E diel, 19 Prill, 2026

“Na ka rënë në kurriz një gur i madh”, Rama nga Durrësi: Kemi detyrë të vulosim prezencën e Shqipërisë në BE! Zgjedhjet e ardhshme janë më shumë politike sesa lokale

Share

Kryeministri Edi Rama është ndalur ditën e sotme në Durrës, ku ka marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë së PS së degës atje. I pranishëm në takim ka qenë edhe drejtuesi politik i PS në Durrës, Blendi Klosi.

Gjatë fjalës së tij, Rama kërkoi mbështetje të pakushtëzuar për PS-në në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm, të cilat i konsideroi si vendimtare për ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.

“Sot Shqipëria duhet të vrapojë për të mos e lënë të mbyllet atë derë që na është hapur. Na është hapur një derë që s’ka qenë kurrë realisht e hapur për ne. Na kanë thënë ata vazhdimisht ‘ne ju duam këtu me ne, do vijë një ditë’… Ne duhet të bëjmë çmos që të mos e lëmë derën të mbyllet pa hyrë brenda. Dhe që mos ta humbim, duhet të konfirmojmë fuqishëm PS-në në zgjedhjet e ardhshme, që janë më shumë zgjedhje politike sesa zgjedhje vendore”, tha kryeministri Edi Rama.

Rama vijoi më tej duke thënë se fati ka dashur që t’i bjerë Partisë Socialiste në kurriz një ‘gur kaq i madh’, duke nënkuptuar përgjegjësinë për futjen e Shqipërisë në BE. Kryeministri shtoi se PS ka misionin që ta realizojë futjen e vendit brenda Unionit dhe të mos e humbasin ‘trenin e historisë’.

“Fati e ka dashur që të na bjerë ne në kurriz një gur kaq i madh për ta ngjitur në metrat e fundit dhe për ta vendosur në majë, duke e vulosur prezencën e Shqipërisë në BE. Kjo është diçka që kështu e ka sjellë rrota e historisë dhe ne duhet ta bëjmë këtë realitet. Ne duhet ta kapim trenin e historisë patjetër”, tha mes të tjerash Rama.

Shefi i Qeverisë foli edhe për akuzat e ngritura nga Partia Demokratike, përfaqësues të lartë të së cilës besojnë se procesi i negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE ka ngecur. Teksa i cilësoi të pavërteta këto akuza, Rama tha se pasi shkoi në Uashington në ‘Bordin e Paqes’, PD ndryshoi qëndrim në raport me SHBA-në dhe Presidentin Donald Trump dhe tani sipas tij, ka ‘ngritur’ flamurin gjerman.

“Për Bordin e Paqes thoshin ‘nuk ka ftesë’. Unë e kisha ftesën. Pastaj kur nxora ftesën, thanë qenka ftesë për shumë, jo vetëm për këtë. Pastaj kur erdhi ai në Zvicër, unë nuk shkova se isha me gocën. ‘E shikon, nuk shkoi se e ndaluan’, thoshin ata. ‘Ore jam me gocën’, thoja unë. Pastaj shkova atje edhe thanë ‘i korruptum ky, i korruptum ai’. Iku Amerika. Pastaj doli Gjermania. Në rregull, erdhi maji dhe do e ngremë flamurin gjerman në Shijak ne. Do e ngremë flamurin gjerman aty te lagjia Lugina dhe do u themi ‘hajdeni këtu tani se në Shijak ka një veto kundër negociatave, hajde merruni me Shijakun. Ça t’u bësh atyre, s’ka asnjë veto, s’ka asgjë të kësaj natyre, është vetëm proces”, deklaroi më tej Rama.

Po ashtu, nga Asambleja e Partisë Socialiste në Durrës, Rama se taksa 3% për strehimin në lejet e ndërtimit që merret nga bashkitë, do të mblidhet në një fond të vetëm, për të pasur më pas një shpërndarje më të mirë të këtij fondi për ata që kanë nevojë për strehim.

Te tjera

Lajme te tjera