Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, zhvilloi konferencën e radhës me gazetarët ditën e sotme, ku akuzoi qeverinë Rama për dështim në adresimin e problematikave ekonomike dhe sociale, ndërsa paralajmëroi vijimin e aksionit opozitar dhe përgatitjet e PD-së për zgjedhjet vendore të vitit 2027. Në hyrje të delaratës së tij, Berisha kritikoi aktivitetet e qeverisë në Kuç dhe Pogradec. Ai i cilësoi ato si “ahengje qeveritare”, duke argumentuar se në një kohë kur qytetarët protestojnë prej muajsh në Tiranë, qeveria nuk po merret me problemet reale të vendit.
Lideri demokrat u ndal te çështjet e pensioneve, arsimit, shëndetësisë, ushqimit dhe strehimit. Ai ngriti shqetësimin për familjet që përballen me rrezikun e varfërisë dhe urisë, si dhe për qytetarët e Tiranës që përballen me kosto të larta qiraje. Berisha kërkoi vendosjen e minimumit jetik, heqjen e TVSH-së për ushqimet bazë dhe subvencionimin e qirave.
Kryedemokrati përsëriti kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Rama, duke theksuar se e ka humbur legjitimitetin për shkak të mënyrës së zhvillimit të zgjedhjeve, mbrojtjes së korrupsionit dhe përqendrimit të pushtetit.
Berisha paralajmëroi se PD do të vazhdojë të mbështesë protestat qytetare dhe se do të punojë që pakënaqësia ndaj qeverisë të shndërrohet në reagim më të gjerë në rrugë dhe sheshe.
I pyetur nga gazetarët se kur do të hapë PD gara për zgjedhjet vendore të vitit 2027, Berisha deklaroi se partia do të nisë në një kohë shumë të afërt përgatitjet për procesin elektoral. Ai konfirmoi se primaret mbeten pjesë e procesit të përzgjedhjes së kandidatëve dhe mohoi ekzistencën e ndonjë vendimi për përjashtimin e tyre.
Berisha u pyet edhe për ndërhyrjen e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës në debatin për reformën territoriale. Ai tha se reforma territoriale dhe reforma zgjedhore duhet të miratohen në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe iu referua rekomandimeve të institucioneve evropiane. Sipas Berishës, ekspertiza e Këshillit të Evropës është veçanërisht e rëndësishme për Shqipërinë, e cila ndodhet në fazën e post-monitorimit.
I pyetur nëse PD do të dorëzojë në Kuvend propozimin për një hartë me 100 bashki, Berisha tha se opozita do të vijojë fillimisht dëgjesat dhe konsultimet me qytetarët.
Ai theksoi se PD do të vazhdojë të dëgjojë komunitetet në të gjithë vendin dhe se numri përfundimtar i bashkive mund të ndryshojë pas këtij procesi. Berisha akuzoi Edi Ramën se e ka refuzuar propozimin e opozitës dhe se synon të mbajë kontrollin mbi territorin dhe pushtetin vendor.
Në lidhje me reformën zgjedhore, Kryetari i PD, Sali Berisha sqaroi se PD nuk i ka kushtëzuar dy proceset, atë territorial dhe atë zgjedhor, por pranoi se ato kanë lidhje me njëra-tjetrën. Ai tha se opozita ka marrë pjesë në komisionet përkatëse për të përfaqësuar interesat e qytetarëve dhe për të mos e lënë procesin pa përfaqësim opozitar.
Berisha konfirmoi gjithashtu qëndrimin e PD-së në favor të propozimeve për lista të hapura dhe proporcional kombëtar, të cilat janë artikuluar edhe nga protestuesit.
