Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka komentuar marrëdhëniet dhe kontributin e disa prej figurave më të njohura të së majtës shqiptare, gjatë një interviste në emisionin “Koha Jonë-Debat”, me moderator Nikoll Lesin.
I pyetur për ish-ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati, ministren Elisa Spiropali dhe kryeministrin Edi Rama, Balla ndau vlerësimet e tij për secilin, duke përcjellë edhe mesazhe mbi karrierën politike dhe kontributin brenda Partisë Socialiste.
Gjatë intervistës, Balla u ndal te ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, me të cilin tha se ka punuar, por pa dhënë më shumë hollësi për marrëdhëniet e tyre aktuale.
“Kam punuar me Ditmirin, uroj të di që i ka borxh Partisë Socialiste”, u shpreh Balla.
Deklarata e tij vjen në kuadër të një serie vlerësimesh për figura të ndryshme të PS-së, ndërsa nuk dha shpjegime të mëtejshme se çfarë nënkuptonte konkretisht me këtë koment.
I pyetur për Elisa Spiropalin, Balla e cilësoi atë kolege dhe kujtoi këshillën që, sipas tij, i ka dhënë vazhdimisht për mënyrën se si duhet të ndërtohet karriera politike.
“E kam kolege Elisën, dhe këshilla që i kam thënë gjithmonë Elisës është: Në politikë secili bën një kontribut të caktuar dhe gjithmonë duhet të dish që këtë kontribut politik të mos e çosh dëm asnjëherë”, deklaroi Balla.
Balla i thuri elozhe edhe kryeministrit Edi Rama, duke iu referuar ndryshimeve që, sipas tij, Rama i ka sjellë vendit.
“Edi Rama është një prej atyre njerëzve që i ka sjellë një transformim Shqipërisë në shumë plane, jo vetëm si kryeministër”, u shpreh Balla.
Më tej, ai përdori shprehjen elbasanase “rrube”, për të nënvizuar vlerësimin e tij për rolin e kreut të qeverisë.
“Në ka një njeri në 100 vjet që ia ka ngritur rruben Shqipërisë, më shumë se Edi Rama nuk ka një tjetër”, deklaroi kreu i grupit parlamentar të PS-së.
