E hënë, 3 Gusht, 2026

Irani sulm kibernetik postës elektronike të Kuvendit të Shqipërisë, Homeland Justice publikon e-mailet e deputetëve: Po strehoni muxhahedinët, jemi afër

Share

Në kohën kur në Lindjen e Mesme ka shpërthyer lufta dhe Tirana zyrtare është radhitur krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit, posta elektronike e Kuvendit të Shqipërisë ra pre e një sulmi kibernetik, pas të cilit qëndron një grup iranian i quajtur “Homeland Justice”.

Hakerat kanë publikuar në një grup në aplikacionin Telegram, foto që shfaqin e-maile të administratës së Kuvendit dhe mbajnë datën 3 mars të vitit 2026. E-mailet i drejtohen deputetëve, ku në disa prej tyre janë njoftime edhe për seancat plenare apo kalendari i punës së Kuvendit.

“Të gjitha bisedat dhe korrespondencat e anëtarëve të korruptuar të Kuvendit muajt e fundit, janë në Duart e Homeland Justice. Jemi pranë jush më shumë nga sa mendoni. A i keni strehuar vërtetë ata vrasës dhe vrasës fëmijësh? Ne do sigurohemi që ky turp te mbetet me ju përgjithmonë.  Nuk do t’i lejojmë mbështetësit e terroristëve të MEK-ut të flenë të qetë”, thuhet në mesazhin e shpërndarë prej tyre.

Nga ky grup janë publikuar dhe disa komunikime të brendshme të deputetëve Gazment Bardhi, Belinda Balluku, Edi Paloka dhe Damian Gjiknuri. Postimi i parë është pasuar nga një tjetër mesazh me tone kërcënuese drejtuar “anëtarëve të korruptuar të parlamentit”.

“Kjo është gjithashtu nga qasja e Homeland Justice në të gjithë infrastrukturën kibernetike të Kuvendit të korruptuar dhe sponsorizues të terrorizmit. Përshëndetje një fillimi të ri. Së shpejti anëtarët e korruptuar të këtij parlamenti do të turpërohen për veprat e tyre të urryera”, shkruhet në postimin e Homeland Justice në Telegram.

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike tha për Report Tv se ka ngritur grupin e punës për analizimin e rastit dhe ekipet ndodhen në terren duke kryer analizën teknike, si dhe duke ndërmarrë hapat e nevojshëm lidhur me këtë situatë.

I njëjti grup, Homeland Justice, në të shkuarën ka bërë disa sulme kibernetike ndaj faqeve zyrtare të disa institucioneve të tjera, kanë publikuar të dhëna personale të shqiptarëve, të dhëna bankare, apo numrat e celularëve, dhe gjithmonë kanë arsyetuar se shkaku, lidhet me vendimin e Shqipërisë për të strehuar muxhahedinët, opozitën iraniane, në kampin e Manzës.

Te tjera

Lajme te tjera