E premte, 17 Prill, 2026

Asambleja/ Rama ndryshon drejtuesit e 6 qarqeve! Konfirmohet Balluku, ikën Spiropali! Tiranën e merr Balla! Dy ministrat e rinj, Karakaçi në Shkodër e Nufi në Lezhë

Share

Në Asamblenë e PS-së mbajtur në Gjirin e Lalzit, socialistët bënë ndryshime me drejtuesit politikë në qarqe, një vendim ky që lidhet me punën organizative për zgjedhjet vendore të 2027-ës. Elisa Spiropali ikën nga drejtimi i Tiranës, dhe qarku më i madh i vendit i besohet Taulant Ballës, i cili i forcon pozitat në parti, duke mbajtur kreun e grupit, dhe drejtimin e diasporës. Belinda Balluku rikonfirmohet në Fier, 2 ministave tw rinj u besohen 2 qarqe nw veri, ndërsa bashkë me Spiropalin, largohen edhe 3 drejtues të tjerë politikë.

***

Në një krahasim të votës për Partinë Socialistë nga zgjedhjet e 2021-shit në 2025-ës, Kukësi dhe Tirana janë qarqet e vetme që mes 2 garave të fundit parlamentare kanë humbur vota. Qarku më i madh i vendit rënie me 0.6% dhe qarku i veriut, më problematiku, me 5.1% më pak mbështetje elektorale.

Arsyeja kryesore për rezultatin e Tiranë, për kryesocialistin Edi Rama, dihet, dhe ajo lidhet së pari me arrestimin e kryebashkiakut, Erjon Veliaj, shkurtin e 2025-ës. 

“Ne jemi Partia Socialiste e Shqipërisë dhe ne duhet ta ngremë Tiranën më lart sesa mesi i atij klasifikimi. Me çdo kusht”, tha Rama. Mes këtyre kritikave, e  para lëvizje për të siguruar më shumë vota, nisi nga drejtuesit e qarkut, ndryshime që u zyrtarizuan në Asamblenë e Partisë Socialiste zhvilluar në Gjirin e Lalzit.

Elisa Spiropali u largua nga bashkëdrejtimi politik i Tiranës, duke i hapur rrugën Taulant Ballës në krye të qarkut. Ogerta Manastirliu, kandidatja e socialistëve në zgjedhjet e anuluara kur Kushtetuesja la në detyrë Erjon Veliajn, do të mbetet drejtuese politike për bashkinë. 

Elisa Spiropalit, e cila arriti majat e karrierës politike si kryetare e Parlamentit, më tej si ministre e Jashtme, por e shkarkuar një muaj më parë, i dobësohen pozitat edhe brenda partisë dhe i besohet vetëm drejtimi i njësisë numër 13 në Tiranë, bashkë me Anila Denajn.

Në të gjitha njësitë e Tiranës, janë angazhuar edhe figura të tjera të partisë socialiste, deputetë ministra e aktiviztë me profil të lartë. Synimi, blindimi politik i qakut ku lideri i PS-së nuk do të tolerojë gabime për zgjedhjet lokale të 2027.

Pa asnjë pozicion në qeveri, Belinda Balluku, të cilës socialistët i ruajtën imunitetin nga arrestimi i SPAK, vendim ky që u kritikua nga ndërkombëtarët dhe po qëndron ende si kauzë e opozitës për protesta, nuk lëkundet. Ajo mbetet drejtuese politike e Fierit, një qark me 6 bashki që edhe në analizat e brendshme të partisë, rezulton me rritjen më të madhe të votave, nga zgjedhjet e 2021-shit në 2025, pas Dibrës.

Pozitat më të forta iu besuan Taulant Ballës, kreut të grupit parlamentar socialist. Përveç qarkut të Tiranës, atij i është besuar edhe njësia numër 5 në Tiranë bashkë me Erion Braçen dhe veteranin e PS-së Fatmir Xhafajn. Balla ruan edhe statusin e koordinatorit të PS-së për diasporën, në një kohë kur edhe në Asamblenë socialiste u shpall prioritet afrimi i sa më shumë emigrantëve.

Dy ndryshime që bien në sy janë përfshirja e dy ministrave të rinj në drejtimin e qarkut Shkodër, që i besohet ministrit të Energjisë, Enea Karakaçi dhe Lezha ministrit të Mbrojtjes Ermal Nufi. Ky i fundit zëvendëson Ulsi Manjën, me një rezultat të fortë në Lezhë në zgjedhjet e 2025-ës, ku për 71 vota nuk e përmbysi dot rezultatin 4-3 për demokratët. Ulsi Manja do të rikthehet në Dibër, ku do të zëvendësojë Blendi Klosin.

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së Bendi Klosi ikën nga Dibra dhe do të drejtojë Durrësin, ndërsa Emirjana Sako do të merret vetëm me punët e Bashkisë në pritje të rikonfirmimit ose jo si kandidate e bashkisë buzë Adriatikut.

Kukësin, Hasin dhe Tropojën nuk do t’i udhëheqë më Eduart Shalsi, por tanimë stafetën e merr deputeti i ri Erion Malaj i cili në 11 maj u zgjodh deputet në qarkun e Tiranës.

5 drejtues të tjerë, nuk preken nga ndryshimet Arbian Mazniku në ElbasanErvin Demo në BeratBledi Çuçi në VlorëMirela Kumbaro në Gjirokastër dhe Niko Peleshi në Korçë.

Në Asamble u miratua edhe një pr.vendim për organizimin e partisë jashtë kufijve, ku PS synon të shtrijë strukturat e saj. Socialistët do të nisin një fushatë të gjerë regjistrimi të anëtarësisë në shtetet, ku jetojnë pjesa më e madhe e shqiptarëve, Itali, SHBA, Gjermani, Kanada, dhe Mbretëri e Bashkuar. Afati për regjistrimin e emigrantëve do të nisë më 30 mars dhe do të zgjasë deri më në 30 shtator, ndërsa regjistrimi është bërë më herët vetëm në Greqi.

“Zgjedhjet e reja vendore nuk kanë pjesëmarrje të diasporës, por ama zgjedhjet vendore janë momenti për t’i kthyer diasporës vëmendjen që meriton”, tha Rama.

Blendi Klosi la objektiv anëtarësimin e 4 anëtarëve të rinj (2 femra dhe 2 meshkuj) për çdo organizatë socialiste, ndërsa kryesocialisti Rama e quajti të pafalshme faktin që në PS vetëm 34% e anëtarësisë përbëhet nga gratë dhe kërkoi që këtë nivel ta çojnë në 50%. Kryetarëve të Bashkive iu vendosi ultimatum se nuk do t’i lejojë të kandidojnë në vendoret e 2027-ës, pa dhjetë kontrata të firmosura në kuadrin e Paketës së Maleve dhe pa tre ndërmarrje të përbashkëta të miratuara.

Ndryshimet në Qarqe

Qarku Tiranë – Taulant Balla– ikën Elisa Spiropali
Bashkia Tiranë – Ogerta Manastirliu

Qarku Durrës – Blendi Klosi- ikën Emirjana Sako

Qarku Lezhë – Ermal Nufi- zëvendëson Ulsi Manjën

Qarku Shkodër – Enea Karakaçi- ikën Benet Beci

Qarku Dibër – Ulsi Manja – zëvendëson Blendi Klosin

Qarku Kukës – Erjon Malaj– ikën Eduard Shalsi

Qarku Elbasan – Arbian Mazniku- Konfirmohet

Qarku Berat – Ervin Demo- Konfirmohet

Qarku Fier – Belinda Balluku- Konfirmohet

Qarku Vlorë– Bledi Çuçi- Konfirmohet

Qarku Gjirokastër– Mirela Kumbaro- Konfirmohet

Qarku Korçë– Niko Peleshi- Konfirmohet

Shpërndarja e deputetëve për Tiranën

Njësia 1- Lindita Nikolla

Njësia 2- Gent Gazheli, Delina Ibrahimaj dhe Olta Manjani

Njësia 3– Iris Luarasi dhe Edona Bilali

Njësia 4- Damian Gjiknuri dhe Blerina Gjylameti

Njësia 5– Erion Braçe, Taulant Balla dhe Fatmir Xhafaj

Njësia 6- Albana Koçiu, Endrit Yzeiraj, Megi Fino

Njësia 7– Sofan Jaupaj, Enkelejd Musabelliu

Njësia 8– Igli Hasani, Vilma Premti

Njësia 9– Ogerta Manastirliu, Olti Muzaka

Njësia 10- Besfort Lamallari

Njësia 11– Eduard Shalsi

Njësia 13– Elisa Spiropali dhe Anila Denaj

Njësia 12– Xhemal Qefalia

Njësia 14 dhe Kashar- Blendi Gonxhja, Plarent Ndreca dhe Endrit Hoxha

Te tjera

Lajme te tjera