Në gjashtëmujorin e parë të 2026-tës Administrata Tatimore e Kosovës realizoi rreth 1.015 kontrolle, ku janë evidentuar rreth 60 milionë euro shmangie nga tatimi. Ndër sektorët që konsiderohen më problematikë për shmangie tatimore janë ndërtimi, tregtia me shumicë, hoteleria dhe disa shërbime të tjera.
Gjatë kësaj periudhe, janë vendosur rreth 2.500 gjoba, apo rreth 8 për qind më pak se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Evazioni fiskal është problem i madh për Kosovën, ndërsa institucionet nuk kanë ndonjë vlerësim për nivelin e kësaj dukurie. Vlerësimet që ekzistojnë janë bërë nga institucione ndërkombëtare dhe datojnë nga periudha 2019-2020, kur evazioni fiskal vlerësohej në 25 deri në 35 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).
Në bazë të PBB-së prej mbi 10 miliardë euro, edhe vetëm 25 për qind do të përbënte rreth një të katërtën e kësaj vlere.
Administrata Tatimore e Kosovës po kryen kontrolle edhe në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Vetëm këtë vit, në këto zona janë regjistruar rreth 230 biznese të reja, me rreth dy milionë euro qarkullim.
Një tjetër shqetësim i madh për Administratën Tatimore të Kosovës mbetet borxhi i bizneseve. Rreth 800 milionë euro është borxhi total që bizneset kanë që nga përfundimi i luftës në Kosovë, më 1999. Tatimorët synojnë që deri në fund të vitit të mbledhin rreth 1.2 miliard euro të ardhura, krahasuar me një miliard euro vitin e kaluar.
