E premte, 17 Prill, 2026

Europa dhe Liga e Konferencës/ Frajburgu turpëron Selta Vigon edhe ndeshjen e kthimit, Shaktar Donjeck kualifikohet në gjysmëfinale

Share

Frajburgu ka konfirmuar pritshmëritë duke siguruar një vend në gjysmëfinalet e Ligës së Europës. Skuadra gjermane eliminoi Selta Vigon me një fitore 3-1 në ndeshjen e kthimit, duke i mbyllur të dyja ndeshjet me rezultatin e përgjithshëm 6-1.

Pas suksesit të pastër 3-0 në takimin e parë, Frajburgu e kontrolloi sfidën që në pjesën e parë të ndeshjes së kthimit. Në minutën e 33-të, Igor Matanoviç zhbllokoi rezultatin, duke zbehur shpresat e spanjollëve për një përmbysje të mundshme. Vetëm pak minuta më vonë, Suzuki dyfishoi shifrat, duke e çuar rezultatin në 2-0 para përfundimit të pjesës së parë.

Në pjesën e dytë, skuadra gjermane vijoi me të njëjtin ritëm dhe realizoi edhe golin e tretë, sërish me Suzukin, i cili kompletoi dopietën personale. Selta Vigo arriti të shënonte golin e nderit në minutat shtesë me Suedberg, por pa ndryshuar fatin e sfidës.

Në Ligën e Konferencës, Shaktar Donjeck vijon rrugëtimin në gjysmëfinale. Skuadra ukrainase shkroi emrin mes 4 ekipeve më të mira të kompeticionit pasi eliminoi Alkmarin në çerekfinale.

Në sfidën e zhvilluar në Holandë, Shakhtari u mjaftua me barazimin 2-2 ndaj Alkmarit për të prerë biletën për në gjysmëfinale të kompeticionit ndërkohë që ndeshjen e parë e kishte fituar pastër 3-0.

Historitë e kësaj ndeshjeje u shkruan në pjesën e dytë kur u shënuan të gjithë golat. Shaktar Donjeck mori avantazhin në minutën e 58 me Alison Santana.

Por Alkmar reagoi dhe arriti të përmbyste për një moment rezultatin teksa shënoi 2 herë me Jensen dhe Sin për të marrë avantazhin në 2-1. Kur kishin mbetur 7 minuta nga fundi i sfidës, Shakhtari shënoi sërish, këtë radhë me Meireles për të barazuar shifrat në 2-2 që mbetën të tilla deri në fundin e takimit.

Te tjera

Lajme te tjera