Aktivistja e njohur shqiptaro-amerikane, Evi Kokalari ka lëshuar një sërë akuzash të fortë ndaj gazetarit Çim Peka, pas krahasimit që ky i fundit i bëri kreut të Partisë Demorkatike, Sali Berisha me ish-presidentin Ibrahim Rugova. Përmes një reagimi të publikuar dje në rrjetet sociale, aktivistja Kokalari e ka cilësuar gazetarin si një “mjeran të Hasit” dhe ka pretenduar se analizat e tij burojnë nga një injorancë e thellë historike dhe politike.
Sipas saj, kritikat e fundit të Pekës ndaj liderit të PD-së nuk janë asgjë veçse një skenar i mirëmenduar nga vetë familja Berisha për të larguar të atin nga skena politike. Në prapaskenë të këtij plani, aktivistja pretendon se qëndron synimi për të instaluar Argita Malltezin në krye të partisë opozitare.
Ajo ka paralajmëruar prerë se SPAK do të kërkojë së shpejti llogari për 500,000 dollarët cash që u përdorën për hapjen e medias “Syri TV”. Më tej, zonja Kokalari ka deklaruar se agjencitë do të zbardhin burimin e gati 10 milionë dollarëve të hedhura për lobim në SHBA nga drejtuesit e opozitës. Ajo ka parashikuar gjithashtu një fund të hidhur ligjor për Sali Berishën, bijën e tij Argitën dhe të birin Shkëlzenin.
Po ashtu, objektiv i sulmit të saj ka qenë edhe ish-emisari amerikan, Richard Grenell, të cilin e ka akuzuar për mashtrime publike lidhur me pretendimet e tij se do të bëhet shef i CIA-s. Ndërkohë aktivistja Kokalari e përmbylli reagimin duke paralajmëruar se Grenellin e pret i njëjti fat i hidhur ligjor si ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal. Më poshtë po pasqyrojmë reagimin e plotë të aktivistes Evi Kokalari që ka bërë në rrjetet sociale, si dhe reagimin e gazetarit Çim Peka.
Reagimi i plotë i znj. Evi Kokalari
Këtij mjeranit të Hasit, që i duket Sali Berisha si Ibrahim Rugova, shpjegojani që këto analiza i burojnë nga injoranca e thellë që vjen nga mosinformimi siç duhet i ngjarjeve dhe rrethanave. Ibrahim Rugova ishte atdhetar dhe luftën e bëri për një Kosovë independente, ndërkohë që Sali Berisha ishte ç’ndërthurja dhe ç’atdhetarizmi i kombit në territorin e Shqipërisë. Por, kur e tejkalojmë vështirësinë e intelektit që i mungon jo vetëm atij, por 90% të këtyre mençurive që mbulojnë politikën nëpër studiot e natës, dalim tek përfundimi se vërejtjet e këtij kundrejt Sali Berishës, që çuditërisht nuk ndodhën gjatë majit dhe gjatë një gare që Berisha e shpërdoroi duke përdhunuar edhe një herë PD-në, bëhen vetëm që ta shtyjnë Berishën të dalë nga loja dhe të instalojë Argita Malltezin, që s’ka asnjë kontribut në PD përveç legjitimimit të korrupsionit, për të cilin do shkojë në burg ajo, i ati dhe i vëllai.
Pra, “kritikat” e këtij mjerani janë skenar i vetë familjes Berisha. Ky thjesht propagandon, sepse talent vetëm besnikërinë momentale ka; profesionalisht, s’ka nevojë për koment. Nejse, mbas këtyre, familjes, SPAK do kërkojë ato $500,000 cash që iu dhanë këtij mençurisë të Hasit për të hapur Syri TV, që është kthyer në propagandën e injorantëve, a thua se mungesë intelekti kemi ne që i ngritëm nga varri, dhe pastaj menduan se do na fusnit ne në varr që të mos ndiheshim… Nuk di nëse më kuptoni…? Gjërat vonojnë pak sepse do gjejmë burimin e atyre gati $10 milionë që hodhët si lobim në SHBA… e pastaj me radhë të gjithë.
Ndërkohë, shoh Grenell, i cili me vetëdije të plotë, ra në nivelin e injorancës së këtij nga Hasi dhe në nivelin e mashtruesve të dështuara të shoëbiz-it shqiptar, vazhdon pushimet në kurriz të shqiptarëve, por tashmë që u dogj si Sekretar Shteti, u thotë këtyre në Shqipëri se do bëhet shef i CIA-s. Kemi javë që tallemi masivisht me këtë të mjerë në DC.
Grenell, që u Ballkanizua më shumë se unë që kam lindur aty, më tepër se një pozicion tek Syri nuk kap, sigurisht derisa edhe ai të ketë fundin e McGonigal… Nejse, dëgjohemi sërish… dhe së shpejti!!! Si gjithmonë, Love, Evi”, shkroi dje në rrjetet sociale, aktivistja e njohur shqiptaro-amerikane, Evi Kokalari. Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Reagimi i gazetarit Çim Peka
“Berisha përballë Rugovës, njeri apo te dy! Për mua, dy figurat politike më komplekse, por edhe më të kompletuara të këtyre 3–4 dekadave në trojet shqiptare, mbeten Ibrahim Rugova dhe Sali Berisha. Dy personalitete krejt të ndryshme në stil, temperament dhe mënyrën e ushtrimit të lidershipit, por që arritën diçka që shumë pak politikanë shqiptarë e kanë arritur: të bëhen më të mëdhenj se partitë që drejtuan. Rugova vdiq përpara se t’i vdiste partia. Berisha, paradoksalisht, rrezikon të përjetojë të kundërtën: ta shohë partinë të dobësohet ndërsa ai është ende aty.
Dhe kjo nuk mund të shpjegohet pa atë që i ka ndodhur opozitës shqiptare në këto vite. Berisha është përballur me një ofensivë politike dhe institucionale të jashtëzakonshme, brenda dhe jashtë vendit. U shpall politikisht i mbaruar, u izolua, u godit dhe u tentua të nxirrej jashtë skenës. Megjithatë, ai arriti të mbijetojë politikisht, të rimarrë kontrollin e partisë së tij dhe të fitojë betejën për ekzistencën e vet politike. Por këtu mbaron beteja personale e Sali Berishës dhe fillon problemi i Partisë Demokratike. Sepse sot nuk mjafton që Berisha të ketë mbijetuar. Duhet të mbijetojë dhe të fitojë opozita.
Për herë të parë në 35 vjet pluralizëm, po shohim një fenomen që duhet lexuar me shumë kujdes: sheshi nuk është më ekskluzivitet i opozitës zyrtare. Ka qytetarë që protestojnë, reagojnë dhe kundërshtojnë pushtetin, por që nuk identifikohen domosdoshmërisht me strukturën politike që duhet ta përfaqësojë këtë revoltë. Ky është njëkohësisht alarmi dhe mundësia më e madhe për opozitën. Berisha e fitoi betejën e tij kundër një bote që, në një moment, dukej e gjitha kundër tij. Tani duhet të gjejë mënyrën që të fitojnë demokratët. Si? Nuk e di. Dhe, në fund të fundit, nuk është detyra e gazetarëve t’i tregojnë liderit të opozitës se si ndërtohet partia dhe si fitohet pushteti. Lideri është ai.
Ne, gazetarët që nuk u shitëm dhe nuk u shantazhuam, kemi bërë dhe vazhdojmë të bëjmë pjesën tonë. Kaq kemi në dorë. Por një gjë mund të thuhet me siguri: një parti që synon pushtetin nuk mund të ndërtojë vitrinën e saj politike me personazhe apolitikë, me njerëz pa peshë elektorale apo, edhe më keq, me “idiotë të dobishëm” që mund të prodhojnë zhurmë, por jo alternativë. Sepse zhurma nuk është politikë.
Mikrofoni nuk është lidership. Dhe revolta qytetare nuk shndërrohet vetvetiu në votë. Këtu qëndron sfida reale e Berishës: jo të dëshmojë edhe një herë se është politikisht i pathyeshëm, por të ndërtojë mekanizmin që e kthen rezistencën e tij personale në fitore politike për demokratët. Mund t’i rregullosh në mënyrë perfekte dhëmbët e parë, ata që duken në fotografi. Por nëse lë pa kuruar dhëmbët e dytë dhe të tretë, goja nuk funksionon. Edhe një parti është kështu. Vitrina mund të të japë imazhin. Por zgjedhjet t’i fiton struktura”, shkroi të dielë më 9 gusht 2026 në rrjetet sociale, gazetari Çim Peka. /gazeta sot/
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
