Nga rrokaqiejt në Tiranë te resortet luksoze në bregdet, 60 studio të njohura ndërkombëtare kanë propozuar më shumë se 500 projekte në të gjithë Shqipërinë. The Gaurdian i ka kushtuar një artikull të gjatë librit prej 800 faqesh që njihet si “The Albanian Files”, i cili mbledh këto projekte dhe po shihet nga kritikët e qeverisë si një dokument që ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si merren vendimet urbanistike, transparencën, mbrojtjen e natyrës dhe rolin e kryeministrit Edi Rama.
Artikulli i gjatë i publikuar nga “The Guardian” sjell dëshmi dhe deklarata të arkitektëve, aktivistëve dhe kritikëve të zhvillimit urban në Shqipëri, ndërsa thekson se nuk ka asnjë pretendim se arkitektët e përmendur kanë kryer shkelje.
Artikulli i plotë:
Vjeshtën e kaluar, një arkitekt i njohur në Nju Jork po rrinte në shoqërinë time, kur telefoni i tij nuk pushonte së vibruari. Më në fund ai kontrolloi mesazhet dhe qeshi.
“Ah, grupi Albanian Architecture Army po shpërthen sërish,” tha ai. “Duket se Edi ka disa projekte të reja për ne.”
“Edi” ishte Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë që nga viti 2013, i cili ka drejtuar transformimin e shpejtë të vendit ish-komunist përmes një sërë projektesh arkitekturore spektakolare.
Në Tiranë janë ngritur kulla me forma të pazakonta, ndërsa në të gjithë vendin janë projektuar hapësira publike të vlerësuara me çmime, resorte bregdetare dhe projekte të tjera ambicioze.
Tani këto projekte janë mbledhur në një libër voluminoz, “The Albanian Files”.
Një “dosje” prej 800 faqesh
Transformimi i Shqipërisë, rezulton, është pjesërisht i koordinuar përmes një grupi në WhatsApp, të quajtur shkurt “Albanian ArchArmy”, ku bëjnë pjesë disa prej arkitektëve më të njohur në botë.
Në grup ndahen arritjet, festohen projektet e reja dhe kryeministri, i cili paraqitet si patroni i madh i këtij transformimi, lavdërohet për guximin dhe vizionin e tij.
Arkitekti nga Nju Jorku e përshkruan situatën si një film me superheronj: Rama jep sinjalin dhe arkitektët më të njohur të botës mblidhen për të “shpëtuar” Shqipërinë me projektet e tyre.
Libri “The Albanian Files” është ndoshta dokumenti më i afërt me atë grup privat të WhatsApp-it.
Në parathënien e tij, Rama e përshkruan librin si “një dokument të çmuar nga prapaskenat” e një procesi që “po e ngre Shqipërinë në një mënyrë që askush nuk e kishte parashikuar”.
Bëhet fjalë për një katalog të jashtëzakonshëm vizionesh, ku 60 studio ndërkombëtare dhe asnjë studio shqiptare prezantojnë planet e tyre për më shumë se 500 projekte në të gjithë vendin.
Për kritikët e Ramës, megjithatë, libri prej 800 faqesh dhe 2.2 kilogramësh është një lloj “dosjeje prove”.
Ata ngrenë pikëpyetje mbi mungesën e transparencës në vendimmarrje, shkatërrimin e trashëgimisë, dëbimet e detyruara, ndërhyrjet në zona të mbrojtura dhe rolin e sektorit të ndërtimit në pastrimin e parave të dyshuara të krimit të organizuar.
Libri përmban dëshmi të drejtpërdrejta të arkitektëve për përvojat e tyre në Shqipëri. Një deputet i opozitës e ka quajtur atë “smoking gun”, megjithëse nuk ka asnjë pretendim se arkitektët janë përfshirë në veprimtari të paligjshme.
Rama ka të drejtë kur thotë se “askush nuk e kishte parë që po vinte”: shumë prej projekteve të paraqitura në libër janë të panjohura për publikun shqiptar, i cili në disa raste ka reaguar me protesta.
“Starchitects, shkoni në shtëpi!”
“Starchitects go home!” – “Arkitektë yje, shkoni në shtëpi!”, shkruhej në një pankartë gjatë një proteste të zhvilluar në qershor në Tiranë.
Në një tjetër pankartë shkruhej: “Ku është publiku?”
Protesta u zhvillua jashtë një aktiviteti ku ishin mbledhur shumë prej arkitektëve të përfshirë në libër, në një event ekskluziv për të promovuar projektet dhe botimin.
Festivali i arkitekturës, i titulluar “Landscapes of Abundance”, kishte bileta që kushtonin deri në 200 euro, në një vend ku paga mesatare mujore është rreth 700 euro.
Aktiviteti u zhvillua në një moment veçanërisht të tensionuar, vetëm disa javë pasi protestat masive në Shqipëri shpërthyen për shkak të planeve shumë-miliardëshe për zhvillimin e rezervatit natyror të Zvërnecit dhe ishullit të Sazanit si një resort luksoz, projekt i mbështetur nga familja Trump.
Protestat, të cilat u pagëzuan “revolucioni i flamingove”, duke iu referuar habitateve të brishta që kritikët thonë se do të dëmtohen nga projekti, kanë vazhduar për më shumë se 120 ditë, me thirrje gjithnjë e më të forta për dorëheqjen e Ramës.
Arkitektura është gjendur papritur në qendër të përplasjes politike.
“Duket sikur jetojmë në një mbretëri autokratike”
“Duket sikur jetojmë në një mbretëri autokratike”, thotë Lorin Kadiu, drejtues i Citizens.al, një platformë investigative që ndjek projektet e ndërtimit në Shqipëri që prej vitit 2018.
“Nuk është vetëm mungesa e transparencës, por fakti që të gjithë duhet t’u nënshtrohemi shijeve estetike të një personi. I gjithë vendi duhet të pikturohet sipas mënyrës që ai dëshiron.”
Rama, i cili është diplomuar si piktor, u bë i njohur fillimisht si kryetar i Bashkisë së Tiranës në vitet 2000.
Ai mori vëmendje ndërkombëtare me programin e tij për lyerjen e pallateve të zymta të periudhës komuniste me ngjyra të ndezura.Transformimi relativisht i lirë i dha rezultat dhe Rama u vlerësua për qasjen e tij artistike dhe jokonvencionale.Por tani, shumë prej ish-mbështetësve të tij mendojnë se ambiciet arkitekturore kanë shkuar shumë larg.
Një letër e hapur e shpërndarë gjatë protestave denonconte “art-washing të politikës së buldozerëve” dhe u kërkonte arkitektëve të pranishëm të përgjigjeshin nëse e shijonin “lirinë për të bërë këtu atë që do të ishte e ndaluar, e kundërshtuar ose e pamundur në vendet tuaja”.
Nga arkitektët e kontaktuar nga “The Guardian”, vetëm njëri u përgjigj. Ai tha se nuk bën në Shqipëri asgjë që nuk do të lejohej në një vend tjetër.
Megjithatë, shtoi se “liria në Shqipëri është sigurisht joshëse dhe, si e tillë, përgjegjësia personale është më e madhe”.
“Liri nga ‘jo’-ja”
Në parathënien e “The Albanian Files”, Rama shkruan se arkitektët tërhiqen nga Shqipëria për shkak të “lirisë nga ‘jo’-ja në të gjitha format e saj”.
Faqet e librit janë të mbushura me projekte për brigje të virgjëra, pyje, duna dhe laguna.
Në Gjipe, një gjirin që shumëkush e konsideron si një nga plazhet e fundit të paprekura në jug të Shqipërisë, studioja holandeze MVRDV ka propozuar një hotel prej xhami të pasqyruar që do të shtrihej mbi grykë, “si një xhevahir në vijën bregdetare”.
Projekti vjen pas kullës së apartamenteve të kësaj studioje në Tiranë, e cila ka formën e kokës së Skënderbeut, heroit kombëtar shqiptar dhe që, sipas artikullit, ngjan në mënyrë të habitshme edhe me vetë Ramën.
Në zonën e mbrojtur të dunave të Ranës së Hedhun, arkitekti i njohur portugez Álvaro Siza ka hartuar një projekt zhvillimi në shpat, me teleferik dhe një kullë në plazh.
Pak faqe më tej, arkitekti zviceran Valerio Olgiati propozon një grup kullash betoni që ngrihen nga rëra, me dritare që duken si hapje mbrojtëse.
17 projekte pranë Sarandës
Transformimi i bregdetit vazhdon me projektet e stilistit italian të jahteve luksoze Luca Dini, studioja e të cilit ka si mision “të mahnisë edhe më kërkuesit”.
Ai paraqet 17 projekte, përfshirë Life Marina Complex, që shtrihet në shtatë kilometra vijë bregdetare të virgjër pranë Sarandës, dhe resortin Atara, me një “kurorë” të artë që qëndron mbi shkëmbinj.
Artikulli e përshkruan projektin si diçka që i afrohet parodisë kur ilustrimet në stilin e komikeve mbyllen me një super-jaht që fluturon mbi një horizont urban, ndërsa vetë projektuesi deklaron:
“[Ne] krijojmë hapësira që harmonizohen me mjedisin.”
“Sepse nuk ka shumë rregulla”
Redaktorja e librit, Anneke Abhelakh, u kërkoi arkitektëve të dorëzonin tekstet e tyre.Rezultati, shkruan “The Guardian”, është befasues për nga sinqeriteti. Në disa raste, teksti ngjan me një regjistrim të një bisede private.
Arkitekti me bazë në Berlin, Sam Chermayeff, shkruan “Sepse nuk ka shumë rregulla dhe klientët e mi kujdesen shumë pak për kontekstin, ne jemi të detyruar të mendojmë përmes vlerave tona.”
Ai përshkruan përvojën e tij në Shqipëri si “vërtet të egër”, duke treguar se si u kontaktua papritur nga një bashkëpunëtor i Ramës dhe shumë shpejt iu kërkua të projektonte dy kulla në Tiranë, me një sipërfaqe totale prej 45 mijë metrash katrorë.
“Sigurisht që pranova”, shkruan ai, “pa e kuptuar vërtet se çfarë po ndodhte”.
I kontaktuar nga “The Guardian”, Chermayeff tha se ai u bën klientëve shqiptarë të njëjtat pyetje që u bën klientëve në çdo vend tjetër dhe se është “njësoj i sigurt”.
“Si në Gjermani apo në SHBA, unë vërtet nuk di më shumë sesa ajo që më thuhet”, deklaroi ai.
Ai shtoi se nuk punon në ose pranë zonave të mbrojtura.
“Unë nuk bëj asgjë që nuk do ta bëja në një vend tjetër”, tha Chermayeff.
Arkitekti austriak Chris Precht tregon se Rama e kontaktoi në Instagram, duke e pyetur nëse do të ishte i interesuar të punonte në Shqipëri.
Tani ai ka 29 projekte në vend, përfshirë një “Garden of Eden” me vlerë 4 milionë euro, të ndërtuar në oborrin e zyrës së kryeministrit.
“Një realitet i paimagjinueshëm”
“Është një realitet i paimagjinueshëm”, thotë grupi i arkitektëve dhe urbanistëve shqiptarë “Arkitektët Shqiptarë”, i cili ka krijuar një databazë online të të gjitha projekteve.
Sipas grupit, ndryshe nga libri, databaza është publikuar në shqip.
“Një grup i ngushtë arkitektësh të huaj kontaktohet drejtpërdrejt nga zyra e kryeministrit dhe merr projekte pa një procedurë konkurruese”, thotë grupi.
Arkitektët e huaj e përshkruajnë situatën ndryshe.
“Rama nuk i emëron kurrë vetë arkitektët”, thotë një anëtar i grupit ArchArmy.
“Por ai krijon lidhje me zhvilluesit. Dhe kuptohet se, nëse ata zgjedhin një nga arkitektët e tij, do të marrin lejen për të ndërtuar atë që duan.”
Rama i ka mohuar vazhdimisht këto akuza.
Në një intervistë të ashpër për CNN në qershor, ai i cilësoi pretendimet për korrupsion si “fake news”.
Ai ka deklaruar prej kohësh se protestat më të gjera janë nxitur nga kundërshtarët e presidentit amerikan, përfshirë Iranin.
“Nëse nuk do të ishte Jared Kushner, askush nuk do t’ia ndiente për flamingot, për Shqipërinë, për asgjë”, tha Rama. “Është gjithë urrejtja ndaj Trumpit që krijon gjithë këtë vëmendje.”
Përgjigjja e Ramës
Zyra e kryeministrit, e kontaktuar nga “The Guardian”, nuk iu përgjigj në mënyrë të detajuar kërkesave për koment, por i cilësoi akuzat si “thashetheme” dhe “vlerësime të hidhura”.
Në një fjalim këtë javë, gjatë prezantimit të konkursit për një kullë të re, Rama këmbënguli se juritë e konkurseve përbëhen “kryesisht nga arkitektë, urbanistë dhe akademikë që janë tërësisht të lirë”, ndërsa pala shqiptare është në pakicë.
Ai tha se “nuk ka kurrë orientim apo ndikim” mbi jurinë.
Sipas Ramës, Shqipëria sot është “universiteti” më i madh i hapur i arkitekturës, ku arkitektët e rinj shqiptarë kanë mundësi “të takojnë, të ndjekin dhe të punojnë konkretisht me mjeshtra”.
Dhe shumë prej projekteve të paraqitura, shkruan “The Guardian”, japin përshtypjen e një “carte blanche”, pra të një lirie të gjerë për të projektuar.
“Të punosh si arkitekt në Shqipëri është çliruese”, shkruan arkitekti belg Xaveer De Geyter, krahas projektit të tij për një treshe kullash në formë “M” në portin e Sarandës.
Ai e përshkruan këtë si një “shkallë lirie që ndonjëherë të lë me djersë të ftohta”.Studioja spanjolle Arquitectura-G e vlerëson sistemin shqiptar të lejeve si “dukshëm më të shpejtë dhe më pak kufizues” sesa në vende të tjera, i drejtuar nga “një vizion i qartë që vjen nga kryeministri”.
Arkitekti portugez Manuel Aires Mateus pajtohet:“Ka raste kur gjërat duhet të vijnë nga lart-poshtë.”
Tërheqja pas tokave të virgjëra
Joshja e ndërtimit mbi territore të paprekura është gjithashtu e dukshme.Arkitekti japonez Kengo Kuma përshkruan emocionin e fluturimit me helikopter mbi Shqipëri.
“E gjeta shumë emocionuese”, shkruan ai, “pasi pjesa më e madhe e natyrës është e paprekur”.
Në Azi, shton ai, “është shumë e vështirë të gjesh një projekt në një tokë kaq ‘të virgjër’”.
Arkitektja me origjinë indiane dhe me bazë në Berlin, Anupama Kundoo, flet për mundësinë për të krijuar “të çliruar nga bagazhi” i Evropës dhe vendeve të tjera të zhvilluara.
Kundoo po punon për një plan të përgjithshëm për një “vendbanim laboratorik” me 50 mijë banorë në parkun kombëtar të mbrojtur Divjakë-Karavasta.
Një projekt i tillë është bërë i mundur nga një ligj kontrovers i vitit 2024, i cili lejon ndërtimin e resorteve me pesë yje në zona të mbrojtura.
Nga kjo mundësi përfiton edhe projekti i mbështetur nga familja Trump në Zvërnec.
Nuk ka asnjë pretendim se arkitektët e përmendur në këtë artikull po shkelin ligjin.Presioni po rritet.
Shqipëria ka hyrë në fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësimin në BE, por këto rregulla më pak kufizuese mbeten një pengesë.
Si ligji i vitit 2024, ashtu edhe legjislacioni i vitit 2015 që u jep trajtim preferencial “investitorëve strategjikë”, u kritikuan në një raport të BE-së vitin e kaluar si të papajtueshëm me standardet e Unionit.
Një rezolutë e Parlamentit Evropian në qershor të këtij viti shprehu “shqetësime serioze” dhe kërkoi një “moratorium të menjëhershëm mbi procedurat e reja të lejeve, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore” në zonat e mbrojtura.
Rama vazhdon t’i mbrojë të dyja ligjet si politika pragmatike dhe moderne, të cilat synojnë të balancojnë mbrojtjen e mjedisit me zhvillimin ekonomik me vlerë të lartë.
Nga vijnë paratë?
Përtej shqetësimeve për mjedisin dhe proceseve jo transparente të lejeve dhe prokurimeve, mbetet një tjetër pyetje e madhe:
Si mundet një nga vendet më të varfra të Evropës të përballojë këto projekte ekstravagante?Çmimet e pronave janë rritur në mënyrë të jashtëzakonshme, por pa një rritje të ngjashme të pagave apo të kredive hipotekore të dhëna nga bankat.Kjo ka bërë që kritikët të dyshojnë për përfshirjen e parave me origjinë të dyshimtë.
Global Initiative Against Transnational Organized Crime e identifikon sektorin e pasurive të paluajtshme dhe turizmit në Shqipëri si zona të rëndësishme për pastrimin e parave.
Sipas organizatës, sektori i ndërtimit është “thellësisht i infiltruar nga fonde të paligjshme”.
Në një raport të vitit 2020, organizata vlerësoi se rreth 1.6 miliardë euro para “të pista” ishin pastruar përmes pasurive të paluajtshme shqiptare gjatë tre viteve të mëparshme.
Siç kishte raportuar “The Guardian” në vitin 2022, përgjimet e rrjedhura tregonin persona të lidhur me mafian italiane duke diskutuar bumin e kullave në Tiranë si një mundësi për pastrimin e parave.
Çmimet e ndërtimit prej rreth 500 eurosh për metër katror, sipas raportimit, dukeshin shumë të ulëta në krahasim me çmimet e shitjes që arrinin deri në 4 mijë euro për metër katror.
SPAK dhe hetimet për pasuritë
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, po bën përparim.
Në qershor, ajo sekuestroi pasuri me vlerë 150 milionë euro, përfshirë apartamente, vila dhe prona tregtare, të lidhura me një rrjet të dyshuar të trafikut të kokainës.Po në qershor, Pëllumb Gjoka, i cili dikur ishte emëruar “investitor strategjik” nga qeveria shqiptare dhe kishte marrë miratimin për ndërtimin e një resorti me vlerë 52 milionë euro në bregdet, u dërgua në burg për akuzën e urdhërimit të vrasjeve nga grupet kriminale.
Hetimet pretendojnë se kapital kriminal është kanalizuar përmes kompanive guackë, kontratave të ndërtimit dhe transaksioneve të pasurive të paluajtshme.
Asnjë prej arkitektëve të përmendur në këtë artikull nuk është i përfshirë në këto hetime.Më shumë se 40% e projekteve në libër nuk tregojnë as emrin e klientit.
“Mendova se kjo mund të ishte një ndryshim pozitiv”
Një ish-anëtar i grupit ArchArmy është penduar për mënyrën se si kanë përfunduar gjërat.
“Si të tjerët, u bashkova me bindjen e sinqertë se kjo mund të ishte një ndryshim pozitiv për vendin”, thotë ai.
“Rama e dinte se Shqipëria do të zhvillohej shumë shpejt dhe nuk donte ta shkatërronte këtë proces. Është më mirë të kesh disa arkitektë të mirë të përfshirë për t’u siguruar që rezultati të jetë të paktën i mirë, sesa njerëzit të ndërtojnë apartamente gjenerike përgjatë bregdetit pa asnjë kontroll.”
Arkitekti thotë se u tërhoq pasi ishte pjesë e një jurie konkursi që “nuk dukej demokratike” dhe sepse ç e duhur për vendin. Është një shembull klasik i asaj që ndodh kur mendon se je lideri dashamirës, por qëndron shumë gjatë në pushtaf, nga studioja holandeze OMA, i drejton një letër të hapur Ramës – e menduar si parodi, porështjet e pronësisë së tokës “gjithmonë dukeshin shumë të paqarta”.
Ai shton:
“Rama ende beson shumë se po bën gjënë e duhur për vendin. Është një shembull klasik i asaj që ndodh kur mendon se je lideri dashamirës, por qëndron shumë gjatë në pushtet.”
“Një autokrat dashamirës me shije”
Kjo ndjesi pasqyrohet edhe në një nga kontributet më të rëndësishme të librit.Reinier de Graaf, nga studioja holandeze OMA, i drejton një letër të hapur Ramës, e menduar si parodi, por që, sipas
“The Guardian”, sot tingëllon shumë më pak humoristike.
“Duke pasur parasysh statusin e qëndrueshëm të Shqipërisë si një patron i ndriçuar i arkitekturës”, shkruan ai, “profesioni ynë do të përfitonte shumë nëse vendi nuk do të kishte më kurrë një zgjedhje tjetër dhe nëse ju … thjesht do të vazhdonit si president përjetë ndoshta edhe si mbret…
Në një botë autokracish, a mund të kemi një autokrat dashamirës me shije?”
