E diel, 19 Prill, 2026

Sali Berisha thërret popullin: 22 Marsi, dita e kryengritjes më të fuqishme paqësore kundër qeverisë!

Share

Në konferencën me gazetarët të mbajtur gjatë ditës së sotme, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, paraqiti një tablo të situatës politike në vend, që ka sjellë dhe bllokimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë, pas vendimit të marrë nga Edi Rama për të mos i hequr imunitetin Belinda Ballukut dhe lejimin e SPAK për arrestimin e saj.

Në fokus të deklaratës së kryedemokratit, Sali Berisha ishte raporti IBAR për integrimin, për të cilin ai deklaroi se ‘Shqipëria mbeti në klasë’, duke theksuar se mosvotimi nga disa vende anëtare të Bashkimit Europian përbën një sinjal alarmi për dështimet e qeverisë shqiptare. Ai e cilësoi këtë zhvillim si ‘dramatik’, duke shtuar se vendet partnere ‘kanë shtruan një seri çështjesh themelore’ dhe po kërkojnë një proces integrimi të bazuar në meritë, të cilin ai e konsideroi ‘interesi absolut më i mirë i qytetarëve shqiptarë’.

Lideri i demokratëve Sali Berisha deklaroi sot, se ‘Edi Rama është pengmarrësi më i madh pas Enver Hoxhës në histori’, ndërsa e përshkroi Shqipërinë aktuale si ‘një piramidë madhore mashtrimi’ dhe ‘çiflig’ të kryeministrit. Sipas tij, procesi jashtë meritës ‘është ndëshkim për qytetarët shqiptarë dhe mbështetje për kusarët qeveritarë’.

Gjatë fjalës së tij, kryetari i PD-së Sali Berisha hodhi poshtë çdo pretendim për një ‘interpretim shqiptar’ të imunitetit, duke e cilësuar atë ‘një mashtrim’. Ai theksoi se në të kaluarën ‘është hequr imuniteti i Ilir Metës, Fatmir Mediut, dhe dy herë i Lulzim Bashës’, duke argumentuar se standardi ka qenë gjithmonë i bazuar në kërkesat e prokurorisë dhe në interpretim kushtetues e ligjor. ‘Mbrojtja me imunitet e vjedhjeve është interpretim i Edi Ramës’, deklaroi Berisha.

Lideri i demokratëve Sali Berisha ngriti shqetësime edhe për çështje konkrete që, sipas tij, ndikojnë drejtpërdrejt në perceptimin ndërkombëtar të Shqipërisë, si rasti i imunitetit të zyrtarëve të lartë, funksionimi i institucioneve, mediat dhe lidhjet me krimin. Ai përmendi gjithashtu çështjen e Ergys Agasit, duke sugjeruar se zhvillimet rreth tij tregojnë një tendencë drejt ‘konsolidimit të narkoregjimit’.

Gjithashtu kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha bëri thirrje për mobilizim qytetar, duke e cilësuar 22 marsin si ‘ditën e kryengritjes më të fuqishme paqësore që ka njohur Shqipëria’, dhe ftoi qytetarët të dalin në protestë për të shprehur ‘revoltën, zemërimin dhe përçmimin’ ndaj qeverisë.

Te tjera

Lajme te tjera