E mërkurë, 12 Gusht, 2026

Shqipëria e para për sigurinë kibernetike, Rama u përgjigjet kritikëve, jep MESAZH dhe për protestën: Shikojnë ëndrra për dorëheqje e revolucion (REAGIMI)

Share

Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur kritikëve që ngritën pikëpyetje në lidhje me raportimin e bujshëm se Shqipëria është e para në botë për sigurinë kibernetike, për të cilët shkruan se pas dyshimeve të ngritura fshihen personat që tentojnë të hedhin gurë dhe baltë ndaj qeverisë.

“Sapo postova lajmin që Shqipëria doli e para në indeksin global të sigurisë kibernetike, ata u vërsulën si tufa sorrash e korbash me turlilloj krrakrrash. Po nëse lajmi ishte “gënjeshtër”, “propagandë”, “budallallëk”, atëherë pse gjithë ai mund i madh me gurë e me baltë? Asnjë njeri normal nuk harxhon energji për të shuar një qiri të fikur”shkruan kryeministri në reagimin e tij.

Më tej, kreu i qeverisë shqiptare e vijon reagimin duke shkruar se detajin që Shqipëria është e para në botë për sigurinë kibernetike e ka zbuluar metodologjia ndërkombëtare dhe shifrat nuk ndryshojnë. 

“Në fakt renditjen në National Cyber Security Index nuk e bën as një sorrë, as një korb dhe as një troll. E vendos një metodologji ndërkombëtare, me 98.33 pikë, të matura mbi kuadrin ligjor, kapacitetet institucionale dhe sistemin e parandalimit. Urrejtësit e mi besnikë mund të hidhen përpjetë, por tabela nuk ndryshon pse ata derdhin mllef e jargë mbi pasqyrat e tyre digjitale” shton më tej Rama.

Në përmbyllje të reagimit të tij Edi Rama thekson se miqtë dhe aleatët e vërtetë e përgëzuan, ndërsa dështakëzemërakët e kanë sulmuar duke parë ëndrra me kërkesat për dorëheqje, revolucione e pushtet.

Reagimi i plotë i kryeministrit Edi Rama:

NJË SHËNIM I NEVOJSHËM për urrejtësit besnikë dhe ushtrinë e tyre të trollave.

Sapo postova lajmin që Shqipëria doli e para në indeksin global të sigurisë kibernetike, ata u vërsulën si tufa sorrash e korbash me turlilloj krrakrrash.

Po nëse lajmi ishte “gënjeshtër”, “propagandë”, “budallallëk”, atëherë pse gjithë ai mund i madh me gurë e me baltë? Asnjë njeri normal nuk harxhon energji për të shuar një qiri të fikur.

Në fakt renditjen në National Cyber Security Index nuk e bën as një sorrë, as një korb dhe as një troll. E vendos një metodologji ndërkombëtare, me 98.33 pikë, të matura mbi kuadrin ligjor, kapacitetet institucionale dhe sistemin e parandalimit. Urrejtësit e mi besnikë mund të hidhen përpjetë, por tabela nuk ndryshon pse ata derdhin mllef e jargë mbi pasqyrat e tyre digjitale.

Mund të jetë e dhimbshme të jesh troll i një shteti që del në krye të klasifikimit botëror pikërisht në aftësinë mbrojtëse nga trollimet malinje, por s’ka ilaç për dhimbjen e urrejtësve.

Kështu që vazhdoni, forca, çdo koment i juaji është një klikim më shumë, një provë më shumë, dhe një buzëqeshje më shumë për mua, në këtë ditë të bukur arritjeje fantastike.

Miq dhe aleatë të vërtetë që e dinë mirë ç’është ky Index Global sot më uruan, ndërsa dështakzemërakët e Shqipërisë më sulmuan. Të dyja palët, në mënyrën e tyre konfirmuan të njëjtën gjë:

Shqipëria u ngjit në majë aty ku deri jo shumë vite më parë ishte në fund.

Dhe kjo u dhemb vetëm atyre që e duan medoemos në fund, e që prej muajsh për “inat të vjehrrës u bënë rrogoz i mullixhiut” duke parë ëndrra me revolucione, dorëheqje, pushtet dhe duke prodhuar deri edhe diasporë nga Prishtina e Tetova.

Te tjera

Lajme te tjera