E enjte, 23 Prill, 2026

Seanca në Kushtetuese, Gjykata njofton SPAK dhe Burgjet: Veliaj do të jetë i pranishëm

Share

Në 31 tetor në Gjykatën Kushtetuese mbahet seanca lidhur me ankimimin që Erion Veliaj i ka bërë vendimit për shkarkimin e tij nga posti i Kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Veliaj pritet të jetë i pranishëm në seancë, ndërsa paraprakisht Kushtetuesja pezulloi dekretin e Presidentit të Republikës që kishte caktuar 9 nëntorin si datën për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme në Tiranë, bashkë me 5 bashkitë e tjera.

Gjykata Kushtetuese i ka thënë A2 CNN se i ka kërkuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve që të marrë masa për të shoqëruar Erion Veliaj në seancën plenare publike që do të mbahet këtë të premte, pas kërkesës së këtij të fundit për të qenë i pranishëm.

Gjykata Kushtetuese pezulloi dekretin e Presidentit Bajram Begaj për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme vendore më 9 nëntor në kryeqytet. Vendimi u mor pasi Erion Veliaj ankimoi shkarkimin e tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Gjykata Kushtetuese vendosi njëzëri të kalojë çështjen me kërkues Erion Veliaj në seancë plenare publike në datë 31 tetor 2025 dhe të pezullojë Dekretin e Presidentit për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve në Bashkinë Tiranë.

Veliaj u shkarkua nga Këshilli i Ministrave pas kërkesës së Këshillit Bashkiak të Tiranës, me arsyetimin se kishte munguar në punë. Veliaj qëndron në paraburgim prej shkurtit të këtij viti, pasi akuzohet nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash.

Në seancën e mbajtur më 9 tetor 2025, Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, e kryesuar nga Holta Zaçaj, vendosi se zbatimi i dekretit presidencial do të sillte pasoja të pariparueshme në drejtim të të drejtave të të zgjedhurit vendor.

Sipas vendimit, nuk mund të zhvillohen zgjedhje për Bashkinë e Tiranës për sa kohë është ende në shqyrtim ligjshmëria e vendimit të Këshillit të Ministrave që e shkarkoi Veliajn, shkruan A2 CNN.

Gjykata u mbështet në nenin 45 të ligjit për organizimin e saj, sipas të cilit, nëse zbatimi i një akti mund të sjellë pasoja të pariparueshme për interesa shtetërore, shoqërore apo individuale, ajo mund ta pezullojë atë përkohësisht.

Në këtë rast, gjyqtarët arritën në përfundimin se dekretimi i zgjedhjeve për Tiranën, përpara se të shqyrtohet ligjshmëria e shkarkimit, cenon rëndë të drejtën kushtetuese të të zgjedhurit vendor dhe mund të krijojë një precedent të rrezikshëm për funksionimin e institucioneve vendore.

Me këtë vendim, procesi për zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës ndalet zyrtarisht, deri në përfundimin e shqyrtimit kushtetues për ligjshmërinë e shkarkimit të Veliajt.

Dekreti presidencial është pezulluar vetëm për pjesën që lidhet me Tiranën, ndërsa pjesa tjetër e zgjedhjeve për njësitë e tjera vendore mbetet në fuqi.

Te tjera

Lajme te tjera