E premte, 17 Prill, 2026

Berisha: Me datën 17 prill, Shqipëria në Tiranë për dorëheqjen e Edi Ramës! Shpresa e vetme e shqiptarëve mbetet opozita

Share

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, zhvilloi një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale ditën e sotme, ku komentoi zhvillimet e fundit politike dhe paraqiti qëndrimet e opozitës për situatën në vend. Në fokus të fjalës së tij ishte protesta e 22 marsit, të cilën ai e cilësoi një jehonë të gjerë kombëtare dhe ndërkombëtare.

Lideri demokrat tha se, kjo protestë shërbeu për të denoncuar korrupsionin sistemik dhe kapjen e institucioneve nga qeveria e Edi Ramës. Ai akuzoi mazhorancën për kontroll të sistemit të drejtësisë dhe për përdorim të pushtetit për të mbrojtur zyrtarë të përfshirë në afera korruptive.

Gjatë fjalës së tij, Berisha u ndal edhe te roli i mediave, duke theksuar se një pjesë e tyre kanë shmangur raportimin e çështjeve të rëndësishme, përfshirë dhe aferën “Rama-Balluku”. Ai e konsideroi këtë si presion dhe ndikim të qeverisë mbi hapësirën mediatike.

Në përgjigje të interesit të qytetarëve për format e protestës, Berisha mbrojti aksionin aktual opozitar, duke theksuar se protestat kanë arritur të ndërkombëtarizojnë çështjet e ngritura nga opozita, edhe pse nuk kanë çuar ende në largimin e qeverisë.

Kryetari i PD sqaroi konceptin e “kilometrit të fundit”, duke argumentuar se opozita ka kaluar një sërë betejash politike dhe institucionale ndër vite dhe tashmë është përqendruar në një objektiv të vetëm: largimin e qeverisë dhe garantimin e zgjedhjeve të lira.

Berisha paralajmëroi vijimin e protestave dhe bëri thirrje për pjesëmarrje në protestën e 17 prillit, duke e cilësuar atë si një moment kyç për opozitën.

Një pjesë e rëndësishme e bashkëbisedimit iu kushtua programit ekonomik dhe social të Partisë Demokratike. Kryetari i PD, Sali Berisha premtoi vendosjen e minimumit jetik, rritje të menjëhershme të pagave dhe pensioneve, si dhe masa për uljen e çmimeve, veçanërisht të karburanteve. Ai theksoi se një qeveri e drejtuar nga PD do të synojë përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe arsimore, duke garantuar furnizimin me barna për pacientët dhe rritjen e pagave për mësuesit.

Gjithashtu, Berisha ngriti shqetësimin për nivelin e varfërisë dhe emigracionin, duke premtuar politika që synojnë kthimin e emigrantëve dhe krijimin e kushteve më të mira ekonomike në vend.

Lideri historik i PD, Sali Berisha trajtoi edhe çështjen e pronës private, duke akuzuar qeverinë për ndërhyrje të padrejta dhe favorizim të interesave klienteliste. Ai premtoi rishikim të ligjeve që lidhen me investimet strategjike. Në lidhje me sistemin e patronazhistëve, ai deklaroi se do të konsiderohet si shkelje e rëndë dhe do të trajtohet ligjërisht në të ardhmen.

Sa i përket çmimeve të karburanteve, Berisha premtoi se ato do të ulen në nivele të krahasueshme me vendet e rajonit, duke e konsideruar çmimin aktual si barrë për ekonominë familjare dhe biznesin.

Në përmbyllje të bashkëbisedimit me qytetarët, Kryetari i PD, Sali Berisha u bëri thirrje qytetarëve të angazhohen më aktivisht në jetën publike dhe të mos qëndrojnë indiferentë ndaj zhvillimeve politike. Ai theksoi se ndryshimi kërkon pjesëmarrje të gjerë dhe mobilizim qytetar.

Berisha e mbylli fjalën duke ftuar qytetarët të marrin pjesë në protestën e 17 prillit, të cilën e cilësoi si një moment vendimtar në përballjen e opozitës me qeverinë e Edi Ramës.

Te tjera

Lajme te tjera