Deputeti i Partisë Socialiste, Vullnet Sinaj, ka prezantuar dhe mbështetur në Komisionin e Burimeve Natyrore, Infrastrukturës dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm projektligjin e ri për “Gjuetinë”, duke e cilësuar atë si një akt të rëndësishëm ligjor që shfuqizon ligjin ekzistues të moratoriumit të gjuetisë në Republikën e Shqipërisë. Sipas zotit Sinaj, qëllimi kryesor i këtij projektligji është zhvillimi i një gjuetie të qëndrueshme, të kontrolluar dhe të përgjegjshme, e cila ruan biodiversitetin e faunës së egër dhe respekton ekosistemet. Ligji i ri sjell risi thelbësore, duke përfshirë futjen e konceptit të menaxhuesit të zonës së gjuetisë dhe përcaktimin e masave ndëshkuese më rigoroze përmes gjobave të larta, të cilat janë tituj ekzekutivë.
Duke theksuar përputhjen e domosdoshme me legjislacionin europian, përfshirë Direktivat për Shpendët dhe Habitatet, deputeti Sinaj veçoi rregullin e ri thelbësor që ndalon kategorikisht gjuetinë gjatë natës, duke përcaktuar qartë se gjuetia mund të zhvillohet vetëm pas lindjes së diellit deri në perëndimin e tij. Megjithatë, ndërsa vlerësoi nismën si pozitive për zhvillimin e aktivitetit tradicional e sportiv dhe për ekonomitë rurale, Sinaj shfaqi rezerva konkrete lidhur me disa nene teknike, sidomos sa i përket vlerës së lartë të gjobave (deri në 13 milionë lekë të vjetra), duke sugjeruar se heqja ose anulimi i lejes së gjuetisë duhet të jetë dënimi kryesor për abuzuesit.
Pjesë nga fjala e deputeti Sinaj
Faleminderit, kryetare. Faleminderit edhe ju, zoti ministër, për shpjegimin shterues që i bëtë ligjit. Unë do të thosha që projektligji për gjuetinë është një propozim i Këshillit të Ministrave, bazuar në përcaktimet e nenit 81, pika 1 të Kushtetutës. Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm e shqyrton këtë projektligj në cilësinë e komisionit të përgjegjës, bazuar në nenet 32–36 të Rregullores së Kuvendit. Akti shoqërohet me relacionin përkatës, sipas kërkesave të nenit 68, pika 1 të Rregullores së Kuvendit. Projektligji i propozuar është një projektligj i ri, për shkak se prek dhe ndryshon më shumë se 50% të dispozitave të ligjit ekzistues numër 10.253, të datës 11/3/2010, dhe synon gjithashtu të shfuqizojë ligjin numër 60/2016 për shpalljen e moratoriumit të gjuetisë në Republikën e Shqipërisë.
Qëllimi i projektligjit për gjuetinë është zhvillimi i një gjuetie të qëndrueshme, të kontrolluar dhe të përgjegjshme, e cila respekton ekosistemet dhe ruan biodiversitetin e faunës së egër në Shqipëri. Ky projektligj ka si objektiv kryesor përmirësimin e menaxhimit të burimeve natyrore dhe të pasurive ekologjike të vendit, duke krijuar kushte për zhvillimin e gjuetisë si një veprimtari tradicionale, sportive dhe të qëndrueshme. Kjo do të bëhet përmes një balancimi të duhur mes interesave të qytetarëve dhe nevojave për ruajtjen e mjedisit. Ky projektligj synon gjithashtu të kontribuojë në mbrojtjen e habitateve natyrore dhe të mundësojë zhvillimin e aktiviteteve që përmirësojnë ekonominë rurale dhe lokale, veçanërisht në zonat ku gjuetia është një burim i rëndësishëm jetese.
Në thelb, objektivat që synohen janë të përqendruara në ruajtjen e diversitetit biologjik dhe në përmirësimin e menaxhimit të faunës së egër, duke mundësuar zhvillimin e një gjuetie të kontrolluar, e cila mund të kontribuojë në mbrojtjen e mjedisit, ashtu si dhe në zhvillimin e qëndrueshëm të aktiviteteve rurale. Ky projektligj ka disa risi të rëndësishme, të cilat janë të orientuara për përmirësimin e menaxhimit të gjuetisë dhe përforcimin e kontrollit mbi aktivitetet që mund të dëmtojnë biodiversitetin e vendit. Një nga risitë më të rëndësishme të projektligjit është futja e konceptit të menaxhuesit të zonës së gjuetisë. Ky individ ose subjekt juridik do të ketë përgjegjësinë për administrimin e zonës së gjuetisë në mënyrë profesionale dhe të përgjegjshme, duke siguruar që veprimtaritë e gjuetisë të zhvillohen sipas rregullave dhe të jenë të kontrolluara.
Një ndër rregullat e reja është ndalimi i gjuetisë në territoret që nuk janë të miratuara si zona të gjuetisë, duke siguruar një kontroll më të fortë mbi aktivitetet dhe reduktimin e praktikave që mund të dëmtojnë faunën. Gjithashtu, projektligji parashikon në mënyrë të qartë veprimet e ndaluara në gjueti, ku një prej tyre është ndalimi i gjuetisë për speciet që janë në zhdukje dhe të llojeve të faunës së egër të mbrojtura nga konventa ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë është palë. Shumë e rëndësishme është parashikimi në ligj i ndalimit të gjuetisë gjatë natës. Parashikohet qartë se dita e gjuetisë fillon pas lindjes së diellit dhe përfundon në perëndimin e tij. Kjo është një nga pikat më të rëndësishme që unë mendoj se para këtij projektligji ka vuajtur—do të thosha ka pasur probleme—gjuetia në Shqipëri, pasi jo të gjithë e kuptojnë që gjuetia e natës është e ndaluar dhe është e qartë e shprehur në ligj që fillon me lindjen e diellit dhe përfundon me perëndimin e tij.
Kjo është e lidhur me shumë arsye, pasi vetë shpendët apo kafshët e egra, ndryshe nga ne njerëzit, ditën e kanë ditë mbrojtjeje, kurse natën dalin në kullotën e tyre. Është e ndaluar dhe me ligj, por edhe nga Zoti, që ti ta bezdisësh dikë kur ai është duke u ushqyer. Është shumë e rëndësishme dhe doja të ndalesha te kjo pikë, pasi nuk e kuptojmë, por duhet që ta kuptojnë të gjitha institucionet, sidomos ato të kontrollit dhe të policisë, sidomos dhe Policia e Shtetit.
Një tjetër risi është inkurajimi i qytetarëve që të përfshihen në monitorimin dhe menaxhimin e faunës së egër, duke kontribuar në ruajtjen e habitateve të tyre. Kjo përfshin mbështetjen për gjuetarët që angazhohen në aktivitete kërkimore dhe për ruajtjen e ekosistemeve natyrore, duke luftuar gjithashtu gjuetinë e paligjshme. Një risi tjetër e këtij projektligji është kalimi i përgjegjësive dhe kompetencave për menaxhimin dhe administrimin e zhvillimit të gjuetisë pranë strukturave të njësive të qeverisjes vendore.
Projektligji parashikon përdorimin e teknologjive të avancuara për monitorimin dhe kontrollin e veprimtarive të gjuetisë. Kjo do të ndihmojë autoritetet të mbikëqyrin në kohë reale aktivitetet në terren dhe të ndërhyjnë kur është e nevojshme për të parandaluar shkeljet e rregullave dhe për të ruajtur ekosistemet natyrore. Një tjetër rëndësi e projektligjit është përcaktimi i masave ndëshkuese më rigoroze për ata që shkelin rregullat, nëpërmjet gjobave më të larta, të cilat janë tituj ekzekutivë dhe si të tilla mund të ekzekutohen direkt nga Zyra e Përmbarimit. Kjo garanton që rregullat e gjuetisë të zbatohen dhe se ata që veprojnë në mënyrë të paligjshme të mbajnë përgjegjësinë për veprimet e tyre. Pavarësisht përmasës së gjobave, unë kam një sugjerim, pasi duken shumë të larta, por do ta them më vonë.
Objektivat që synohen të arrihen përmes projektligjit janë: mbrojtja e biodiversitetit dhe ekuilibrit ekologjik, zhvillimi i gjuetisë në zona të lejuara, krijimi i mundësive për zhvillimin e aktiviteteve rurale që do të përfshijnë përdorimin e qëndrueshëm të kafshëve të egra dhe që do të kontribuojnë në zhvillimin e ekonomisë lokale dhe kombëtare, përcaktimi i metodave dhe mjeteve të ndaluara për gjuetinë, si dhe krijimi i rregullave për monitorimin dhe kontrollin e veprimtarisë së gjuetisë për të siguruar që ky aktivitet të zhvillohet në përputhje me rregullat e mbrojtjes së biodiversitetit.
Projektligji adreson disa problematika në legjislacionin aktual. Ligji ekzistues numër 10253/10 është i vjetër dhe nuk përmbush plotësisht kërkesat dhe standardet ndërkombëtare, veçanërisht ato të Bashkimit Europian për mbrojtjen e faunës dhe të biodiversitetit. Pjesë e domosdoshme e ndërhyrjes ligjore është përputhja me legjislacionin europian, pasi Shqipëria ka detyrime për të harmonizuar legjislacionin e saj me direktivat e Bashkimit Europian, si Direktiva për Shpendët dhe Direktiva për Habitatet, të cilat kërkojnë përdorimin e metodave humane dhe të qëndrueshme për gjuetinë.
Kërkohet përmirësimi i strukturave menaxhuese dhe inspektuese. Ndryshimet kërkojnë përcaktimin e strukturave të reja përgjegjëse për menaxhimin dhe kontrollin e aktiviteteve të gjuetisë, duke siguruar një koordinim më të mirë dhe një zbatim efektiv të ligjit. Këto struktura do të sigurojnë një mbikëqyrje më të fortë dhe më efektive mbi aktivitetet e gjuetisë dhe do të përmirësojnë ruajtjen e llojeve të faunës të rrezikuara, duke e bërë më të mundur mbrojtjen e ekosistemeve natyrore. Projektligji parashikon që të mblidhen dhe të analizohen të dhëna të plota dhe të besueshme për popullatat e faunës së egër në Shqipëri. Ky informacion do të ndihmojë autoritetet të marrin vendime të informuara mbi menaxhimin e gjuetisë dhe mbrojtjen e biodiversitetit. Parashikohet që këto të dhëna të jenë të plota dhe të disponueshme deri në vitin 2027.
Ligji mundëson krijimin e rezervave, përshtatjen dhe ripopullimin e faunës, duke siguruar kështu ruajtjen e llojeve të rrezikuara dhe përmirësimin e kushteve për ekosistemet natyrore. Ligji i ri pritet të sjellë një rritje të të ardhurave nga liçencat dhe taksat që do të mblidhen nga gjuetarët. Këto të ardhura do të përdoren për të mbështetur projektet e ruajtjes së biodiversitetit dhe të rinovimit të habitateve natyrore, si edhe do të sjellë përfitime ekonomike për ekonomitë lokale. Në projektligj parashikohet krijimi i qendrave të shpëtimit për faunën e egër brenda territoreve të zonave të gjuetisë. Këto qendra do të sigurojnë mbështetje për kafshët e lënduara dhe do të ndihmojnë në ruajtjen e llojeve të rrezikuara.
Konkretisht, projektligji përafron Rregulloren e Parlamentit Europian dhe të Këshillit 3254/91 (fraksionet e një), e cila ndalon përdorimin e kurtheve. Ky përafrim lidhet me disa nene të ligjit, duke përfshirë ndalimin e përdorimit të mjeteve dhe metodave shkatërruese dhe jo selektive për vrasjen e faunës së egër. Për më tepër, projektligji përafron kontrollet doganore për importin, eksportin dhe tranzitin e faunës së egër, duke u nënshtruar legjislacionit doganor dhe atij për tregtimin e llojeve të faunës së egër, si dhe rregullave për shëndetin e kafshëve.
Projektligji për gjuetinë përmban gjithsej 53 nene, të ndara në 10 krerë. Në përfundim, pas diskutimeve dhe sugjerimeve që do të bëhen në këtë komision, ftoj gjithë anëtarët për ta votuar këtë nismë ligjore, me qëllim rregullimin e këtij aktiviteti sipas rregullave të Bashkimit Europian, në mënyrë që të garantohet ruajtja e ekosistemeve dhe burimeve natyrore. Ju faleminderit.
Kërkoj ndjesë që do të duket sikur mbështes ministrin, por jam plotësisht dakord me çfarë thotë ministri, sepse e njoh pak këtë fushën e gjuetisë. Gjuetarët mezi po presin—do të thotë që ata e kanë marrë vesh dhe janë konsultuar. Unë kam disa sugjerime konkrete në mënyrë teknike, edhe me nene.
Neni 14, Vendet e ndaluara për gjueti: Pika e parë përmend sipërfaqet ligatinore, lagunat që shërbejnë për habitatet e shpendëve migratorë. Pra, ndalohet gjuetia në këto. Mirëpo, mund të ketë një keqkuptim kjo pikë, që mund të ndalohet gjithandej: në rezervate, në liqene, në kënetat mund të ndalohet. Është ndaluar në të gjitha kënetat apo në disa? Mbajeni shënim dhe shikojeni vetë. Nuk dua ndonjë përgjigje.
Jo, por duhet shkruar. Më falni, shkruhet vetëm kjo pikë gjatë gjithë ligjit, se e kam lexuar të gjithë ligjin. Neni 14. Me një fjalë, duhet një sqarim më të detajuar se ku lejohet. Mirë të ndalohet në këto; në disa ndalohet, po duhet të ketë dhe laguna apo këneta që lejohet, apo është e ndaluar gjithandej? Me një fjalë, ndalohet fare gjuetia e shpendëve?. Kjo është, shikojeni, po ju bëj sugjerim.
Meqenëse jemi te pika 18, Strukturat përgjegjëse për gjuetinë: Tani, Ministria përgjegjëse për gjuetinë, po nuk keni caktuar emrin e ministrisë. Kush është Ministria përgjegjëse për gjuetinë? Në të gjithë projektligjin nuk ka një emër të Ministrisë Përgjegjëse. Duhet ta caktoni kush është Ministria Përgjegjëse.
Në nenin 21, Menaxhimi i zonave të gjuetisë, thotë që menaxhuesi i zonave të gjuetisë, në pikën dy të nenit 21, gërma ‘i-i’ (ose ‘i’) thotë se menaxhuesi i zonës së gjuetisë cakton llojin e armëve me të cilat kryhet gjuetia. Nuk mund ta caktojë menaxhuesi llojin e armëve, kur ka një ligj—ka një ligj për armët e gjuetisë, që është Ligji 74/2014—që i ka përcaktuar në nenin 38 që armët janë me vjaska, gjysmë automatike, me përsëritje e të tjerë. Kemi dhe një nen, është risi ky, neni 33 te pika F.
Të jetë qytetari i pajisur me kontratë sigurimi për përgjegjësinë civile ndaj palëve të treta që rrjedh nga përdorimi i armëve ose mjeteve të dobishme për ushtrimin e aktivitetit të gjuetisë. Shpresoj mos të abuzojnë këto shoqëritë e sigurimeve me gjuetarët për këtë pikë, se mos u vënë ca tarifa që s’do i përballojnë dot ata për t’i paguar.
Neni 39, pika J, lidhet prapë me armët, metoda, teknika dhe mjete të ndaluara në gjueti. Tek pika J shkruhet që ndalohen armët automatike ose gjysmë automatike, kur ato te Ligji për Armët quhen armë gjahu. Tek neni 38, thotë Lëshimi i Autorizimeve, në pikën gjashtë parashikohet që personat fizikë për nevojat e gjuetisë kanë të drejtë të pajisen me armë gjahu, me vjaska, gjysmë automatike, me përsëritje. Pra, e lejon Ligji i Armëve këtë. Nuk mund të ndalohen këto armët, se armët e gjuetisë janë gjysmë automatike. Ka teke-teke, ka dhe gjysmë automatike.
Pra, më duket kontradiktore kjo për ligjin. Shumë mirë është edhe neni 40 i formuluar shumë mirë, tek pika katër. Për shembull: fauna e egër e kapur ose e vrarë, duke përfshirë lëkurën e tyre, në kundërshtim me parashikimet në pikën dytë të këtij neni, konfiskohet. Mendoj që mund të përfshihen dhe shoqatat e gjuetisë në këtë pikë, për të pasur dhe ato përgjegjësinë e tyre, në qoftë se gjuetarët abuzojnë, t’i përjashtojnë nga shoqatat e tyre të gjuetisë.
Te neni 41 për armët, kemi një gjë shumë të vogël atje. Pika dy: ruajtja e rregullave të mbajtjes, të ruajtjes dhe të përdorimit të armës së gjuetisë gjatë gjuetisë. Tani, përdorni dy terma: “autorizim për armët e gjuetisë” dhe “leje për armët e gjuetisë”. Gjatë gjithë ligjit përdoren të dy termat: leje për armë gjuetie dhe autorizim për armë gjuetie. Duhet vetëm një term, dhe te Ligji për Armët termi është autorizim për mbajtje armë gjahu. Pra, duhet të hiqet ajo fjala ‘leje’ për armët e gjahut. Duhet të përdoret gjithandej fjala autorizim.
Te neni 48, Kontrolli dhe inspektimi mbi gjuetinë, është shumë në rregull. Tek pika dy, unë do të shtoja diçka: “struktura përgjegjëse për gjuetinë e njësisë së qeverisjes vendore bashkëpunojnë me strukturat e policisë bashkiake”. Unë këtu do të shtoja dhe bashkëpunim me Policinë e Shtetit, jo vetëm me Policinë Bashkiake. Bashkëpunim me Policinë Bashkiake dhe me Policinë e Shtetit, për ta bërë sa më të fortë kontrollin dhe rregullin mbi ata që abuzojnë me gjuetinë.
Tek pika katër, një korrigjim teknik: “Gjahu i vrarë ose i kapur konfiskohet. Leja e gjuetisë i merret gjuetarit”. Nuk i merret leja e gjuetisë, por i duhet anuluar leja e gjuetisë. Se mund t’ia marrësh fizikisht. Duhet anuluar leja e gjuetisë. Këto kisha nga ana teknike.
Për gjobat, në qoftë se do më lejoni, i shikoj të larta. Jo për faktin se ato shumë mirë janë që janë të larta, që t’i pengojnë abuzuesit. Por, në rastin e një abuzimi në gjueti, t’i kërkosh 5 milionë lekë apo 13 milionë lekë të vjetra, më duket pak shumë. Flas kështu. Më duket pak shumë kjo pikë dhe duhet parë. Unë do të thosha që një gjuetar e penalizon duke hequr lejen e gjuetisë. Me një fjalë, të ketë gjoba të arsyeshme, por atij që abuzon t’i hiqet leja e gjuetisë, ose vendoseni dhe heqjen e lejes së gjuetisë. Po heqja e lejes së gjuetisë e ka pezulluar atij gjuetinë për pesë vjet, për shembull, dhe nuk merret më me gjueti. Por, 5 milionë, 13 milionë, të jem i sinqertë, te kjo pikë kam rezerva për vlerën e lartë.
Unë ju falënderoj dhe ju përgëzoj për këtë projektligj që keni sjellë, se është vërtet ashtu siç thatë ju, që gjuetia nuk është se krijon probleme në shparosjen e vendit, por ajo ndonjëherë edhe ndihmon. Dhe kur ajo bëhet sportive, nuk ka absolutisht asnjë gjë të keqe, sepse janë vetë gjuetarët që do kontribuojnë në shtimin e faunës dhe florës. Faleminderit shumë.
