Ish deputetja Monika Kryemadhi dhe opinonistja e “Big Brother VIP 5”, ka bërë një analizë për politikanët shqiptarë dhe tregoi se si do t’i imagjinonte ata nëse do të bëheshin pjesë e shtëpisë më të famshme në Shqipëri.
Ajo u ndal fillimisht te ndryshimi i figurës së politikanit shqiptar, duke argumentuar se politika e sotme është larguar nga modeli tradicional i shtetarit.
“Ka ndryshuar fizionomia e politikanit. Nuk është më politikani që është në aparencë shtetar, që merr vendime në kuadër të sovranitetit të vendit. Sot politikani është bërë tregtar. Nuk di çfarë të them por do kisha qejf njëherë Zeqinenë në Big Brother. Se pavarësisht sulmeve që kemi, ajo ka bërë një zgjedhje të rreshtohet përpara një gjëje që edhe ajo nuk është e bindur në atë që bën.”, tha Monika në një intervistë për “Pushime On Top”.
Kur u pyet se kush do të ishte strategu i shtëpisë, Kryemadhi përmendi ish-bashkëshortin e saj, Ilir Meta, duke vlerësuar aftësinë e tij për të ndërtuar strategji politike.
“Strategu i shtëpisë? Për mua strateg politik ka qenë Ilir Meta, pavarësisht marrëdhënieve personale. Ka pasur një objektiv, funksionimi i një strukture shtetërore. Pavarësisht se ajo nuk mund të ekzistojë, ka qenë perfekt në lojën e shahut që ai ndërtonte.”
Për rolin e intrigantit, përgjigjja e saj ishte e drejtpërdrejtë: Edi Rama.
“Intriganti? Edi Rama. Ja fut të gjithëve. Por do ta haj vetë ndonjë ditë.”, tha ajo.
Ndërsa për “mbretin” e shtëpisë, Kryemadhi nuk zgjodhi asnjë prej figurave politike.
“Mbreti i shtëpisë? Vetëm mbret nuk ka Shqipëria. Edhe në kohën e Skënderbeut, me principata kemi qenë.”, u shpreh Kryemadhi.
Sa i përket protagonistit të kamerave, Kryemadhi veçoi Sali Berishën, duke komentuar edhe një prej deklaratave të fundit të tij.
“Protragonisti i kamerave? Berisha. Edhe për moshën që ka është protagonist. Unë kam vdekur me atë që ka thënë tani, një maternitet në SPAK. Është shumë lart. Nuk i shkon në mendje një 20-vjeçari.”
Për politikanin që do t’i shpëtonte më lehtë nominimit, ajo përzgjodhi Lulzim Bashën.
Ndërkohë, për banorin më impulsiv, Kryemadhi u shpreh se nuk sheh shumë “shpirtmirë” në politikë, por përmendi Erion Braçen.
“Banori më impulsiv. Në përgjithësi impulsivët janë shpirtmirë. Por nuk shoh ndonjë shpirtmirë në politik. Mund të quaj Erion Braçen.”
Në fund, ajo ndau edhe rolet e “paqebërësit” dhe “lojtarit të heshtur”, duke përmendur Niko Peleshin dhe Damian Gjiknurin.
“Paqebërësi? Niko Peleshi. Lojtari i heshtur? Damian Gjiknuri”, u shpreh Kryemadhi.
