Avokati i njohur, Edmond Petraj ka komentuar kalimin e dosjes “CEZ-DIA” për gjykim, duke e cilësuar këtë fazë si një moment kyç në procesin ndaj ish-presidentit Ilir Meta. Sipas tij, dërgimi i çështjes nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) nuk është një procedurë e zakonshme, por një tregues i qartë se hetimi ka prodhuar një bazë të fortë provash. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, avokat Petraj thekson se tashmë çështja ka kaluar nga niveli i dyshimeve në një akuzë të strukturuar që do të përballet me testin e gjykatës.
Nga ana tjetër, Meta dhe Monika Kryemadhi vijojnë të mohojnë çdo shkelje dhe e konsiderojnë procesin të motivuar politikisht. Megjithatë, sipas avokatit, në këtë fazë gjithçka varet nga forca e provave dhe jo nga deklaratat publike. Ai nënvizon se provat financiare dhe lidhja e drejtpërdrejtë me vendimmarrjen janë thelbësore për fatin e çështjes. Intervista gjithashtu nxjerr në pah se gjykata do të vlerësojë vetëm fakte konkrete dhe jo narrativa politike. Sipas z. Petraj, nëse akuzat për korrupsion dhe pastrim parash provohen, pasojat për të pandehurit mund të jenë të rënda. Bëhet fjalë jo vetëm për dënime me burg, por edhe për konfiskim pasurie dhe goditje të fortë ndaj karrierës politike.
-Avokat Petraj, dosja e aferës “CEZ-DIA” tashmë ka kaluar për gjykim në GJKKO, ndërkohë që Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi vijojnë të mohojnë çdo shkelje të ligjit dhe e cilësojnë procesin si të motivuar politikisht. Çfarë do të thotë konkretisht kalimi i çështjes për gjykim – sa të forta duhet të jenë provat që SPAK të arrijë në këtë fazë?
Kalimi i një dosjeje për gjykim në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) nuk është një veprim formal apo rutinë burokratike. Është një filtër i fortë juridik që tregon se hetimi ka kaluar nga faza e dyshimit në fazën e akuzës së mbështetur me prova. Në mënyrë shumë të drejtpërdrejtë: Prokuroria e Posaçme (SPAK) nuk e çon një çështje në gjykim për “ta provuar nëse ka faj”, por sepse ka arritur në bindjen se ka prova të mjaftueshme për ta provuar fajësinë përtej dyshimit të arsyeshëm gjatë procesit gjyqësor. Çfarë do të thotë kjo në praktikë? Hetimi është mbyllur: nuk jemi më në fazë kërkimi provash, por në fazë përballjeje me to. Akuza është e strukturuar: nuk bëhet fjalë për indicie apo hamendësime, por për një narrativë të plotë juridike të mbështetur në prova konkrete (dokumente, transaksione, dëshmi, ekspertiza). Ekziston “probable cause” i fortë: në standard juridik, kjo do të thotë që një prokuror serioz beson se ka baza reale për dënim. Gjykata ka bërë një kontroll paraprak: kalimi në gjykim nuk ndodh pa u verifikuar që akuza nuk është e pabazë.
Pra, ideja që “u çua në gjykim dhe tani do shohim nëse ka prova” është e pasaktë. E vërteta është e kundërta: çështja shkon në gjykim sepse provat tashmë ekzistojnë dhe konsiderohen të mjaftueshme për t’u testuar publikisht në një proces kontradiktor. Sa të forta duhet të jenë provat? Duhet të jenë të ligjshme (të marra sipas procedurës); Duhet të jenë të mjaftueshme (jo të pjesshme apo fragmentare); Duhet të jenë të ndërlidhura (të krijojnë një zinxhir logjik, jo thjesht episode të izoluara). Duhet të jenë bindëse (të përballojnë kundërshtimin e mbrojtjes në gjykatë). Në këtë kontekst, mohimi publik nga të pandehurit si në rastin e Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, është një e drejtë legjitime dhe pjesë e strategjisë së mbrojtjes. Por juridikisht, ai nuk e zhbën faktin themelor, një akuzë nuk arrin në këtë fazë pa kaluar një prag serioz prove. Për ta thënë edhe më qartë: Kalimi për gjykim nuk është provë e fajësisë, por është provë që akuza nuk është as e dobët, as e rastësishme, as politike në vetvete përndryshe nuk do të kalonte filtrin procedural. Në fund, vendimin e jep vetëm gjykata. Por fakti që çështja është në këtë pikë do të thotë se beteja nuk është më politike është thellësisht juridike dhe do të fitohet ose humbet vetëm me prova.
-Nga ajo që është bërë publike, a kemi të bëjmë me një skemë të mirëfilltë korrupsioni dhe pastrimi parash apo ende jemi në nivel dyshimesh që duhet të provohen në gjykatë?
Nëse i qëndrojmë strikt logjikës juridike dhe asaj që është bërë publike deri tani, përgjigjja e saktë është kjo: jemi përballë një akuze të strukturuar për një skemë të mundshme korrupsioni dhe pastrimi parash, por që ende duhet të provohet në gjykatë. Le ta ndajmë pa mjegull… E para, çfarë tregon faza ku ndodhet çështja. Fakti që dosja ka kaluar për gjykim në GJKKO, me akuzë të ngritur nga SPAK, do të thotë se nuk jemi më në nivel “thashethemesh” apo dyshimesh të paorganizuar dhe se prokuroria pretendon se ekziston një skemë konkrete, jo episode të shkëputura. Ka një narrativë të plotë financiare dhe juridike (rrjedhë parash, ndërmjetës, vendimmarrje). Pra, nuk është më dyshim i thjeshtë, por akuzë e konsoliduar. E dyta a është provuar që kemi korrupsion dhe pastrim parash? Jo ende, dhe kjo është thelbësore. Në këtë fazë se provat janë të mjaftueshme për të akuzuar, jo automatikisht për të dënuar.
Çdo element (korrupsioni, përfitimi i paligjshëm, fshehja/pastrimi i parave) duhet të provohet përtej çdo dyshimi të arsyeshëm në gjykim. Mbrojtja ka të drejtë t’i rrëzojë, relativizojë ose shpërbëjë këto prova. Pra juridikisht, Akuzë e fortë dhe fajësi e provuar. E treta a kemi elementë tipikë të një “skeme”? Nga ajo që zakonisht përbën këto dosje (dhe aq sa është bërë publike), një skemë e mirëfilltë do të kërkonte, Vendimmarrje të ndikueshme nga funksionarë publikë. Kalim parash në mënyrë të strukturuar (kontrata, ndërmjetës, kompani). Tentativë për të fshehur origjinën e tyre (element i pastrimit të parave). Nëse këto lidhen në një zinxhir logjik dhe provohen, atëherë kemi “skemë”. Nëse jo, çështja bie ose dobësohet ndjeshëm. E katërta është dimensioni politik vs juridik. Deklarimet nga Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi që e cilësojnë procesin politik janë pjesë e mbrojtjes publike. Por, Gjykata nuk vendos mbi perceptime politike. Vendos vetëm mbi prova të verifikueshme dhe të ligjshme. Nga faza procedurale dhe materialet e publikuara, kemi të bëjmë me pretendim serioz për një skemë korrupsioni dhe pastrimi parash. Jo, ende nuk mund të thuhet juridikisht që kjo skemë ekziston sepse kjo provohet vetëm në gjykim. Me një fjalë, çështja nuk është më “a ka dyshime”, por “a do t’i mbijetojnë provat testit brutal të gjykatës”.
-Sa vendimtare janë provat financiare dhe lidhja direkte e zyrtarit me to në raste si ky?
Në çështje si kjo, provat financiare dhe lidhja direkte e zyrtarit me to janë pika që vendosin fatin e gjithë dosjes. Pa to, akuza mbetet teori; me to, bëhet strukturë e provueshme. Pse janë kaq vendimtare? Sepse krimet si korrupsioni dhe pastrimi i parave nuk provohen me perceptime, por me rrjedhë konkrete parash. SPAK duhet të tregojë jo vetëm që “ka ndodhur diçka e dyshimtë”, por: nga erdhën paratë, ku kaluan. Kush i kontrollonte realisht. Kush përfitoi në fund. Kjo quhet “ndjekja e parasë” dhe është shtylla e çdo akuze serioze. Lidhja direkte dhe se thelbi i çështjes është nëse nuk provohet lidhja direkte (ose të paktën një lidhje e fortë indirekte) mes zyrtarit dhe përfitimit. Çështja dobësohet ndjeshëm.
Mund të mbetet në nivel dyshimi ose përgjegjësie politike, jo penale. Për këtë arsye, në GJKKO kërkohet. Prova që zyrtari ka pasur dijeni. Prova që ka ndikuar në vendimmarrje. Prova që ka përfituar (drejtpërdrejt ose përmes të tretëve). Një gabim i zakonshëm është të mendohet se mjafton të tregosh lëvizje të çuditshme parash. Jo. Gjykata kërkon një zinxhir logjik të mbyllur: Vendim publik – përfitim privat – kanal financiar – lidhje me zyrtarin. Nëse një nga këto hallka mungon ose është e dobët, mbrojtja e rrëzon gjithë strukturën. Sa “direkte” duhet të jetë lidhja? Jo domosdoshmërisht para në xhep. Në praktikë mjafton që të provohet, Kontroll përmes personave të besuar. Përfitim për familjarë apo subjekte të lidhura. Ndikim i qëllimshëm në vendimmarrje që sjell përfitim. Pra, edhe lidhja indirekte mund të jetë fatale, nëse provohet mirë. Provat financiare janë skeleti i çështjes; lidhja me zyrtarin është zemra e saj. Pa skelet, çështja rrëzohet. Pa zemër, ajo nuk jeton. Me një fjalë nëse paraja nuk lidhet dot me vendimin dhe vendimi me personin, nuk ka dënim ka vetëm dyshim.
-Në aspektin juridik, sa peshë kanë deklaratat e Metës dhe Kryemadhit që flasin për ‘drejtësi me regji’ dhe presion politik?
Në planin juridik, deklaratat për “drejtësi me regji” apo presion politik kanë peshë shumë të kufizuar—pothuajse zero—nëse nuk mbështeten me prova konkrete. Të futemi analitikisht, parimi bazë gjykata nuk gjykon deklarata, por prova Në GJKKO, procesi vendoset mbi prova materiale, dokumente financiare, dëshmi të verifikueshme, akte procedurale. Jo mbi deklarata publike apo narrativa politike. Pra, çfarë thonë Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi në media, nuk rrëzon dhe as nuk forcon automatikisht akuzën. E dyta kur marrin vlerë juridike këto pretendime? Vetëm nëse shndërrohen në pretendime të provueshme proceduralisht, p.sh., prova për ndërhyrje konkrete politike te SPAK shkelje të rënda procedurale (p.sh. përgjime të paligjshme, manipulim provash), presion i dokumentuar mbi prokurorë apo gjyqtarë.
Vetëm atëherë mund të themi se kërkohet pavlefshmëri provash kërkohet përjashtim i trupës gjykuese cenohet gjithë procesi. E treta është roli real i këtyre deklaratave. Në praktikë, ato kanë më shumë funksion, politik (mobilizim publik), mediatik (ndërtim narrative), strategjik (krijim presioni indirekt). Por jo juridik, nëse nuk pasohen nga prova. E katërta ndodh se rreziku për mbrojtjen dhe nëse mbrojtja mbështetet vetëm te narrativa e “procesit politik” pa prova, nuk ndikon në vendimin e gjykatës, madje mund të perceptohet si shmangie nga thelbi, provat. Në gjykatë, “drejtësia me regji” nuk është argument, është vetëm slogan, derisa të provohet. Ose e provon presionin politik me fakte konkrete dhe e kthen në çështje procedurale, ose mbetet thjesht retorikë që nuk ndryshon asnjë gram peshën e provave kundër teje.
-Nëse akuzat provohen, cilat janë pasojat më të rënda që mund të përballen—dënime me burg, konfiskim pasurie apo masa të tjera?
Nëse akuzat për korrupsion dhe pastrim parash provohen në gjykim, pasojat juridike janë të shumëfishta dhe kumulative, jo vetëm burg. Në praktikë, goditja është penale, pasurore dhe civile njëkohësisht. Duke filluar te dënimi me burg (bërthama e përgjegjësisë penale). Për vepra si korrupsioni i nivelit të lartë dhe pastrimi i parave, dënimet janë zakonisht, disa vite deri në dy shifra (10+ vite) në rastet e rënda rriten nëse provohet, fakti.
- rol drejtues në skemë
- përfitim i madh financiar
- bashkëpunim i strukturuar (rrjet)
Pra, nëse provohet një “skemë”, dënimi nuk është minimalbështë maksimalizues. E para konfiskimi i pasurisë (goditja më e fortë reale). Ky është shpesh efekti më i rëndë në praktikë.
Gjykata në GJKKO mund të urdhërojë: Konfiskim të çdo pasurie të lidhur me veprën penale, Jo vetëm pasuri direkte, por edhe, në emër të familjarëve, në emër të kompanive të lidhura, të fshehura përmes ndërmjetësve. Pra, nuk mjafton të mos i kesh në emrin tënd nëse provohet kontrolli real, ato merren. E dyta është se ndalimi nga funksionet publike bëhet fjalë për funksionarë:
- Heqje e së drejtës për të ushtruar funksione publike
- Për një periudhë të gjatë, ose edhe përfundimisht në disa raste
- Kjo është goditje direkte ndaj karrierës politike/institucionale.
E treta dalim tek gjoba dhe detyrime financiare:
- Përveç burgut dhe konfiskimit, kemi
- Gjoba të konsiderueshme
- Mund të kërkohet edhe, kthimi i përfitimit të paligjshëm dëmshpërblim ndaj shtetit
E katërta sepse dua ta bej analitike jane efektet zinxhir. Pasojat nuk mbarojnë te vendimi penal,
- Humbje reputacioni publik dhe politik
- Hetime të tjera të mundshme (nëse dalin fakte të reja)
- Probleme ndërkombëtare (hetime, kufizime udhëtimi, etj.)
Nëse një skemë e tillë provohet për figura si Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi:
- Nuk do të ishte thjesht një dënim individual, por një goditje e plotë: liri + pasuri + karrierë
- Në këto çështje, burgu është vetëm fillimi konfiskimi i pasurisë dhe ndalimi nga pushteti janë goditjet që ndryshojnë realisht jetën.
- Pra nëse provohet skema, nuk humbet vetëm lirinë humbet gjithçka që ajo skemë ka ndërtuar.
-Sa e vështirë është të provohet përgjegjësia personale e një ish-zyrtari të lartë në skema të tilla komplekse?
Është shumë e vështirë, dhe pikërisht këtu fitohet ose humbet një çështje e madhe. Të provosh që “ka ndodhur një skemë” është një gjë; të provosh që një individ konkret, në nivel të lartë, mban përgjegjësi penale personale është një nivel krejt tjetër.
Mund pyetja sqaruese pse është kaq e vështirë?
Së pari distanca nga veprimi konkret
Zyrtarët e lartë rrallë firmosin apo marrin para drejtpërdrejt. Vendimmarrja kalon në disa nivele.
vartës
institucione ndërmjetëse
procedura formale
Kjo krijon një “buffer” juridik mes tyre dhe veprës penale.
E dyta mungesa e provës direkte:
- Rrallë ekziston një provë “e pastër” (p.sh. një transfertë direkte në emrin e tyre).
- Prokuroria duhet të ndërtojë, prova indirekte, lidhje logjikë, korrelacione kohore dhe financiare dhe t’i kthejë në një zinxhir që nuk çahet.
- Se treti është se strukturat e ndërmjetësve ku në skema komplekse përdoren.. persona të tretë, kompani “guackë”, kontrata formalisht të rregullta
- Kjo e bën shumë të vështirë të provosh kontrollin real të zyrtarit mbi përfitimin.
E katërta është tek standardi i lartë i provës:
- Në GJKKO nuk mjafton dyshimi i fortë. por duhet, provë “përtej çdo dyshimi të arsyeshëm”
- lidhje e qartë mes,
- vendimit publik
- përfitimit privat
- rolit personal të të pandehurit
Çfarë duhet të provojë konkretisht SPAK?
Për një ish-zyrtar të lartë, duhet të provohen të treja bashkë,
Dijenia – që ai e dinte për skemën
Pjesëmarrja ose ndikimi – që ka vepruar ose ka ndikuar në vendimmarrje
Përfitimi – direkt ose përmes të tretëve
Nëse mungon një nga këto, përgjegjësia penale dobësohet seriozisht.
Kur bëhet e provueshme?
Rastet forcohen shumë kur ka,
Gjurmë financiare të ndërlidhura
Komunikime (mesazhe, përgjime) që tregojnë dijeni/urdhra
Dëshmi bashkëpunëtorësh (insider)
Vendime të pashpjegueshme ekonomikisht që lidhen me përfitime konkrete
Pra sa më i lartë niveli i zyrtarit, aq më e lartë është barriera e provës. Shkurtimisht nuk mjafton të tregosh që sistemi është korruptuar por duhet të provosh që personi në majë jo vetëm e dinte, por e drejtonte ose përfitonte prej tij. Pa këtë lidhje personale, çështja nuk mban.
-Avokat Petraj, në këtë fazë—bazuar në atë që dihet publikisht—kjo çështje duket më shumë si një betejë që do vendoset nga provat në gjykatë apo nga narrativa politike jashtë saj?
Në këtë fazë, pavarësisht zhurmës publike, kjo është një betejë që do të vendoset nga provat në gjykatë, jo nga narrativa politike jashtë saj. Kalimi i dosjes në GJKKO nga SPAK do të thotë se loja ka hyrë në terren krejtësisht tjetër, nga perceptimi publik deri te verifikimi juridik i provave. Pse narrativa politike nuk e vendos çështjen. Sepse deklaratat për “proces politik”, “drejtësi me regji” apo mbrojtjet publike nga Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, ndikojnë opinionin publik krijojnë presion dhe klimë politike, mund të kenë efekt indirekt në perceptim. Por, nuk kanë peshë vendimmarrëse në sallën e gjyqit, nëse nuk shndërrohen në prova konkrete procedurale. Ku vendoset realisht beteja? Në gjykatë, gjithçka reduktohet në disa pyetje thelbësore.
- A ekziston një skemë e provuar financiare?
- A lidhet ajo në mënyrë të qartë me vendimmarrje publike?
- A provohet përgjegjësia personale e të pandehurve?
- A qëndron zinxhiri i provave pa u çarë nga mbrojtja?
Nëse përgjigjet janë “po”, narrativa bie. Nëse jo, narrativa politike mund të fitojë terren publik, por jo juridik.
Megjithatë, duhet pranuar një e vërtetë se jashtë gjykatës është betejë narrative dhe politike. Brenda gjykatës është betejë e pastër provash. Dhe këto dy botë shpesh ecin paralelisht, por nuk përputhen në rezultat.
Vendimi nuk do të vijë nga kush flet më fort, por nga kush provon më mirë. Me një fjali të drejtpërdrejtë: Narrativa mund të ndikojë perceptimi por vetëm provat vendosin fatin.
-A është ky një test real për drejtësinë e re në Shqipëri—pra a do të shohim një standard të ri për zyrtarët e lartë?
Po e them me plot bindjen se është një test real, ndoshta ndër më domethënësit, për atë që quhet “drejtësia e re” në Shqipëri. Jo për retorikë, por për standardin praktik që do të vendoset ndaj zyrtarëve të lartë.
Pse konsiderohet test?
Sepse kemi tre elementë kritikë njëkohësisht,
Profil i lartë politik (figura si Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi)
Akuza komplekse financiare (që kërkojnë prova të thella, jo simbolike)
Institucione të reja që duhet të provojnë pavarësinë dhe profesionalizmin (SPAK dhe GJKKO)
Këto bashkë krijojnë një situatë ku çdo vendim do të lexohet si precedent.
Çfarë do të thotë “standard i ri” në praktikë? Jo thjesht dënime. Standardi matet me:
Cilësinë e hetimit (a është i thellë apo selektiv?) Forcën e provave (a mbajnë në gjykatë apo bien?)
Barazinë para ligjit (a trajtohen njësoj të fortët dhe të dobëtit?) Respektimin e procedurës (pa shkelje që rrëzojnë çështjen)
Dy janë mendoj se janë skenarë të mundshëm
E para nëse akuzat provohen fort dhe procesi është i pastër,
Vendoset një standard i ri real dhe se mesazhi është, “Asnjë nivel politik nuk është mbi ligjin” pra forcohet besimi te drejtësia
E dyta është nëse çështja bie nga mungesa provash ose probleme procedurale,
Dëmtohet kredibiliteti i sistemit
Krijohet perceptimi i “drejtësisë selektive” ose të dobët
Narrativa politike fiton terren
Thelbi i provës
Ky nuk është test për të “dënuar me çdo kusht”, por për të treguar që sistemi:
di të godasë kur ka prova
dhe di të mos dënojë kur provat nuk mjaftojnë
Po e them me bindje te plotë se ky është një provim real për drejtësinë e re, por nota nuk do të jepet nga rezultati (dënim apo jo), por nga cilësia dhe integriteti i procesit.
Standardi i ri nuk matet me sa lart godet drejtësia, por me sa drejt dhe me prova të pakundërshtueshme godet.
-Nëse kjo çështje nuk përfundon me dënime, a rrezikon të dëmtohet besimi te SPAK dhe GJKKO?
Po mendoj se rreziku ekziston, por vetëm nëse mungesa e dënimeve perceptohet si pasojë e një procesi të dobët, jo si rezultat i një gjykimi korrekt mbi prova të pamjaftueshme. Ku qëndron dallimi thelbësor. Publiku shpesh e barazon “drejtësinë” me “dënimin”. Por juridikisht, SPAK ka detyrë të provojë akuzën. GJKKO ka detyrë të vendosë mbi prova. Nëse provat nuk arrijnë standardin “përtej çdo dyshimi të arsyeshëm”, mosdënimi është vendim i drejtë, jo dështim në vetvete. Kur dëmtohet realisht besimi? Besimi goditet nëse krijohet një nga këto perceptime, por dhe se hetim i dobët ose selektiv (çështja nuk është ndërtuar siç duhet). Shkelje procedurale që çojnë në pavlefshmëri. Pritshmëri të ngritura publikisht pa bazë të fortë. Në këto raste, publiku nuk sheh “drejtësi që respekton standardin”, por “drejtësi që nuk mban dot çështjet”. Tani kapim rastin kur nuk dëmtohet besimi? Përkundrazi, besimi mund të rritet, edhe pa dënime, nëse, Procesi është transparent dhe i argumentuar fort. Gjykata shpjegon qartë pse provat nuk mjaftojnë. Tregohet që sistemi nuk dënon për efekt publik, por vetëm mbi prova. Kjo është shenjë maturie institucionale. Problemi real: pritshmëria publike. Kur përballen figura të profilit të lartë si Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, pritshmëria është pothuajse automatike për dënim. Nëse kjo pritshmëri nuk menaxhohet me komunikim të qartë juridik, çdo rezultat tjetër shihet si dështim edhe kur nuk është. Po, besimi mund të dëmtohet por jo nga mungesa e dënimit në vetvete; nga mungesa e provave të forta ose nga mënyra si është ndërtuar dhe shpjeguar çështja. Pra drejtësia humbet besimin jo kur nuk dënon, por kur nuk bind pse nuk dënoi.
-Dhe nëse përfundon me dënime – sa precedent i fortë do të krijonte kjo për politikanët e tjerë në Shqipëri?
Nëse përfundon me dënime të bazuara në prova të forta, precedenti do të ishte shumë i fuqishëm ndoshta më i forti i viteve të fundit për politikën shqiptare. Pse do të ishte precedent real? Sepse nuk do të ishte thjesht një dënim, por një standard i ri veprimi nga SPAK dhe GJKKO; Niveli i lartë nuk garanton imunitet praktik; Skemat komplekse financiare mund të çmontohen; Përgjegjësia personale mund të provohet edhe pa “kapje në flagrancë”; Çfarë ndryshon konkretisht për politikanët e tjerë? E para ndodh se rritet kostoja reale e korrupsionit. Jo më vetëm rrezik reputacional, por, burg real, konfiskim pasurie, fund karriere. Tjetër ndodh se ndryshon mënyra e operimit. Edhe në mënyrë cinike, bëhen më të kujdesshëm, shmangin gjurmët direkte. Por kjo vetë është efekt: frikë reale nga ndjekja penale. E para forcohet vetëcensura institucionale. Vendimmarrja publike bëhet: më e dokumentuar, më e mbrojtur ligjërisht, më pak arbitrare. E dyta hapet rruga për çështje të tjera Një dënim i fortë krijon: precedent praktik për hetime të ngjashme, guxim institucional për të prekur nivele të tjera të larta. Por ka një kusht kyç. Forca e precedentit varet nga cilësia e procesit. Nëse dënimi është i pastër, i argumentuar dhe i pakontestueshëm kemi precedent i fortë dhe i qëndrueshëm. Nëse shihet si i dobët apo i motivuar precedent i brishtë, madje kundër produktiv. Një dënim do të ishte sinjal i qartë se loja ka ndryshuar, nëse kjo çështje mbyllet me dënime të forta dhe të provuara, mesazhi për çdo politikan është i thjeshtë pushteti nuk është më mburojë, por përgjegjësi me kosto reale.
Intervistoi: Rigels Seliman
