Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, ka komentuar situatën politike në vend. Përmes një shënimi në rrjetet sociale, z. Koçi shprehet se zhvillimet e fundit brenda PS, nga përplasjet mes Elisa Spiropali dhe Taulant Balla, deri te refuzimi i kërkesës së Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për arrestimin e Belinda Balluku, kanë sjellë debate të forta politike. Ai thekson se këto çështje duhen trajtuar me pjekuri dhe pa krijuar perceptime të gabuara për përçarje në grupin parlamentar socialist. Sipas tij, përgjigjet publike të përfaqësuesve të Partisë Socialiste kanë qenë në përgjithësi korrekte dhe nuk tregojnë për një luftë klanesh brenda partisë. Nga ana tjetër, ish-deputeti Koçi ndalet edhe te opozita, duke theksuar se ajo vijon të perceptohet si e dobët dhe e paqartë në qëndrimet e saj. Ai kritikon drejtpërdrejt kryedemokratin Sali Berisha, duke thënë se nën drejtimin e tij, Partia Demokratike nuk ka arritur të fitojë besimin e publikut. Sipas Koçit, pretendimet për manipulim zgjedhjesh bien poshtë edhe nga vetë deklaratat e strukturave të PD në terren. Ndërkohë ai shton se zgjedhjet vendore pritet të fitohen nga PS-ja në shumicën e bashkive, për shkak të mungesës së konkurrencës reale nga opozita. Në të njëjtën kohë, ish-deputeti socialist, Petro Koçi paralajmëron se retorika ndaj institucioneve të drejtësisë mund të ketë pasoja për procesin e integrimit të vendit. Në fund, ai lë të kuptohet se për kreun e PD, Sali Berisha po afrohet një “surprizë e hidhur” në zhvillimet e ardhshme politike. Më poshtë po pasqyrojmë reagimin e plotë të ish-ligjvënësit të Partisë Socialiste, Petro Koçi.
Reagimi i ish-deputetit të PS, Petro Koçi në “Facebook”
1. Pas kaq vitesh qeverisjeje nga mazhoranca, presupozohet që, në perceptimin publik, opozita të konsiderohej më e ndershme se qeveria. Por, me Saliun në krye, PD vijon të konsiderohet e korruptuar dhe aspak e ndershme.
2. Vetë PD po konstaton se shumë përfaqësues të saj në të gjithë vendin paskan punuar për PS në fushatën elektorale. Atëherë pretendimi i saj se zgjedhjet janë vjedhur bie vetiu poshtë.
3. Ndryshimi i drejtuesve politikë në Durrës dhe Shkodër është i logjikshëm. Përpara janë zgjedhjet vendore dhe nuk mund të kemi kryetarë aktualë bashkish, potencialisht kandidatë, në krye të qarqeve, sepse do binin në konflikt interesi.
4. Mungesa e Spiropalit në votimin e imunitetit të Ballukut nuk hyn në rastet që përcakton statuti me përjashtim. Prandaj ky rast duhet trajtuar me pjekuri dhe urtësi. Përgjigjja e Ballës ndaj pyetjes së gazetarit ishte korrekte. Nuk mendoj se ka luftë klanesh në grupin parlamentar.
5. Ndryshimet në qeveri sollën disa ministra nga veriu në përbërje të kabinetit. E konsideroj lëvizje pozitive. Për emrat nuk kam komente, sepse nuk i njoh.
6. Berisha kërkon senat sepse shpreson të jetë senator me imunitet të përjetshëm. Parlamenti mund të reduktohet, por numri i ri duhet të garantojë përfaqësim të krahinave dhe pluralizëm politik. Pra duhet racionalitet. Pakësimi i numrit të deputetëve gjen mbështetje të madhe në elektorat. Është ide tërheqëse në një referendum.
7. Nuk votova ndryshimet kushtetuese të 21 prillit 2008, sepse ishte tradhti ndaj Kushtetutës që votoi populli më 22 nëntor 1998 dhe tradhti ndaj rolit të policisë për ruajtjen e rendit ditën e referendumit.
8. Nëse Balluku do të kishte dhënë dorëheqjen që kur i filloi çështja penale, do të ishte shmangur qarku i debateve të pafrytshme gjatë këtyre muajve.
9. Shpresoj që retorika ndaj SPAK dhe GJKKO të mos sjellë pasoja për integrimin.
10. “Mosbashkëpunimin” e PD me bandat elektorale e kam hequr në kurrizin tim.
11. Zgjedhjet vendore i fiton PS thuajse në të gjitha bashkitë. Shqipërisë i intereson një opozitë më konkurruese. Kjo e sotmja nuk mundet.
12. Protestat e PD janë të dështuara. Ato vetëm ia marrin shpirtin shpirtit të protestës”, shkroi dje ish-deputeti i PS, Petro Koçi në “Facebook”. /gazeta sot/
