Në kuadër të 81-vjeçarit të Çlirimit të Shqipërisë, krerët e shtetit zhvilluan homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.
Presidenti Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit Niko Peleshi, ministri i Mbrojtjes Pirro Vëngu, kryetarja e komanduar e Tiranës, Anuela Ristani dhe veteranë nderuan dëshmorët, ndërsa vendosën kurora me lule në Memorialin ‘Nëna Shqipëri’. Ceremoni nderimi u zhvilluan edhe në qytetet e tjera.
Kryeministri Rama uroi më herët përvjetorin e çlirimit përmes postimit të përditshën në mëngjes në rrjete sociale.
Me urimin për festën kombëtare të çlirimit, ju uroj të gjithëve një fundjavë të paqtë”, u shpreh Rama.
Presidenti Bajram Begaj, teksa ndau një foto nga homazhet, theksoi se mirënjohja ndaj dëshmorëve nu duhet të jetë thjesht përkujtim historik.
“Guximi, qëndresa dhe gjaku i tyre janë themelet mbi të cilat qëndron liria jonë. Mirënjohja jonë nuk është vetëm kujtesë historike, por detyrim i përditshëm për të mbrojtur lirinë, dinjitetin njerëzor dhe paqen.”, shkroi presidenti.
Politika e feston e ndarë 29 nëntorin pasi debati mbi largimin e gjermanit të fundit në vitin1944 është ende i hapur. Ndryshe nga e majta, e djathta festoon 28 nëntorin si ditën e Pavarësisë dhe Çlirimit.
Shqipëria u çlirua nga forcat fashiste dhe naziste më 28 nëntor 1944, pas një periudhe pesëvjeçare pushtimi që nisi me agresionin fashist italian më 7 prill 1939. Pas kapitullimit të Italisë në vjeshtën e vitit 1943, vendi ra nën kontrollin e gjermanëve. Lufta për çlirim kulmoi në nëntor të vitit 1944.
Tirana u çlirua më 17 nëntor të atij viti, ndërsa Shkodra dhe zona veriore më 29 nëntor, duke shënuar fundin e pushtimit gjerman në të gjithë vendin.Shqipëria mbetet i vetmi vend në Ballkan që arriti të çlirohej kryesisht me forcat e veta, ndërkohë që vendet e tjera të rajonit u ndihmuan nga Ushtria e Kuqe.
