Rigels Seliman
Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Fatos Klosi u shpreh se ushtria Çlirimtare e Kosovës armatosej nga Europa dhe armët vinin përmes Shqipërisë. Ai tha në një studio televizive se për këtë ishte në dijeni Shërbimi Informativ Shqiptar. Fatos Klosi theksoi se UÇK-ja furnizohej me armë “kryesisht nga Europa”. Sipas tij krerët e ushtrisë guerile lëviznin me pasaporta shqiptare. “Përmes territorit shqiptar, sigurisht. Ne ishim në dijeni. Në fillim kanalet nuk ishin zyrtare. Në fillim patëm probleme me Policinë, se natyrisht i ndalonte, i bënte, ndërkohë ne e dinim. Ata kishin filluar ilegalisht që përpara, por me sasi fare të vogla, me vetura, për të çuar sa të munden. Pastaj kur krijuam kontaktet dhe krijuan sigurinë që ne s’duhet të na konsiderojnë armiq, por ne ishim miq, atëherë problemin filluam ta diskutojmë së bashku. Dhe ne kontribuuam që Policia të mos i ndalonte”, tha ai. Pastaj, në një fazë tjetër, Klosi tha se “gjërat ndryshuan shumë”. “Zyrtare asnjëherë s’u bë. Ruheshim nga serbët, në kuptimin që s’donim të bëheshim problem ndërkombëtar”, tha ai. Klosi tha se shteti ishte në dijeni për trafikun e armëve. “Sigurisht shteti shqiptar ishte në dijeni të trafikut. E morëm ne përsipër”, tha ai. Klosi tregoi se si përfaqësues të UÇK-së kishin blerë automjete të përdorura, “të blera nga ushtria zvicerane”. “Ne i përdorëm makinat zvicerane, me targa të ushtrisë shqiptare, për transportin e armëve për UÇK-në”, tha ai.
Përplasja me Majkon
Klosi përmendi një detaj interesant për një problem që shërbimi sekret e kishte me shtetin shqiptar, kur kryeministër ishte Pandeli Majko. Në atë kohë, tha se SHISH-i u angazhua ta ndihmonte UÇK-në ndaras prej shtetit. “Patëm një problem kur na bllokoi qeveria shqiptare. Pandi Majko ishte kryeministër në atë kohë. Të gjithë atë sistemin e transporteve, i bllokoi ato makinat që kishim. E mori vesh, meqenëse vërtetë kishim pasur ca përplasje me të dhe i mori, i shtetëzoi… dhe pastaj vazhduam rrugën ilegale edhe ndaj qeverisë shqiptare”, tha Klosi ndwr tw tjera.
Takimi i parë UÇK-CIA në Tiranë
Fatos Klosi tregoi edhe për një takim të përfaqësuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me përfaqësues të Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA) në Tiranë në pranverën e vitit 1998. Në shkurt të ’98-ës, CIA, që po e vëzhgonte aktivitetin e UÇK-së në Kosovë, i kishte kërkuar Klosit një takim të drejtpërdrejtë me përfaqësues të kësaj ushtrie guerile. Takimi CIA-UÇK pasonte një takim që kreu i shërbimit sekret shqiptar e kishte pasur vetë me drejtues të UÇK-së. Klosi tha se takimi me CIA u mbajt në zyrën e shërbimit sekret shqiptar, pranë spitalit në Tiranë. Me UÇK-në, Klosi tha se vetë kishte kontakte që para daljes publike më 1997. “Njerëzit e UÇK-së ishin në Tiranë. Xhavit Haliti ka qenë njeriu më i rëndësishëm, ndër ta”, tha ai. “Sigurisht që biseduam. Unë mbas takimit të parë me UÇK-në fola me ta (CIA). U thashë kështu, kështu, kam pasur këtë rast. U interesuan natyrisht dhe e quajtën një gjë të mirë që shërbimi jonë pati kontakt me ta (UÇK-në)”. Klosi tha se amerikanët “donin të kishin informacione”. “Isha njohur unë më përpara (me UÇK-në). Kisha krijuar opinione shumë pozitive për seriozitetin e tyre, edhe për veprën që kishin në mendje. Natyrisht mua më takonte t’i përkrahja dhe pastaj unë bisedova me partnerët tanë këtu në Tiranë (CIA). U thashë kështu, kam patur këtë rast. Ua tregova opinionet e mia dhe ata kërkuan pastaj ‘a mund ta bëjmë një takim?’. Po more, u thashë”. Në takim, Klosi tha se “ishin dy përfaqësues të UÇK-së dhe shefi i shërbimit amerikan”. “I quajtën që në fillim çlirimtarë. Që në fillim. Bile edhe e vazhduan këtë. Unë kam konstatuar që kishte diferencë goxha të madhe midis opinionit nga CIA dhe opinionit që u detyrua ta mbante Departamenti i Shtetit. Nuk e di nëse ishte i vërtetë ai opinion apo jo, por si u shfaq… Mediat ndërkombëtare që patën rezerva, bile patën deklarata terroristësh e më the e të thashë. CIA që në fillim ishte shumë e qartë. Sigurisht që ishte e informuar për UÇK-në, por kontakti jonë e bëri një rrugë më direkte të informimit gjersa ai kërkoi takim direkt me ta”.
Detajet
Klosi përmendi disa prej shqetësimeve kryesore që tha u diskutuan në atë takim. “Problemet kryesore ishin – të paktën në ato që u diskutuan që në fillim – që financimi të mos kishte të bënte me krimin, me trafiqet e më the e të thashë, se e kishin idenë që kosovarët ishin të shkathët në atë kohë me trafiqet, se kishin lidhje me gjithë Europën, kishin njerëz, kishin korridoret hapur, që ne s’i kemi pasur dhe për këtë u quajt fare e natyrshme dhe e kollajshme. Premtuan që në fillim që ‘nuk kemi financime të tilla, financimet janë vetëm nga kosovarët kryesisht në mërgim’… E dyta ishte problemi i madh i faktit që të mos quheshin terroristë. Ishte që s’duhet të kishte asnjë vepër ushtarake jashtë Kosovës”, tha ai. Në takimin e parë, ishin bërë “disa përkufizime”, kujton ish-kreu i SHISH-it. “Njëri pra, thashë, financimi, e dyta, luftë terrorizmi – po i bie shkurt unë tani – dhe e treta ishte… nga eksperienca e Bosnjës – nuk e thanë të prerë, por ne e morëm të prerë dhe u premtuam që nuk do kishte pranim të ndihmave nga islamikë”, tha ai. Klosi tha se bashkëpunimi me CIA ishte i sinqertë dhe i hapur. “Një gjë më besoni, që ishim edhe ne edhe ata shumë të hapur dhe të sinqertë. Sepse e kuptuam që të dyja palët kishim interes. Ne kishim interes Kosovën, ata kishin interesa Serbinë bashkë me Kosovën, kështu që nuk kishte asnjë vend për të mbajtur ndonjë rezervë. Ishim, po ta them, të hapur fare”. Ai tha se CIA nuk kishte shprehur asnjëherë asnjë vërejtje për UÇK-në. “Absolutisht jo. Ishin komplet partnerë. Ishin sikur të ishin pjesë e jona dhe ne pjesë e tyre o burrë. Ishte një eveniment i jashtëzakonshëm që kurrkush s’e kishte imagjinuar”, tha Klosi.
