E premte, 17 Prill, 2026

Kthesa e fortë e Ramës pas imunitetit të Ballukut: Dera e BE-së mund të mbyllet! Kush bën korrupsion të dënohet

Share

Për kryeministrin Rama, procesi i integrimit evropian po ecën me një ritëm normal, duke mohuar kategorikisht ngadalësimin apo ngecjen e këtij procesi.

Gjatë një bashkëbisedimi me një grup studentësh, mbi ecurinë e procesit të negociatave, kreu i qeverisë tha se ky moment duhet shfrytëzuar maksimalisht.

“Procesi që të ngadalësohet është që ose vendi që do të shkojë bën gabime dhe vendoset në një pozicion jo të favorshëm dhe Komisioni fillon e ngre rezerva, ose politika e një vendi ngre rezerva. Sot nuk jemi në këto kushte, por pyetja që duhet t’i bëjmë vetes është sa kohë kemi? Dera është hapur dhe mund të mbyllet. E rëndësishme është që ne të mos bëhemi sebep që të mbyllet”, tha Rama.

Korrupsionin, një nga betejat më të rëndësishme për t’u fituar në procesin e negociatave, kryeministri Rama e sheh tashmë në një tjetër këndvështrim.

“Korrupsioni është shumë më i madh në perceptim sesa në realitet. Jo se në realitet nuk është problem sepse akoma institucionet janë në formësim. Shpesh e ngatërrojnë korrupsionin me persona të këqinj që duhen çuar në ferr dhe të shpëtojmë. Patjetër që ata që kapen duke bërë korrupsion, duhen dënuar. Kjo nuk e çliron një vend nga korrupsioni. Duhet që korrupsioni të mos jetë një shërbim alternativ i suksesshëm”, tha Rama.

Shqipëria po bën detyrat e saj, tha kryeministri Rama, për të përmbushur të gjitha kushtet dhe standardet evropiane, dhe kjo është faza e parë e procesit teknik për mbylljen e negociatave. Sipas tij, faza e dytë dhe më e rëndësishme është ajo politike, ku Shqipëria duhet të bindë 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian të votojnë pro anëtarësimit të vendit tonë.

“Nuk është një ëndërr që e kemi parë ne dhe po ua tregojmë njerëzve, por një plan që e kemi në tavolinë. Shpejtësia e hapjes së kapitujve është një plan. Është me dy faza kjo histori. Faza e parë është në dorën tonë në një masë shumë të madhe. Faza e dytë është në dorën e tyre në një masë shumë të madhe. Yjet janë bashkuar dhe të dyja palët kanë të njëjtin interes. Ne duam të hyjmë, ata të zgjerohen”, tha Rama.

Aktualisht vendi ynë është në pritje të një vlerësimi pozitiv të ndërmjetëm nga vendet anëtare në Këshillin e Bashkimit Evropian, për të filluar më pas mbylljen e kapitujve. Objektivi i Tiranës është përfundimi i negociatave për 16 kapituj brenda këtij viti dhe 17 të tjerëve në 2027-n.

Te tjera

Lajme te tjera