Nga Mimoza Cika, Këln
Asnjë post tjetër në Gjermani nuk është i lidhur aq fort me konceptin e dinjitet sa posti i presidentit. Presidenti i Gjermanise nuk qeveris, ai përfaqëson vendin. Në vizitat shtetëtore jashtë vendit presidenti është “fytyra dhe zëri i Gjermanisë”. Brenda vendit ai simbolizon “unitetin e shtetit” dhe për të garantuar unitetin, presidenti pozicionohet përtej grindjeve mes partive. Ai reagon neutral, por reflekton në fjalimet dhe veprimet e tij, kodin e vlerave të kushtetutës gjermane – ligjit themelor. Për këtë arsye presidenti normalisht gjatë mandatit heq dorë nga antarësia në ndonjë parti politike. Në strukturën e shtetit posti i presidentit vendoset jashtë tre pushteteve: qeverisë, parlamentit dhe gjykatave. Pra shkurt dhe shqip: nje model presidenti që nderon një popull të tërë. Këtë e dëshirojnë edhe në Kosovë apo Shqipëri.
Duke pasur parasysh që ambienti politik historikisht ka qenë domen i burrave, jo vetem në Ballkan, por në gjithë botën e shoh pozitivisht sfidën e Presidentes aktuale Vjosa Osmani per nje mandat të dytë. Historia e pushtetit është mashkullore por në shekullin e fundit, jo vetem ne Kosovë apo në Shqipëri, por në te gjithë botën ka një lëvizje të madhe të grave për të qenë edhe ato pjesë të pushtetit. Rasti i zgjedhjes së Kryetares së Parlamentit të Kosovës, si e para grua në këtë post, është për tu përshëndetur, megjithëse nuk qe e lehtë. Ndaj me rizgjedhjen zonjës Osmani si Presidente, do të dilte në pah edhe njëherë fakti se gratë politkane kosovare, por jo vetëm, reflektojnë përpjekjet për ta sfiduar shoqërinë maskuliste dhe për ta mposhtur politikën e ashpër.
Gratë shpesh perceptohen si udhëheqëse më pak të afta kur janë po aq kompetente sa edhe burrat. Edhe pse sot ka më shumë gra në krye të shteteve dhe qeverive sesa 30 vjet më parë, ndryshimi është i ngadaltë. Në nivel global, përqindja e grave në pozicione të larta mbetet nën 30%. Por ato kanë dëshmuar që sjellin nje qasje tjeter ne politike. Nuk e kam fjalën për ato gra që kopjojnë modelin e burrave, por e kam fjalën për ato gra që sjellin vërtet një qasje të re që peshon nga argumenti dhe jo nga agresiviteti, të një politike që peshon në anën e qytetarëve dhe jo të interesave të partive politike. Jane gratë ato që prekin varferinë më shumë se kushdo tjeter, janë gratë ato që mund ti sjellin më mirë në politikë problemet sociale, problemet e edukimit, problemet e shëndetit që janë themelore në qofte se një shoqeri do të zhvillohet.
Në fakt, Kosovës së pasluftës nuk i kanë munguar gratë e fuqishme në politikë apo në skenën tjetër të shoqërisë civile dhe të emancipuar. Ato ishin në pararojën e mendimit të lirë dhe demokratik. Ato shtruan bazën themelore të krijimit të medieve të pavarura, drejtuan misione jo të lehta siç ishte dialogu me Sebinë, patën guximin të tregojnë me gisht të korruptuarit e të pamoralshmit e politikanëve kosovarë. Politika është një përgjegjësi të cilën kur e merr duhet ta cosh deri në fund. Ajo është një kontribut për shoqërinë. Dhe këtë Presidentja Vjosa Osmani e ka kuptuar qysh në fillim. Në këto pesë vjet, ajo është munduar të krijojë portretin e saj individual korrekt, pavarësisht edhe të disa gabimeve. Rizgjedhja e saj si Presidente do të ishte edhe nja faktor stabiliteti politik aktual për Kosovën pas një ngërçi mjaft të gjatë.
Të mos harrojmë gjithashtu se të gjitha krizat e rënda që ndodhin në një shoqëri përplasen në familje dhe përkthehen aty me papunësi, dëshpërim, depresion, mungesë shprese, dëshirë për t’u larguar nga ky vend etj. Të gjitha këto probleme që mund të hapen në shoqërinë kosovare do të prekin në radhë të parë familjet dhe kur themi familje kemi thënë nëna, sepse të gjithë e dimë se çfarë peshe mban nëna shqiptare në familje. Por a është Vjosa Osmani një model si Presidente që e nderon popullin e Kosovës? Natyrisht që po, madje ajo tashmë ka edhe përvojën nga mandati i parë për të korigjuar gabimet e së kaluarës në të ardhmen dhe pë ta justifikuar edhe më denjësisht postin e saj si “fytyra dhe zëri i Kosovës”.
Ndaj jepini edhe një shans Vjosës!
