E premte, 30 Tetor, 2026

Alarm nga Uashingtoni, dy kongresmenë kërkojnë sanksione “non-grata” dhe bllokim pasurish për zyrtarët e korruptuar në Shqipëri, në shënjestër dosja “Balluku” dhe pengimi i SPAK-ut, ja ç’pritet të ndodhë

Share

Rigels Seliman

Sali Berisha u shpall person “non-grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) në maj të vitit 2021 përmes Nenit 7031(c) të ligjit për financimin e Departamentit të Shtetit dhe Operacioneve të Jashtme, një masë që preku edhe anëtarët e familjes së tij.

Sot, ky precedent ligjor kërkohet të zbatohet me të njëjtën rreptësi ndaj zyrtarëve të qeverisë së Edi Ramës dhe personave që përdorin pozicionet shtetërore për të penguar hetimet e drejtësisë, pa dallim përkatësie politike. Gazeta “SOT” do të publikojë më poshtë letrën zyrtare të datës 22 tetor 2026, të dërguar nga dy kongresmenët republikanë Joe Wilson, bashkëkryetar i Komisionit të Helsinkit, dhe Keith Self, kryetar i Nënkomisionit për Evropën, drejtuar Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio. 

Në këtë dokument ngrihet alarmi për brishtësinë e demokracisë, presionin ndaj reformës në drejtësi, cenimin e lirisë së medias dhe përshkallëzimin e protestave në Shqipëri.  Në letrën e tyre, ligjvënësit vënë në dukje se institucionet e reja të drejtësisë si SPAK kanë treguar pavarësi të vërtetë, por po përballen me ndërhyrje të hapura politike. Kongresmenët përmendin rastin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e marrë e pandehur nga SPAK për ndërhyrje në prokurimet publike për ndërtimin e rrugëve.

Ata theksojnë se pasi prokurorët i kërkuan Kuvendit heqjen e imunitetit të saj për arrestim në dhjetor 2025, procedura u bllokua nga mazhoranca pasi kryeministri Edi Rama e cilësoi kërkesën antikushtetuese. Po ashtu, dokumenti citohet të përmendë edhe hetimet e SPAK-ut ndaj ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, për dyshimet se ka keqpërdorur informacionet sekrete në ndihmë të personave me veprimtari kriminale. Dy kongresmenët ngrenë shqetësimin se organet kundër korrupsionit nuk mund të kenë sukses kur udhëheqësit politikë mbrojnë zyrtarët e hetuar. Letra pasqyron gjithashtu situatën e rënduar shoqërore në vend, ku akuzat ndaj drejtuesve të qeverisë nxitën protesta masive në Tiranë në janar 2026 për dorëheqjen e Ramës.

Kjo pakënaqësi u shndërrua gjatë verës në një lëvizje më të gjerë qytetare kundër ndërtimeve luksoze në zonat e mbrojtura natyrore, e njohur si “Revolucioni Flamingo”. Përveç rënies së me pasojë të renditjes së Shqipërisë në indekset ndërkombëtare si V-Dem, letra evidenton 15 raste sulmesh e kërcënimesh ndaj gazetarëve që mbulonin demonstratat gjatë qershorit dhe korrikut 2026, si dhe përdorimin e gazit lotsjellës e topave të ujit ndaj protestuesve. Përveç aktivizimit të Nenit 7031(c) për ndalimin e vizave amerikane për zyrtarët e përfshirë në korrupsion madhor dhe familjarët e tyre, dy kongresmenët i kërkojnë Departamentit të Shtetit të shqyrtojë edhe zbatimin e sanksioneve financiare Global Magnitsky, të cilat përfshijnë ngrirjen e pasurive dhe bllokimin e transaksioneve bankare.

Dy ligjvënësit i kanë vendosur administratës amerikane një afat konkret deri më 5 nëntor për t’iu përgjigjur pyetjeve mbi kohën e shqyrtimit të sanksioneve, mbështetjen e SPAK-ut dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ndaj presionit politik, reagimin ndaj mosveprimit të Kuvendit për rastin Balluku, si dhe qëndrimin e Ambasadës Amerikane në Tiranë lidhur me sigurinë e gazetarëve dhe menaxhimin e protestave nga policia.

LETRA E PLOTË

“22 tetor 2026, I nderuar sekretar Rubio,

Departamenti Amerikan i Shtetit
2201 C Street NW
Washington, DC 20520

Ne po ju shkruajmë për të shprehur shqetësimin tonë lidhur me gjendjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Republikën e Shqipërisë, një aleate e NATO-s dhe një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.¹ Shtetet e Bashkuara kanë investuar ndjeshëm në reformën në drejtësi në Shqipëri dhe kanë një interes të fortë për suksesin e saj. Zhvillimet e fundit sugjerojnë se përparimi është i brishtë dhe, në fusha kyçe, rrezikon të zhbëhet. Ju bëjmë thirrje të përdorni autoritetin e Departamentit për kufizimin e vizave, sipas nenit 7031(c), ndaj zyrtarëve shqiptarë të përfshirë në korrupsion të rëndësishëm.

Vlerësimet e pavarura japin një panoramë të përzier. Freedom House e vlerëson Shqipërinë si “pjesërisht të lirë”, me 69 pikë nga 100 në vitin 2026.² Vëzhguesit i cilësuan zgjedhjet parlamentare të majit 2025 si “konkurruese dhe të zhvilluara në mënyrë profesionale”. Megjithatë, Shqipëria mori vetëm 39 pikë nga 100 në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2025 të Transparency International. Raporti i vitit 2026 i Institutit V-Dem e klasifikon tashmë Shqipërinë si një autokraci elektorale.⁵ Korrupsioni mbetet pengesa kryesore.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e krijuar me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, ka treguar pavarësi të vërtetë. Komisioni Evropian e ka vlerësuar punën e saj, ndërsa ka vënë në dukje se institucionet e tjera kanë mbetur prapa. Zyrtarët kanë ushtruar gjithashtu presion ndaj SPAK-ut dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, organi që mbikëqyr gjyqtarët dhe prokurorët.⁷ Çështjet e SPAK-ut tashmë kanë arritur në nivelet më të larta të qeverisë.

Korrupsioni ndez protestat masive 

SPAK ka marrë të pandehur Belinda Ballukun, e cila ka shërbyer si zëvendëskryeministre, për ndërhyrje në prokurimet publike për ndërtimin e rrugëve.⁸ Në dhjetor 2025, prokurorët i kërkuan Kuvendit heqjen e imunitetit të saj, në mënyrë që ajo të mund të arrestohej. Kryeministri Edi Rama e cilësoi kërkesën antikushtetuese dhe Kuvendi nuk ka lejuar vijimin e procedurës së arrestimit. Rama i mohon të gjitha akuzat për korrupsion ndaj tij.

SPAK po heton gjithashtu ish-drejtuesen e Shërbimit Informativ Shtetëror të Shqipërisë, Vlora Hyseni, për dyshimet se ka keqpërdorur aksesin e saj në informacion për të ndihmuar një person të dyshuar për veprimtari kriminale. Pakënaqësia publike ka dalë në rrugë. Akuzat ndaj Ballukut ndihmuan në nxitjen e protestave masive në Tiranë në janar 2026, ku u kërkua dorëheqja e Ramës dhe zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme.¹² Deri në verë, protestat kundër një resorti luksoz pranë një zone natyrore të mbrojtur ishin shndërruar në një lëvizje më të gjerë, të njohur si “Revolucioni Flamingo”. 

Presioni ndaj medias dhe lufta kundër korrupsionit

Kriza ka ushtruar presion edhe mbi median. Media shqiptare karakterizohet nga përqendrimi i pronësisë, financimi jo transparent dhe pronarë me lidhje politike. Më 30 korrik 2026, dhjetë organizata të lirisë së medias paralajmëruan për pengesa, kërcënime dhe sulme ndaj gazetarëve që mbulonin protestat. Ato dokumentuan 15 kërcënime dhe sulme vetëm gjatë muajve qershor dhe korrik, si dhe vunë në pikëpyetje përdorimin e topave të ujit dhe gazit lotsjellës kundër demonstruesve.¹⁵ Institucionet shqiptare kundër korrupsionit nuk mund të kenë sukses kur drejtuesit politikë mbrojnë zyrtarët që ato hetojnë.

Për këtë arsye, ju bëjmë thirrje të përdorni autoritetin e Departamentit sipas nenit 7031(c) të ligjit vjetor për përvetësimet buxhetore të Departamentit të Shtetit, Operacioneve të Jashtme dhe Programeve të Ndërlidhura. Konkretisht, i kërkojmë Departamentit të shpallë publikisht zyrtarët shqiptarë dhe, kur është e përshtatshme, familjarët e tyre të afërt, për të cilët disponon informacione të besueshme mbi përfshirjen në korrupsion të rëndësishëm. Ky shqyrtim duhet të përfshijë zyrtarët ndaj të cilëve SPAK ka ngritur akuza, si dhe ata që kanë përdorur pozicionet e tyre për të penguar hetimet e tij.

Zbatimi i vazhdueshëm i këtij mekanizmi, pavarësisht përkatësisë partiake, do të çonte përpara përpjekjet e Departamentit kundër kleptokracisë. Ai do të tregonte gjithashtu se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në krah të shqiptarëve që kërkojnë llogaridhënie. Gjithashtu, ju kërkojmë të përgjigjeni për pyetjet e mëposhtme deri më 5 nëntor: 

1. A do të angazhohet Departamenti për të shqyrtuar zyrtarët shqiptarë për shpallje të padëshiruar sipas nenit 7031(c), dhe brenda çfarë afati kohor? A do të shqyrtojë gjithashtu sanksionet sipas Aktit Global Magnitsky, kur provat e justifikojnë një masë të tillë? 

2. Çfarë ndihme po ofron Departamenti për SPAK-un, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë dhe reformën më të gjerë në drejtësi në Shqipëri?  Si do t’i mbrojë këto institucione nga presioni politik? 

3. A e ka ngritur Departamenti me qeverinë shqiptare çështjen e mosveprimit të Kuvendit ndaj kërkesës së SPAK-ut për arrestimin e znj. Balluku? Cila ka qenë përgjigjja? 

4. Si po angazhohet Ambasada Amerikane në Tiranë me autoritetet shqiptare lidhur me menaxhimin e protestave nga policia dhe sigurinë e gazetarëve? 

A e mbështet Departamenti zhvillimin e hetimeve të pavarura për incidentet e dokumentuara gjatë kësaj vere? Gjithashtu, kërkojmë një informim për stafin tonë mbi këto çështje. Ju falënderojmë për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje. Presim me interes të bashkëpunojmë me ju në mbështetje të institucioneve demokratike të Shqipërisë.”, thuhet në letër. /gazeta sot/

Te tjera

Lajme te tjera