E shtunë, 18 Prill, 2026

Përfundon takimi me Ramën, Kurti: Diskutuam për forcimin e bashkëpunimit mes dy qeverive!

Share

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Edi Ramën, ku në qendër të bisedimeve kanë qenë marrëveshjet bilaterale ekzistuese dhe zgjerimi i bashkëpunimit mes dy vendeve.

Kurti në një reagim në rrjetet sociale pas takimit, bëri të ditur se diskutimet janë përqendruar te fushat ku mund të shtohen marrëveshjet aktuale, mundësitë e reja për bashkëpunim dhe mënyrat për t’i shfrytëzuar ato në funksion të zhvillimit të përbashkët. 

“Me mandatet tona të ripërtërira, përmes bashkëpunimit ndërqeveritar dhe ndërshtetëror, le t’u shërbejmë edhe më tej e më shumë qytetarëve në të dy republikat dhe kombit tonë mbarë”, u shpreh ai.

Ai theksoi gjithashtu se janë trajtuar sfidat me të cilat përballen të dy vendet dhe mënyrat për t’i tejkaluar ato.

“Mirëprita Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Diskutuam për marrëveshjet bilaterale që kemi dhe fushat se ku mund t’i shtojmë ato, për mundësitë e reja dhe si t’i shfrytëzojmë sa më mirë, si dhe për sfidat e përbashkëta dhe mënyrat për t’i tejkaluar ato sa më lehtë.”-ka shtuar Kurti. 

Nga ana e tij, Kryeministri Rama nuk ka bërë ende të ditur detaje shtesë mbi takimin, ndërsa nuk janë njoftuar marrëveshje konkrete të reja të nënshkruara gjatë kësaj vizite.

Takimi vjen në kuadër të marrëdhënieve të vazhdueshme mes Kosovës dhe Shqipërisë, të cilat janë karakterizuar nga bashkëpunimi në fusha si ekonomia, infrastruktura, arsimi dhe politika e jashtme.

Te tjera

Lajme te tjera