Kryeministri Edi Rama ka prezantuar detaje nga paketa e re fiskale, e cila bashkë me buxhetin e vitit të ardhshëm do të marrë sot miratimin nga Qeveria, për t’iu nënshtruar më pas diskutimeve dhe votës në parlament.
Rama njoftoi se taksa e qarkullimit prej 27 l/litër (32 l/litër bashkë me TVSH-në) do të hiqet nga çmimi i karburanteve, dhe do të paguhet më vete së bashku me taksat e tjera vjetore të automjeteve.
“Do të heqim taksën e qarkullimit nga çmimi i naftës dhe do ta ulim automatikisht 32 lekë në pompë çmimin e naftës, ndërkohë që taksën do ta rikthejmë tek makina dhe do ta mbledhim përmes Drejtorisë përkatëse të Transportit Rrugor”, tha kryeministri.
Shefi i Qeverisë bëri të ditur se ulja e TVSH-së nga 20 përqind në 6 përqind për ushqimet, do të përfshijë 54 artikuj të ndryshëm “mes të tjerash mishi, peshku, bulmeti, vezët, miellin, vajrat, sheqerin, makaronat, frutat, perimet dhe ushqimet bazë për foshnjat. Vetëm me këtë lëvizje, ne shtojmë në arkën e familjeve shqiptare rreth 150 milionë Euro në vit për ushqimin, që deri më sot i kalonin shtetit përmes TVSH-së 20%.”
Kryeministri konfirmoi rritjen më një pikë përqindje të normës standarte të TVSH-së e cila shkon në 21 përqind. Sips kryeministrit një rritje e tillë do të shërbej si kompensim për rediktimin e Tatimit për ushqimet.
“Për të gjitha mallrat jashtë shportës të gjithë ne do të kontribuojmë që shporta për ata që e kanë më të vështirë fundin e muajit, të jetë e garantuar si një shpenzim i arsyeshëm”, deklaroi Rama.
Në skemën e TVSH-së do të përfshihen mbi 17 mijë biznese të vogla për shkak të uljes së pragut të xhiros vjetore nga 10 milionë lekë në 5 milionë lekë.
“Nuk mund të lejojmë që shumë biznese të vogla të vazhdojnë të abuzohen duke i shërbyer si guacka bizneseve të mëdha për t’u fshehur. Kjo lëvizje duhet të shërbejë si paralajmërim edhe për bizneset nën 5 milionë lekë, që të mos luajnë me faturat e të mëdhenjve”, nënvizoi Rama.
Bursat për studentët që vijnë nga familje në vështirësi ekonomike do të rriten me 15 mijë lekë të reja, duke arritur në 25 mijë lekë në muaj.
“Nga ana tjetër, lajmi i mirë nga ana jonë për ju, që vjen edhe ky nga ekonomia e rritur si të gjitha lajmet e sotme, është se të gjithë studentëve që vijnë nga familje në vështirësi ekonomike bursa u rritet me plus 15 mijë lekë të reja, pra u bëhet praktikisht sa një gjysmë page minimale, 25 mijë lekë dhe u shtrihet edhe në nivelin master”, tha kryeministri.
Ndër elementët e tjerë të Paketës fiskale është dhe rritja e Tatimit mbi dividentin, gati dyfishim i tij nga 8 përqind në 15 përqind, ndërsa mbetet i paprekur në 15 përqind Tatimi mbi Fitimin.
Ulet barra tatimore mbi pagat e shtresës së mesme, duke e shtrirë deri në 300 mijë lekë të reja në muaj, fashën që do të tatohet me 13 përqind, ndërkohë që norma e tatimit do të jetë 30 përqind për pagat mbi 700 mijë lekë të reja në muaj.
TVSH-ja në sektorin e Turizmit do të ndryshojë nga 6 në 10 përqind, vetëm për hotelet, duke e mbajtur të pandryshuar për agroturizmin.
Kryeministri njoftoi se po punohet dhe për taksimin e ekonomisë digjitale, për të gjithë atë që përfitojnë të ardhura nga veprimtaritë online, si dhe super-taksa, për kë mban apartamente bosh, këdo që ka vila në bregdet si dhe një çmim të shimëfishuar për ujin që përdoret për pishinat.
Rama foli shkurtimisht dhe për buxhetin që pritet të miratohet. “Për herë të parë në histori, buxheti i shtetit shqiptar kalon pragun e 10 miliardë eurove”, deklaroi ai, duke shtuar se “ekonomia shqiptare vazhdon të jetë ndër më dinamiket ne rajon, me një ecuri të lartë dhe të qëndrueshme, e me rritje të nivelit të të ardhurave reale për të gjitha shtresat e popullatës”.
Një fjalë e pati edhe për protestuesit të cilëve ua bëri të qartë se “lufta qorre” nuk do ta devijojë nga objektivi i tij për Shqipërinë.
“Kam detyrë ta udhëheq Shqipërinë drejt objektivit historik, tryezës së Bashkimit Europian. Prandaj nuk ndalem, nuk ndalemi, nuk do të më ndalin dhe nuk do na ndalë dot askush. Kush jemi ne? Ne jemi shumica e shqiptarëve!”, tha Rama.
Ndryshimet në paketën fiskale të prezantuara nga Rama:
1. Ulim normën TVSH për ushqimet bazë – nga 20% ne 6% për 54 produkte, ku përfshihen mes të tjerash mishi, peshku, bulmeti, vezët, miellin, vajrat, sheqerin, makaronat, frutat, perimet dhe ushqimet bazë për foshnjat. Vetëm me këtë lëvizje, ne shtojmë në arkën e familjeve shqiptare rreth 150 milionë Euro në vit për ushqimin, që deri më sot i kalonin shtetit përmes TVSH-së 20%. Nga ana tjetër praktika e re e Pasqyrës së Çmimeve do të zgjerohet e fuqizohet, për të garantuar që ulja domethënëse e çmimeve të shportës të jetë e mbrojtur nga abuzuesit e mëdhenj.
2. Rrisim me 1% normën standarde të TVSH-së si një kompensim i ndershëm kontributesh nëpërmjet rishpërndarjes ose e thënë ndryshe, për të gjitha mallrat jashtë shportës të gjithë ne do të kontribuojmë që shporta për ata që e kanë më të vështirë fundin e muajit, të jetë e garantuar si një shpenzim i arsyeshëm.
3. Nuk rrisim normën e tatimit të fitimit të sipërmarrjes, e cila mbetet 15% ose e thënë ndryshe në nivelin më të lartë në rajon – dëgjojeni mirë, ndryshe nga sa ju rrokanisin ekranet e korruptuara dhe portalet e paguara, ne i tatojmë të mëdhenjtë, pra biznesin e madh me normën më të lartë në Ballkanin Perëndimor prej 10 e më shumë vitesh. Por sot rrisim ama në normën më të lartë që ka rajoni edhe tatimin mbi dividentin e tyre, i cili duke shkuar nga 8% në 15 %, i ngarkon biznesmenët e mëdhenj me një taksë më të ndershme mbi fitimin e tyre, në funksion përsëri të lehtësimit të atyre që kanë më pak.
4. Ulim barrën tatimore, më vjen natyrshëm buzëqeshja sepse janë 32,000 tatimpagues që janë pjesë vitale e shtresës së mesme që e kërkojnë prej kohësh këtë lëvizje, rritjen e pragun të sipërm të tatimit mbi pagën, nga 200 mijë në 300 mijë lekë të reja. Këtë lëvizje nuk na e lejonte ekonomia deri dje, sot rritja e ekonomisë na jep mundësinë.
5. Nga ana tjetër vendosim një prag të ri të tatimit mbi pagën 700 mijë lekë të reja, ku norma e tatimit bëhet 30%, në radhë të parë si një instrument për të mbyllur shtegun e evazionit të dividentit.
6. Po ashtu, ulim pragun e aplikimit te TVSH-së për çdo biznes me xhiro vjetore mbi 5 milionë lekë, pasi nuk mund të lejojmë që shumë biznese të vogla të vazhdojnë të abuzohen duke i shërbyer si guacka bizneseve të mëdha për tu fshehur. Kjo lëvizje duhet të shërbejë si paralajmërim edhe për bizneset nën 5 milionë lekë, që të mos luajnë me faturat e të mëdhenjve, nëse nuk duan të hyjnë në regjimin e TVSH-së vitin e ardhshëm. Ndërkohë, qëndron i paprekur zotimi ynë publik, taksa zero mbi fitimin për të gjithë biznesin e vogël deri në vitin 2029.
7. Rrisim edhe normën e TVSH-së në hoteleri nga 6% në 10 %, duke përjashtuar nga kjo rritje agroturizmin. Është një masë që duhet të jetë një mesazh për pronarët e hoteleve, nga të cilët kërkohet formalizim në kushtet kur të ardhurat e tyre rriten dhe vetëm rriten e rriten çdo vit.
8. Ka ardhur koha e një sistemi të ri taksimi të ekonomisë digjitale, duke filluar nga ata që jetojnë goxha mirë dhe jam shumë i lumtur për këtë, me llajke e follëer-sa dhe duke vazhduar me tregtinë e mirëfilltë digjitale, për të cilat po përgatitet një projekt i veçantë nga Ministria e Financave. Paralelisht po punohet në ligje e vendime të tjera, edhe për disa masa të reja që shkojnë po në këtë drejtim, solidaritet me ata që e ndjejnë më shumë presionin e rritjes së kostove të jetesës nga rritja ekonomike dhe nga zhvillimi i shpejtë ekonomik që krijon vetvetiu pastaj hendeqe dhe ne duhet të jemi aty për t’i ngushtuar. Një super-taksë prone për ata që blejnë e mbajnë apartamente bosh, duke refuzuar t’i japin me qera (është e drejta e tyre, po duhet të paguajnë njësoj siç po bëjnë në disa vende të tjera të Europës që po përballen me koston e rritur të apartamenteve); një super-taksë prone për vilat në bregdet, edhe ata duhet të paguajnë më shumë për pronën e tyre dhe një çmim i shumëfishuar për ujin e pishinave. Kjo shkon në një tjetër ligj ndërsa në këtë paketë fiskale do të ketë edhe një super-taksë për makinat e luksit.
9. Në ndërkohë, pranë Ministrisë së Financave do të krijohet edhe Byroja e Kontrollit të Specializuar të të Ardhurave, për faktin se formulari i deklarimit të të ardhurave do të ndryshojë sipas formatit të shteteve të Bashkimit Europian ose e thënë më thjeshtë, për të gjithë individët me të ardhura relativisht të larta do të jetë shumë i ngjashëm me formularin e deklarimit të pasurisë që mbushin prej vitesh të gjithë funksionarët publikë.
10. Këtë e lashë të fundit në radhë, sepse është një tjetër lajm të shumëpritur nga shumëkush, të cilin përsëri duhet ta mbani mirë parasysh, nuk e sjell dëshira e qeverisë, as dëshira ime – se dëshirën e kemi pasur gjithnjë – po e sjell rritja e ekonomisë: Do të heqim taksën e qarkullimit nga çmimi i naftës dhe do ta ulim automatikisht 32 lekë në pompë çmimin e naftës, ndërkohë që taksën do ta rikthejmë tek makina dhe do ta mbledhim përmes Drejtorisë përkatëse të Transportit Rrugor. Nga ana tjetër, do të vendosim një taksë të re qarkullimi, siç e ka gjithë Europa, për makinat e huaja që hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë.
