E mërkurë, 29 Prill, 2026

Blindohet Greqia, 5 mld euro për ushtrinë; nga mburoja e Akilit te bazat për F-35

Share

Konfliktet e armatosura, siç pasqyrohet në frontet e Ukrainës dhe Iranit, nxjerr në pah rëndësinë strategjike të sistemeve kundërajrore dhe të dronëve. “Në Ministrinë e Mbrojtjes Kombëtare i kemi ‘lexuar’ që nga viti 2023 me qartësi zhvillimet që po vijnë”, deklaroi së fundmi ministri i mbrojtjes Kombëtare Nikos Dendias, duke siguruar se programi i ri i armatimeve është i plotë, nga pajisja e ushtarit deri te sistemet më të avancuara, siç është edhe blerja e një sateliti grek.

Sot pritet të diskutohet në Komisionin parlamentar të Armatimeve paketa më e madhe e armatimeve të viteve të fundit, me vlerë rreth 5 miliardë euro, e cila përfshin edhe kupolën kundërajrore “Mburoja e Akilit”.

Paketa në fjalë mbulon sektorë kritikë si mbrojtja ajrore, fuqia ajrore, transporti ajror dhe fuqia detare.

Në qendër të programit ndodhet kupola kundërajrore “Mburoja e Akilit”, e cila do të bazohet në një kombinim sistemesh ekzistuese, si sistemet amerikane Patriot dhe sisteme të avancuara kundër dronëve. Ajo do të forcohet më tej edhe nga sistemet raketore Puls, të cilat tashmë janë miratuar, sipas raportimeve të mediave gjatë fundjavës.

Me krijimin e kësaj kupole mbrojtëse, Deti Egje dhe i gjithë territori grek do të mbrohen nga raketa, avionë, dronë, mjete detare dhe nëndetëse. Sistemi do të mbështetet në një strukturë shumë më komplekse me sisteme të shumta raketore, të fshehura dhe të lëvizshme, të menaxhuara me inteligjencë artificiale dhe me sisteme të avancuara komandimi dhe kontrolli.

Njëkohësisht, anijet e reja të flotës dhe avionët luftarakë të gjeneratës 4.5 dhe 5 Rafale dhe F-35 që pritet të blihen, do të çlirohen për të përdorur armët e tyre strategjike, duke funksionuar si mjete strategjike të parandalimit.

Kujtohet se tashmë është miratuar edhe blerja e sistemeve raketore Puls, të cilat do të përbëjnë pjesë të “Mburojës së Akilit”.

Në mbledhjen e Komisionit të Armatimeve do të diskutohen gjithashtu modernizimi i 38 avionëve luftarakë F-16 Block 50 të Forcave Ajrore, infrastruktura për pritjen e avionëve F-35 në bazën ajrore të Andravidas, kontrata për mbështetjen e avionëve transportues C-27J Spartan dhe marrëveshje për modernizimin e fregatave MEKO, duke forcuar kështu kapacitetin parandalues të Marinës Ushtarake.

Te tjera

Lajme te tjera