Financimi për emergjencat civile është rritur mbi 13-fish në shtatë vitet e fundit, nga 430 milionë lekë në vitin 2020 në 5,79 miliardë lekë në vitin 2026, bëri të ditur sot ministri i Financave, Petrit Malaj.
Malaj theksoi se rritja e financimit synon forcimin e kapaciteteve për përballimin e zjarreve, përmbytjeve, fatkeqësive natyrore dhe situatave të tjera emergjente.
Sipas tij, Shqipëria ka sot një buxhet më të madh dhe burime të parashikuara për emergjencat, ndërsa edhe bashkitë kanë fonde të rritura për ndërhyrje dhe përballimin e situatave në territor.
“Rezultatet shumë të mira fiskale të këtij viti kanë krijuar gjithashtu hapësirën e nevojshme buxhetore për t’iu përgjigjur çdo nevoje të paparashikuar, pa cenuar financimin e prioriteteve të tjera”, u shpreh Malaj.
Ministri nënvizoi se forcimi i financimit dhe i kapaciteteve synon që shteti të jetë i përgatitur për t’iu përgjigjur situatave emergjente, veçanërisht gjatë periudhave me rrezik të shtuar nga zjarret dhe fatkeqësitë natyrore.
“Shqipëria është financiarisht më e përgatitur se kurrë për t’u përballur me emergjencat”, deklaroi Malaj.
