Deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi, u bëri thirrje grave dhe vajzave që të bashkohen në protestën e opozitës më 12 mars, duke e cilësuar atë si një moment të rëndësishëm për të reaguar ndaj sistemit “anti-grua” të ndërtuar nga qeveria e kryeministrit Edi Rama.
Deklaratat u bënë gjatë një aktiviteti të zhvilluar në selinë e Partisë Demokratike në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, ku ishte i pranishëm edhe kreu i PD-së Sali Berisha.
Në fjalën e saj, Vokshi theksoi se gratë duhet të kenë një rol më të madh në politikë dhe vendimmarrje, duke shtuar se kuota aktuale prej 30% për përfaqësimin e grave nuk është e mjaftueshme, pasi ato përbëjnë më shumë se gjysmën e popullsisë.
Ajo akuzoi qeverinë se gjatë viteve të fundit ka ndërtuar një sistem që, sipas saj, përpiqet të dobësojë rolin e grave në politikë dhe në shoqëri.
“11 vite me radhë Edi Rama ka ngritur një sistem që përpiqet të zvogëlojë forcën e grave, ta bëjë fuqinë e tyre të padukshme. Një sistem që dhunon gratë dhe vajzat. Ka vendosur gratë e tij të Rilindjes si fasadë, ndërsa gratë me integritet i ka mënjanuar. Ka promovuar figura pa zë që përfaqësojnë besnikërinë ndaj një njeriu deri në servilizëm ndaj Edi Ramës. Gratë dhe vajzat shqiptare janë shantazhuar nga patronazhistët në pushtet me kërcënime për largim nga puna apo heqje të ndihmës ekonomike”, u shpreh Vokshi.
Deputetja demokrate u bëri thirrje grave që të reagojnë dhe të mos heshtin përballë asaj që ajo e konsideron presion politik, duke i ftuar ato të jenë pjesë e protestës së opozitës.
“Ndryshimi vjen nga gratë, fitorja vjen nga gratë. Nëse jo ne gratë, atëherë kush? Nëse jo tani, kur? Të ngrihemi së bashku jo vetëm në një ditë, por në 365 ditë të vitit dhe ta bëjmë Partinë Demokratike forcë fituese. Më 12 mars të çlirojmë Parlamentin dhe Shqipërinë”, deklaroi ajo ndër të tjera.
