Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi zyrtarisht ratifikimin e marrëveshjes së huasë 302 milionë dollarë ndaj Shqipërisë për investimet në mbrojtje.
Në njoftim, thuhet se kjo hua do të mbështesë Shqipërinë për përmbushjen e shpenzimit të 5% të PBB për mbrojtjen deri në 2035.
DASH e konsideron këtë hua si një mundësi që “do të forcojë aftësinë e Europës për të udhëhequr vetë në fushën e mbrojtjes.”
“Si aleat i NATO-s, Shqipëria është rreshtuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara në çështje të rëndësishme të politikës së jashtme, përfshirë edhe si anëtare themeluese e Bordit të Paqes të Presidentit Trump”, thuhet në njoftim.
Ndërsa Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, thotë se marrëveshja është votë besimi strategjike e SHBA ndaj Shqipërisë dhe hap historik në modernizimin e mbrojtjes. Sipas tij, mbështetja do të forcojë kontributin e Shqipërisë.
Në parlamentin shqiptar kjo marrëveshje u miratua me 74 votat e mazhroancës ndërsa opozita e cila e bojkotoi procesin, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar pezullimin e saj me argumentin se janë shkelur procedurat parlamentare, ndonëse në parim u shprehën pro marrëveshjes.
Bisedimet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara për marrëveshjen e kredisë kishin nisur që në vitin 2024.
E gjithë vlera e kredisë, do të përdoret për blerjen e prodhimeve amerikane pasi Shqipëria synon të marrë pajisje dhe sisteme luftarake, madje disa prej tyre edhe ofensive.
Sipas marrëveshjes, dy vitet e para lihen si një dritare kohore për të negociuar llojet e pajisjeve dhe sasinë që synohet të blihet, pavarësisht se ky moment konsiderohet thuajse i ezauruar që gjatë bisedimeve paraprake. Kredia do të lëvrohet pjesë-pjesë, sipas kontratave të blerjeve, të cilat do të duhet të përmbyllen brenda 4 vitesh.
Vetë kredia ka një kohëzgjatje prej 12 vitesh me një interes që luhatet mes 4 dhe 5 përqind. Por nga ana tjetër ajo parashikon që të mund të shlyhet edhe përpara kohe, pa penalitete.
