E premte, 17 Prill, 2026

“Pse qesh? Je më keq ti” / Plas keq mes Ramës dhe Spiropalit në mbledhjen e Grupit të PS-së, kryeministri–deputetes: Mos e hap gojën! Kur jam unë këtu, ti mos fol! Do të nxjerr jashtë!

Share

Konflikti mes Edi Ramës dhe Elisa Spiropalit ka dalë sheshit. Largimi i saj nga posti i ministres së Jashtme solli qejfmbetje, ndërsa zhvillimet e sotme tregojnë për një përplasje të hapur.

Edi Rama mblodhi sot grupin parlamentar të PS, ku raportoi drejtoresha e Kadastrës. Mirëpo mbledhja nuk ka shkuar dhe aq vaj.

Sipas burimeve, gjatë raportimit të Lorena Goxhobellit, Spiropali ndërhyri duke kërkuar ndryshim toni ndaj deputetëve. “Pak më shumë respekt për deputetët, mos na fol ashtu se jemi deputetë”, mësohet të ketë thënë ajo.

Në këtë pikë ndërhyri vetë Edi Rama. Sipas burimeve, ai iu drejtua Spiropalit me fjalët: “Ti në prezencën time nuk komunikon, sidomos kur unë jam këtu”.

Përplasja vijoi edhe gjatë prezantimit të strategjisë së komunikimit nga ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili. Teksa ajo fliste, Spiropali ka reaguar me të qeshur, ndërsa Ismaili iu drejtua: “Zonja Spiropali, nuk e di çfarë keni për të qeshur”.

Më pas Spiropali ka deklaruar “më fal”, teksa ka ndërhyrë sërish Rama: “Pse zgërdhihesh? Ti je më keq.” Përplasja mes Ismailit dhe Spiropalit nuk ka mbaruar me kaq, pasi ministrja e Shtetit ka këmbëngulur në kërkimin ndjese.

Po ashtu, edhe në një moment tjetër gjatë kohës kur Spiropali përdorte telefonin, ka pasur një tërheqje vëmendjeje nga Rama. Por ajo nuk i ka kthyer përgjigje fillimisht, por ka bërë disa mimika në fytyrë. Më pas i është kthyer Ramës: “Nëse ke diçka për të thënë thuaje”.

Ndërsa kryeminsitri i është përgjigjur: “Mos më provoko se do të nxjerr jashtë”.

Element tjetër interesant është se Elisa Spiropali ishte ulur në fund të sallës, krah Zegjine Çaushit.

Elisa Spiropali ka qenë një nga njerëzit më të afërt të Edi Ramës. Nga drejtoreshë dogane, ajo u bë më pas deputete, ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin, kryetare e Kuvendit dhe në fund ministre e Jashtme. Por duket se diçka u thye. Në mbledhjen e grupit që Rama mbajti po te Pallati i Brigadave më 23 shkurt, bëri disa ndryshime në qeveri dhe mes emrave të larguar ishte edhe Spiropali. Në vend të saj u vendos Ferit Hoxha. Nga të gjithë emrat, largimi i saj ishte më i paprituri. Kjo gjë solli edhe aludime më pas, teksa u përfol edhe për një mosmarrëveshje mes saj dhe Ballukut.

Ajo që shtoi dyshimet ishte fakti që Spiropali bojkotoi seancën kur u vendos që të rrëzohej kërkesa e SPAK për arrestimin e Ballukut. Pas bojkotit, pati një reagim nga Taulant Balla, i cili deklaroi se do të diskutohet në grup për këtë thyerje të urdhrit. Por Spiropali iu përgjigj ashpër nga Facebook duke dhënë sinjalin e parë të hapur se kemi një konflikt brenda PS. Sot Spiropali priste që të flitej për të, por si duket kjo u shmang. Megjithatë ajo është bërë protagoniste, duke sinjalizuar se gjërat në PS kanë filluar të lëvizin.

Te tjera

Lajme te tjera