Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ka ngritur pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë e modelit të rritjes ekonomike në Shqipëri, në një kohë kur rezerva valutore e Bankës së Shqipërisë po i afrohet nivelit prej 8 miliardë eurosh.
Në një postim në Facebook, Tabaku argumentoi se rritja e rezervës valutore përbën një garanci financiare për vendin, por, sipas saj, ky tregues nuk dëshmon domosdoshmërisht forcimin e ekonomisë reale.
“Rezerva valutore e Bankës së Shqipërisë po i afrohet 8 miliardë eurove. Kjo është një garanci financiare për vendin, por edhe dëshmi se ekonomia shqiptare nuk është e shëndetshme. Përkundrazi, pas kësaj shifre fshihet një realitet i hidhur: Banka e Shqipërisë ka blerë sasi të mëdha eurosh, por nuk ka arritur ta përmbysë zhvlerësimin e euros”, tha ajo.
Sipas Tabakut, efektet e kursit të këmbimit po rëndojnë mbi sektorët prodhues dhe eksportues, të cilët sigurojnë një pjesë të të ardhurave në euro, ndërsa një pjesë të konsiderueshme të kostove e përballojnë në lekë.
Deputetja u ndal edhe te struktura e rritjes ekonomike gjatë tremujorit të parë të vitit 2026. Sipas shifrave të cituara prej saj, ekonomia u rrit me 3.7%, por industria dhe energjia shënuan rënie me 2.2%, ndërsa bujqësia u tkurr me 0.5%.
“Në tremujorin e parë të vitit 2026, ekonomia u rrit me 3.7%. Por industria dhe energjia ranë me 2.2%, ndërsa bujqësia u tkurr me 0.5%. Rritja u mbështet kryesisht te administrata publike, pasuritë e paluajtshme dhe ndërtimi”, tha Tabaku.
Ajo argumentoi se struktura sektoriale e rritjes është po aq e rëndësishme sa norma e përgjithshme e zgjerimit të ekonomisë, veçanërisht për ndikimin afatgjatë te eksportet, prodhimi dhe punësimi.
“A mjafton kjo rritje ekonomike me sektorët kyç në rënie? Jo! Në fakt, kemi rritje në statistikë, por realisht kemi dobësi në sektorët që prodhojnë, eksportojnë dhe krijojnë vende pune të qëndrueshme”, tha ajo.
Një pjesë të kritikës së saj Tabaku e përqendroi te ndikimi që forcimi i lekut ka mbi kompanitë eksportuese. Kur të ardhurat realizohen në euro dhe kostot kryesore paguhen në lekë, zhvlerësimi i euros ul të ardhurat e eksportuesit pas konvertimit, nëse faktorët e tjerë mbeten të pandryshuar.
“Eksportuesit marrin më pak lekë për çdo euro të fituar. Sektori fason dhe industria prodhuese po humbasin konkurrueshmërinë, ndërsa kostot e pagave, energjisë, transportit dhe taksave vazhdojnë në lekë. Edhe prodhuesi vendas, veçanërisht fermeri, gjendet përballë importeve nga ekonomi ku bujqësia mbështetet shumë më tepër”, tha Tabaku.
Sipas saj, presioni mbi prodhimin vendas shtrihet edhe në bujqësi, sektor për të cilin ajo evidentoi tkurrjen e aktivitetit dhe largimin e popullsisë nga zonat rurale.
Deputetja argumentoi se forcimi i lekut kundrejt euros nuk është transmetuar në të njëjtën masë në çmimet që paguajnë konsumatorët. Në teori, një monedhë vendase më e fortë mund të ulë koston në lekë të mallrave të importuara, por shkalla e transmetimit te çmimet finale varet edhe nga kostot e tjera dhe konkurrenca në treg.
“Familja shqiptare humbet dyfish. Humbet kur dobësohen bizneset, vendet e punës, pagat dhe të ardhurat. Por nuk përfiton sa duhet as nga euroja më e lirë. Ulja e kostos së importeve nuk përcillet plotësisht te çmimet, sepse përthithet nga taksat e larta, karburanti i shtrenjtë, kostot e transportit dhe konkurrenca e dobët në treg”, tha ajo.
Tabaku iu referua gjithashtu peshës së ushqimeve në shpenzimet familjare dhe kostos së karburanteve për të argumentuar se rritja e rezervës valutore nuk përkthehet automatikisht në përmirësim të fuqisë blerëse.
“Gati 40% e buxhetit të konsumit të një familjeje shqiptare shkon vetëm për ushqime. Ndërkohë, çmimi tavan i naftës arriti në 191 lekë për litër në qershor. Ky është paradoksi shqiptar: rezerva valutore arrin rekord, ndërsa familja mbetet pa rezervë në fund të muajit”, tha Tabaku.
Në përfundim, deputetja e lidhi zhvillimin e kursit të këmbimit dhe dobësinë e sektorëve prodhues me modelin ekonomik të vendit. Sipas saj, struktura aktuale favorizon sektorë të caktuar në raport me prodhimin dhe konkurrueshmërinë.
“Modeli i sotëm favorizon betonin, importin dhe privilegjin, jo prodhimin dhe konkurrencën. Është një model etatist dhe klientelist: socialist në taksa e kontroll, kapitalist vetëm në privilegje. Dhe për sa kohë ky model vazhdon, goditjet mbi ekonominë reale dhe familjet shqiptare do të vazhdojnë”, përfundoi ajo.
