E premte, 2 Tetor, 2026

Spartak Ngjela: Ja pse Berisha nuk largohet nga PD edhe pse e di që nuk vjen dot kurrë më në pushtet, kërkon me çdo kusht të jetë kryetar prej halleve të SPAK-ut dhe procesit penal

Share

Avokati Spartak Ngjela ka komentuar situatën brenda Partisë Demokratike dhe qëndrimin e Sali Berishës në krye të saj. Në një reagim në rrjetet sociale, Ngjela argumenton se sot në PD përplasen dy interesa, ardhja e partisë në pushtet dhe qëndrimi i Berishës në drejtimin e saj. Sipas Ngjelës, këto dy interesa janë të kundërta me njëra-tjetrën, pasi ai pretendon se Berisha nuk mund të rikthehet në postin e kryeministrit për shkak të statusit “non grata” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ngjela ngre edhe pyetjen se përse Berisha vijon të qëndrojë në krye të Partisë Demokratike, ndërsa përgjigjen e lidh me situatën e tij personale dhe procesin penal ndaj tij në SPAK. Sipas tij, Berisha e kupton këtë përplasje, por kërkon të mbetet me çdo kusht kryetar i PD-së.

Ngjela thekson gjithashtu se Berisha është themelues i Partisë Demokratike dhe se ky fakt, sipas tij, mbyll çdo diskutim politik mbi pozicionin e tij në parti. Në vijim, Ngjela shprehet se me strukturën aktuale politike, Partia Demokratike e ka të pamundur të fitojë zgjedhjet, duke e lidhur këtë me përplasjen mes interesit të partisë për të ardhur në pushtet dhe qëndrimit të Berishës në krye të saj.

Reagimi i plotë i Ngjelës në rrjetet sociale

“Dy janë sot interesat thelbësore të Partisë Demokratike: Ardhja në pushtet e Partisë Demokratike Dhe: Sali Berisha. Por e para është qellim politik, kurse Sali Berisha është ekzistenca e njeriut-parti që krijon pengesën për mosardhjen dot në pushtet të Partisë Demokratike. Këto janë dy të kundërta që kundërshtojnë njëra-tjetrën: Pushteti nuk pranon Berishën. Por, Saliu thotë: unë do të vij në pushtet.

Atëherë? Mbetet kryesore pengesa Sali Berisha për Partinë Demokratike? Po Sali Berisha, nuk e kupton dot këtë? Jo, Saliu e kupton, por ai kërkon të jetë me çdo kusht kryetari i Partisë Demokratike, edhe pse e di që ai nuk mund të jetë kryeministër i Shqipërisë, sepse është person non-grata në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ja pra: ko është sot kriza e brendshme e Partisë Demokratike: ekzistenca e dy qendrave të kundërta: interesi Partisë Demokratike për të ardhur në pushtet, dhe kryetari i Partisë Demokratike, ekzistenca e të cilit, si kryetar, nuk e lejon Partine Demokratike që të vijë në pushtet, sepse Sali Berisha është non-grata në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Atëherë? Asgjë e Veçantë, sepse me këtë strukturë aktuale politike që ka Partia Demokratike, ajo e ka krejt të pamundur që të fitojë zgjedhjet politike në Shqipëri. Të dy këto qendra të mendimit politik të Partisë Demokratike, kundërshtojnë njëra-tjetrën. Sepse Berisha nuk mund të vijë në pushtet, ngaqë ai është non-grata në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Po përse po punon Sali Berisha, kur ai e di se nuk mund të vijë në pushtet si kryeministër i Shqipërisë?!

Ja, kjo është pyetja e cila ka vetëm një përgjigje të Berishës, i cili mendon se: Unë nuk largohem nga Partia Demokratike, sepse jam nën proces penale me akuzën për korrupsion në SPAK; dhe jam edhe nongrata në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Dhe këtu, sigurisht që, në këtë pikë, Sali Berisha ka të drejtë, në funksion të interesit të tij personal, dhe prandaj askush nuk ka të drejte t’i kërkojë të kundërtën.  Por ndërkaq na duhet ta theksojmë që Sali Berisha është themelues unik i Partisë Demokratike.  Dhe ky fakt real, mbyll çdo diskutim politik.”

Te tjera

Lajme te tjera