Në politikën shqiptare po flitet gjithnjë e më shumë për mundësinë e ndryshimeve të mëdha në pushtet. Juristi i njohur, Romeo Kara ka bërë disa deklarata të forta lidhur me situatën politike në vend teksa ka komentuar shkarkimin e Elisa Spiropalit. Ai nënvizon se vendimet qeveritare nuk vendosen vetëm nga shumica apo partia, por nga kryeministri vetë, dhe se shenjat e pavarësisë ose reagimet e individëve brenda kabinetit mund të kenë pasoja direkte. “Ishte një pakënaqësi e shprehur në një përgjigje që në parlament dukej sikur i jepej Berishës, por në fakt i jepte dhe një mesazh që është e çuditur Spiropali që i del fjala e Berishës, është fjala që ka thënë paraprakisht Berisha në parlament dhe që ajo flet dhe gjuhë të tjera dhe për më tepër flet mirë shqip. Megjithatë, unë mendoj që këto janë shenjat që homogjeniteti i shumicës socialiste do të fillojë të lëkundet në të ardhmen.
Faktori ndërkombëtar ka disa pika ku nuk bën kompromis dhe mënyra se si reagon është duke punuar me çdo person. Mund të mos i dimë në mënyrë konkrete faktet reale ku është mbushur kupa, por dihet që qeverinë e vendos jo shumica, jo partia, por e vendos vetë kryeministri, edhe për të larguar të largon ai. Pra, veprimet siç duket të zonjës Spiropali në raport me vetë kryeministrin duken të jenë të tilla që ishte dhe paralajmëruar që ka probleme Ministria e Jashtme, edhe pse në vlerësimin tim sektorët ekonomikë edhe të sigurisë ligjzbatimit janë ato që kanë probleme më të mëdha.
Megjithatë, këtu në këtë lloj qeverisjeje që ne kemi instaluar prej 30 e ca vitesh, personat që guxojnë të mendojnë e jo më pastaj të flasin e të veprojnë, janë personat që e kanë vrarë skllavërinë dhe njerëzit e pavarur nuk i duhen këtij lloj lidershipi që ne kemi në Shqipëri. Nuk e di sa e pavarur ka qenë zonja në fjalë, edhe pse nuk e besoj. Por në qoftë se ka shprehur ndonjë shenjë pavarësie, me siguri kjo është pagesa që merr në këtë lloj sistemi. Euripidi thotë një fjalë të madhe, që skllavëria fillon që në momentin kur ti nuk thua dot i lirë fjalën tënde.
Kemi një shumicë që nuk flet më, rrinë atje me emocion dhe presin si do të jetë vullneti i liderit të tyre. Pagesën e të folurit, dhe jo vetëm të folurit, por dhe të konsistencës e të vepruarit, unë e kam paguar që nga viti 1991 deri më tani. Pothuaj të njëjtën situatë kemi dhe në partinë tjetër, PD, por atje gjithmonë ka një frymëmarrje kur partitë janë opozitë. Po jo në nivelin e duhur aq sa të sjellë një presion të vlerave morale të saj. Se dhe kur ke një ekip përballë, edhe sikur të mos flasë shumë, mjafton që ato vlera janë atje, prononcohen qoftë dhe me minimumin e presionit të forcës.
Ato e bëjnë vetë punën e tyre sepse vlerat plasin vetë. Por edhe atje nuk është kjo liria e fjalës, zhvillimi i demokracisë brenda partive, sidomos i asaj nga poshtë lart dhe pastaj meritokracia. Përderisa vendosin liderët, domethënë njerëzit, nga viti 2008 e këtej është bërë absolute skllavëria brenda partisë dhe pastaj dhe qeverisë kur këto forca janë në pushtet. Kështu që Spiropali do ketë paguar ndonjë moment të tillë që nuk e ka llogaritur mirë liderin”, tha Romeo Kara.
Lëkundjet në PS
Ai diskuton ndikimin e faktorëve ndërkombëtarë dhe dy alternativa kryesore që sipas tij mund të vendosin fatin e qeverisjes: një qeveri teknike që mund të çojë drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ose zgjedhjet e parakohshme me kushtet aktuale që favorizojnë PD-në dhe PS-në, por edhe partitë e reja. “Megjithatë, unë mendoj që çdo fillim e ka një mbarim. Uniteti i dukur deri tani me 83 vota i palëkundur i Partisë Socialiste, besoj se po lëkundet dhe do lëkundet. Pra, faktori ndërkombëtar e ka zakon që punon me individë, punon ngadalë por në mënyrë të pakthyeshme. Për shumë problematika nuk mund të jetë përgjegjës i gjithë establishmenti i PS-së.
Do të shohim votimet si do të vijnë. Tani do kemi disa votime provë të cilat do të tregojnë se sa ka reflektuar ajo pjesa e përgjegjshme e PS-së. Pra, unë mendoj që ata duhet të reagojnë, duhet t’i kishim bërë bile ndryshimet qeveritare sipas mendimit tim. Unë e kam thënë në çdo intervistë kur kam pasur mundësi që duhej që para tre muajsh të ishin bërë disa ndryshime qeverisëse, disa edhe pas faktit në atë moment dhe për t’i paraprirë faktit. Tani ndryshimet që janë bërë besoj se dhe njerëzit nuk i kanë ndjerë më.
Kur gjërat tejzgjaten dhe reagohet me vonesë, paraprihet me arrogancë, me kokëfortësi e të tjerë, tani nuk pinë ujë më as ndryshimet që janë bërë. Kështu që Elisa nuk ka pse të mërzitet. unë nuk shoh që do të ketë ndonjë stabilitet më tepër se disa mujor edhe kjo qeveri që është tani. Pra, janë zhvilluar kushtet që dalëngadalë kjo qeverisje po stonon dhe nuk u përgjigjet sfidave të kohës. Besoj janë dy alternativa: ndryshimi me qeverinë teknike, që do të ishte më e dëmshme për PS-në por edhe për establishmentin e PD-së, pasi do të jepte mundësi me disa reforma dhe me zgjedhje vërtet të lira të organizuara dhe të zbatuara nga një qeveri teknike e paanshme për të krijuar për herë të parë dhe për të bërë të mundur zhvillimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe të barabarta.
Dhe tjetra është të shkohet në zgjedhje të parakohshme kështu siç jemi. Kjo e dyta do t’i leverdiste më shumë PD-së dhe PS-së. Kurse ajo e para do t’i leverdiste asaj pjese reformatore të PD-së dhe forcave të reja politike, por jo PS-së, pasi dalja e alternativave të reja tani është e mirëpritur dhe do të jetë dhe më e mirëpritur tek faktori ndërkombëtar. Ata janë të mirëinformuar dhe po presin që realisht të ketë reagimet e duhura në mënyrë që të lindë një frymë e re, të ketë një alternativë anti-establishment, jo më vetëm një riciklim apo kalim stafete nga njëra parti tek tjetra siç ka ndodhur këto vite. Unë mendoj që do të ishte më mirë varianti i parë, që ne të shkonim në zgjedhje të lira të ndershme pasi të kryheshin disa reforma dhe me garanci të një qeverie teknike”, tha ndër të tjera Romeo Kara. /gazeta sot/
