E premte, 24 Prill, 2026

Ambasadorët në Tiranë, Rama: Negociatat, kryefjala! S’keni kontakte me shqiptarët e suksesshëm! Gonzato: Promovoni SPAK-un

Share

Shërbimi diplomatik i Republikës së Shqipërisë duhet të fokusohet në objektivin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian dhe shtetet kryesore të unionit. Asnjë ditë nuk duhet humbur në 4 vitet e ardhshme, në shërbim të këtij synimi historik.

Kjo ishte porosia që kryeministri Edi Rama u dha ambasadorëve të Shqipërisë në vende të ndryshme të botës, të cilët u mblodhën sot në Tiranë, në kuadër të Konferencës së përvitshme së Ambasadorëve Diplo2025, “Shqipëria 2030: në Evropë, e ndërlidhur me botën”,

“Para, së gjithash edhe në emrin tuaj më lejoni që dhe unë ashtu si ministri juaj t’i uroj mirëseardhjen në Shqipëri një miku, ministrit të jashtëm të Qipros, i cili vjen sot këtu edhe në rolin e rëndësishëm të përfaqësimit të presidencës europiane të radhës por edhe pa dyshim për të shtyrë përpara një arritjeje të rëndësishme për ne, pasi Qipro është një vend i vogël por që ka bërë sukses të admirueshëm, dhe në dijeninë time edhe presidenti i Republikës i ka përcjellë një ftesë presidentit qipriot për të vizituar Shqipërinë. Konferenca tradicionale e ambasadorëve këtë vit vjen në një moment historik për rrugëtimin e Shqipërisë drejt majës së shumë ëndërruar të Bashkimit Europian dhe pa asnjë diskutim të gjitha forcat e shërbimit diplomatik kudo nga Brukseli e në çdo kryeqytet tjetër duhet të fokusohen në radhë të parë te ky objektiv historik që tani më është më i afërt se asnjë tjetër, dhe që duhet përmbushur me sukses procesi i negociatave për anëtarësimin me ratifikimin me sukses të vendimit të anëtarësimit nga 27 parlamenteve të vendve të Bashkimit Europian. Këto katër vjet të cilat përkojnë me këtë agjendë janë 4 vjet që asnjë ditë nuk duhet humbur dhe ku koha nuk pret për të përgatitur të gjithë terrenin e mbështetjes së vendimit që do të marrë Këshilli Europian për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Sa i përket negociatave sigurisht që ato zhvillohen mbi bazë dypalëshe, mes Shqipërisë dhe Komisionit europian, por edhe e gjithë atmosfera rreth tyre ka një rëndësi të veçantë dhe është e ndikueshme nga faktorë të ndryshëm. Për këtë arsye është më shumë rëndësi puna e përditshme e shërbimit tonë diplomatik, dhe fokusi i përditshëm në disa prej vendeve europiane”,- tha Rama ndër të tjera.

Kreu i qeverisë nuk la pa kritikuar pjesën e diplomacisë ekonomike të Shqipërisë, duke shtuar se kjo është hallka më e dobët në diplomacinë shqiptare, ndërsa lavdëroi misionin tonë në Bruksel.

“Një element kyç që mbetet hallka më e dobët e punës he shërbimit tonë diplomatik është diplomacia ekonomike, roli i përfaqësive tona është i dobët, përjashto raste shumë specifike që lidhen me vullnetin e ndonjë ambasadori, kontributi është thuajse inegzistent. Është bërë dhe një konferencë e dedikuar për angazhimin e përfaqësive tona diplomatike, por rezultate lënë shumë për të dëshiruar, ndërkohë që ky aspekt duhet te jetë prioritare dhe që t’i themi gjërat sic janë, qeveria këtu në Tiranë ua ka lehtësuar punën jashtëzakonisht”, tha Rama.

Më tej, numri një i ekzekutivit tha se është e papranueshme që një vend i vogël si i yni, të mos ketë një regjistër të përditësuar vazhdimisht me shqiptarë të cilët shkëlqejnë në profesionet e tyre, në vendet e huaja.

“Jemi një vend i vogël dhe popull i vogël që nuk e kemi luksin të mos kemi as dijeni për burimet tonë njerëzore jashtë vendit, për shqiptarët e shkolluar, profesionistë e jashtëzakonshëm, që ne i kemi në të gjitha vendet e botës. Dhe minimalisht dijeninë për ta, për ekzistencën e tyre duhet të na e garantojë shërbimi diplomatik. Me këtë dijeni shumëçka tjetër mund të ndërtohet”,- përfundoi Rama.

Edi Rama bëri thirrje që të gjithë shqiptarët në rajon të unifikohen në perspektivën evropiane dhe me krenari nënvizoi mbajtjen e Samitit të NATO-s, për herë të parë në Shqipëri, në vitin 2027.

Një ligj i ri që është përgatitur do të fusë në provim të gjithë diplomatët ndërsa një Akademi Diplomatike që do të ngrihet, do të rrisë edukim në vazhdim për të gjithë trupën. Në këtë moment, Rama ju dha ambasadorëve një lajm të mirë për pagat.

“Një draft për këtë reformim është gati dhe së shpejti në Kuvendin e Shqipërisë do të miratojmë të gjithë kuadrin e ri që do t’i mundësojë Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme të jetë më moderne dhe më efektive në përmbushjen e nevojave tona, që do të rrisë njëkohësisht kërkesën ndaj përfaqësuesve por edhe mbështetjen e përfaqësive diplomatike”,- tha Rama.

Në Konferencën e Ambasadorëve foli edhe ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato. Ai kërkoi që të promovohet më fort nga diplomatët tanë puna e SPAK, pasi disa shtete të BE-së kanë ankth për situatën kriminale dhe nuk janë të ndërgjegjësuar sa duhet me atë që po ndodh këtu.

Te tjera

Lajme te tjera