidhura me llastik. Prokuroria e Posaçme shkruan në dokument se kutia e kuqe është “në dukje si në ambientet e vilës F6, në kompleksin White Rocks”.

Pra kjo kuti e kuqe e mbushur me euro sipas SPAK është në vilën e Ballukut në Dhërmi.

Bashkëshorti i sanitares së Ballukut, Lavdrim Smone, së bashku me gruan dhe vajzën e tij sipas të gjitha komunikimeve zhvendosin herë pas herë në vilën e Dhërmiut për të bërë pastrimet. Shpesh i dërgonte atje shoferi personal i ish zv. kryeministres.

Në dosjen e Belinda Balluku janë plot 31 të pandehurit që do të përgjigjen para drejtësisë. Report Tv ka mësuar ekskluzivisht se mes të pandehurve janë edhe 5 ndërtues e 2 firma private. SPAK ka marrë të pandehur ndërtuesit Arbër Abazi, Pandeli Carapuli, Paqsor Buzi, Artan Sako dhe Ram Geci.

Janë mbi 10 të pandehur për tenderin më të majmë, atë të ndërtimit të Tunelit të Llogarasë, ku përveç shkeljes së barazisë në tendera janë edhe akuza për shpërdorim detyre, mes të cilëve edhe ish Sekretarja e Përgjithshme e MIE, Viola Haxhiademi.

——————————-
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Te tjera

Lajme te tjera