28 Nëntori (Dita e Pavarësisë dhe flamurit) mbetet një nga datat më të shenjta në historinë e kombit shqiptar, dita që na rikthen te rrënjët dhe te sakrificat e të parëve tanë. Në këtë ditë të veçantë, deputeti i PS Qarku Vlorë, Vullnet Sinaj përcjell urimin e tij për çdo qytetar, duke nderuar aktin historik të Pavarësisë së ngritur në zemër të Vlorës.
Ja reagimi i Z. Sinaj:
28 Nëntori, ditë e Krenarisë Kombëtare
Në këtë ditë të shenjtë për kombin tonë, kujtojmë me nderim aktin madhështor të 28 Nëntorit 1912, kur Vlora u bë zemra e Shqipërisë së lirë dhe të pavarur!
Në këtë tokë që frymon histori dhe dinjitet, Ismail Qemali me patriotë nga të gjitha trevat shqiptare, ngriti flamurin kuqezi dhe i dha jetë ëndrrës së shumë brezave.
Sot, vazhdojmë të ecim në të njëjtën rrugë me besim, punë dhe përkushtim për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për qytetarët tanë.
Vlora, simbol i pavarësisë dhe i identitetit kombëtar, është njëkohësisht edhe shembulli më i pastër i transformimit dhe zhvillimit të Shqipërisë moderne.
Le ta festojmë këtë ditë me unitet dhe krenari!
Gëzuar nga zemra 28 Nëntorin!
Mirënjohje përjetë Ismail Qemalit dhe etërve themelues të shtetit shqiptar!
