E premte, 17 Prill, 2026

Afera CEZ-DIA, GJKKO kalon për gjykim Metën dhe Kryemadhin; ish presidenti nën akuzë për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie

Share

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur të kalojë për gjykim dosjen ndaj ish-presidentit Ilir Meta, ku të pandehur janë edhe Monika Kryemadhi dhe tre persona të tjerë.

Vendimi u mor nga gjyqtarja e seancës paraprake, Irena Gjoka, e cila kishte përfunduar shqyrtimin e çështjes javën e kaluar, pas një procesi që zgjati rreth 8 muaj, që nga momenti kur SPAK dorëzoi kërkesën për gjykim.

Gjyqtarja rrëzoi të gjitha kërkesat e paraqitura nga të pandehurit për pavlefshmëri dhe papërdorshmëri të provave, duke i hapur rrugë shqyrtimit të çështjes në gjykim themelor. SPAK kishte përfunduar hetimet në gusht të vitit 2025, ndërsa vendimi për kalimin e dosjes u dha këtë të mërkurë.

Pas daljes nga ambientet e GJKKO, ka folur për mediat avokati i Metës, Kujtim Cakrani.

Avokati u shpreh se kalimi për gjykim i dosjes, ka çuar në përfundimin e procesit ligjor për Metën dhe nisjen e çështjes politike. Cakrani tha se pavarësisht se vetë gjykata e kuptoi se ka mungesë të provave, i injoroi kërkesat e të pandehurve për t’i plotësuar duke thënë se çështja do të shqyrtohet në themel.

“Gjykata pasi relatoi kërkesat tona kur ne i kishim të bazuara për plotësim hetimet, gjykata i konstatoi se hetimet janë të paplota. Gjykata përsëri nuk u ngrit dot në lartësinë që kërkon detyra, nuk pranoi kërkesat dhe e kali çështjen për gjykim duke thënë që këto çështje zgjidhen vetëm në themel. Gjykata e themelit do të bëjë dhe prokurorin dhe gjykatësin. Nuk ka asnjë të re, sot ka përfunduar çështja ligjore në themel fillon çështja politike. Kjo është një procedurë koti. Kemi 7 muaj që merremi me gjykatën dhe janë tallur me avokatët.

Mangësitë e hetimeve ka qenë dëshmitë që duhet të merreshin në SHBA që gjykata i konstatoi, dëshmitë në Shqipëri me parlamentarët shqiptarë, që nga Rama dhe të gjitha ta që ideuan ligjin për minierat. Gjykata përsëri tha që duhet të merren në themel. Prova të tjera, janë prova të tjera që Kryemadhi ka bërë dhe aktet e vlerësimet financiare që dhe aty ka mangësi. Kryemadhi e Meta nuk shin familjarë. Kanë qenë dy deputetë, kanë pasur role të ndryshe ne jetën politike”, tha Kujtim Cakrani.

Sipas hetimeve, Ilir Meta akuzohet për përfshirje në çështjen CEZ-DIA, si dhe për lobim dhe shpenzime familjare. Ndërsa Monika Kryemadhi përballet me akuza për tre raste korrupsioni, përfshirë edhe shpenzime për ndërhyrje estetike.

Në dosje përfshihet edhe Pirro Xhixho, për të cilin SPAK dyshon se ka shfrytëzuar detyrën si kryetar i AKEP-it, i propozuar nga LSI, duke ndikuar sipas akuzës te drejtuesit e një kompanie celulare për lidhjen e një kontrate interkonjeksioni për transferimin e thirrjeve telefonike, në zbatim të porosive të marra nga Meta dhe Kryemadhi.

Hetimet për këtë çështje kanë nisur në vitin 2019, pas dy kallëzimeve të paraqitura në SPAK.

Te tjera

Lajme te tjera