Në bashkëbisedimin të sotëm me ndjekësit online kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, komentoi sulmin policor të shtetit ndaj protestuesve një dite më parë, duke e cilësuar atë si një moment kyç në përballjen e opozitës me qeverinë e Edi Rama. Që në nisje të fjalës së tij, Berisha falënderoi protestuesit, duke theksuar përmasën dhe ndikimin e protestës: ‘Dëshiroj të përshëndes ata dhjetëra mijëra qytetarë, që dje me uraganin e fuqishëm në kryengritjen tonë paqësore i kallën datën dhe tmerrin narkoregjimit të Edi Ramës.’
Kryedemokrati Sali Berisha akuzoi policinë për mënyrën e ndërhyrjes gjatë protestës, duke e cilësuar atë si të dhunshme dhe të organizuar: ‘Dënoj me forcën më të madhe dhunën ndaj protestuesve dhe dhunën e hapur dhe të programuar ndaj drejtuesve kryesorë të PD dhe deputetëve të kësaj partie.’ Sipas tij, janë përdorur mjete të ndaluara ndaj qytetarëve: ‘Është përdorur spraj i ariut, i cili është dhjetëra herë më i fuqishëm se spraji që përdoret kundër njeriut, përdorimi i këtij spraji përbën një krim.’ Ai shtoi se kjo përbën një precedent të paprecedentë: ‘Kjo është policia e parë në botë që përdor sprajin e ariut kundër qytetarëve dhe protestuesve.’
Lideri i opozitës shqiptare Sali Berisha foli edhe për keqtrajtimin e të arrestuarve, duke lëshuar akuza të rënda ndaj policisë: ‘Të përshëndes heronjtë tanë në qelitë e komisariateve, të cilët përballë torturave çnjerëzore, qëndruan të pamposhtur dhe nuk pranuan të japin asnjë deklaratë.’ Ai përmendi edhe raste konkrete të dhunës ndaj figurave të opozitës dhe aktivistëve, duke veçuar rastin e Aulon Kalaja: ‘Pasi u verbua me spraj ariu, u godit në një hakmarrje të verbër me shkop prapa koke, duke e lënë pa ndjenja.’
Në përgjigje të pyetjeve të qytetarëve, Berisha e bëri të qartë se protestat do të mbeten mjeti kryesor i opozitës: ‘Protestat janë dëshmia më e fuqishme e ekzistencës së një opozite të pavarur, janë një mision që synon largimin e Edi Ramës nga pushteti.’ Ai theksoi se veprimi në terren është i pazëvendësueshëm: ‘Imagjino pak nëse opozita do rrinte duke vrapuar nga një studio televizive në tjetër, kjo nuk mund të jetë aspekti kryesor i veprimtarisë së opozitës. Veprimi është aspekti kryesor.’ Berisha shtoi se, sipas tij, institucionet janë të bllokuara: ‘Ju e dini që pasi ka bllokuar hetimet e SPAK-ut, nuk lejon asnjë komision hetimor në parlament Edi Rama.’
Gjatë bashkëbisedimit, kryetari i PD-së Sali Berisha u bëri thirrje grupeve të ndryshme shoqërore që t’i bashkohen protestave: ‘Është koha të veprojmë së bashku, i bëj thirrje intelektualëve, studentëve, pensionistëve dhe fermerëve të bashkohen në këtë betejë.’
Ai kritikoi ashpër kushtet ekonomike dhe sociale, duke përmendur veçanërisht pensionet dhe bujqësinë: ‘8 euro, 2 kile domate bonusi i pensioneve për në vit. A ka gjë më qesharake se kjo?’ Për fermerët, shtoi se: ‘Fermat tuaja falimentojnë, sepse sistemi fiskal i qeverisë i falimenton ato.’
I pyetur për ndryshimin e strategjisë së protestave, lideri i demokratëve Sali Berisha nuk e përjashtoi, por u shpreh se, ‘çdo variant do studiohet, në këtë betejë do konsiderojmë të gjitha format e protestave.’ Megjithatë, ai këmbënguli se karakteri paqësor do të ruhet: ‘Ne jemi kundër dhunës, kryengritja paqësore është rruga më e sigurt drejt realizimit të qëllimit tonë. Kërkon durim dhe persistencë, por është forcë e madhe, i tmerron ata.’, theksoi kreut i PD-së Sali Berisha.
Në fund të bashkëbisedimit, kryetari i Partisë Demokratike Berisha përsëriti se opozita nuk do të tërhiqet nga rruga e saj. ‘Ne nuk pajtohemi kurrë, nuk trembemi dhe nuk mposhtemi.’ Duke e konsideruar protestën si rrugën e vetme për ndryshim, ai përfundoi me një thirrje për vazhdim të mobilizimit: ‘Të vazhdojmë këtë kryengritje si rruga e vetme më e sigurt për të shpëtuar Shqipërinë, për të rikthyer shpresën dhe besimin tek Shqipëria.’, theksoi gjatë fjalës së tij, kryetari i PD-së, Sali Berisha.
