Këshilli i Lartë Gjyqësorë reagoi dje për herë të parë pas kritikave të kryeministrit Rama mbi punën e disa gjyqtarëve, të cilët sipas tij pengonin shembjen e ndërtimeve pa leje në hapësirat publike. Rasti më i fundit ishte gjyqtari Ligoraq Toshi. Në përplasjen mes tyre në distancë KLGJ i quajti ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit kritikat e Ramës dhe cënim të punës dhe figurës së gjyqtarëve.
Nuk vonoi shumë dhe Edi Rama iu kundërpërgjigj duke thënë se roli i KLGJ është të jetë garant për një drejtësi në favor të qytetarëve.
“Roli i saj themelor është të shqetësohet për cilësinë e drejtësisë, si edhe të garantojë publikun se vendimet që merren nga gjykatësit në dëm të tij, nuk kalojnë pa u analizuar dhe gjykatësit nuk janë maliqër që bëjnë ç’të duan me ligjin në emër të pavarësisë”,- tha Rama.
Replikë pati edhe mbi qëndrimin e KLGJ-së, se “për të kundërshtuar vendimet e gjykatave, duhet të ndiqen rrugët ligjore”
“KLGJ ka harruar gjithashtu se si instanca më e lartë e vetëqeverisjes së gjyqësorit, ka jo vetëm të drejtën po edhe detyrën të marrë seriozisht shqetësimet e palëve të cënuara nga vendime qorre të gjykatësve, të cilat në këtë rast janë të ububushme për nga mungesa e ndjeshmërisë ndaj interesit publik. Të paktën ka thënë një të vërtetë se “çdo ankesë apo pretendim në lidhje me sjelljen apo integritetin e një gjyqtari duhet të drejtohet pranë institucioneve përkatëse”, gjë për të cilën e kam informuar në çdonjërin nga rastet publikun, se do të bëjmë duke iu drejtuar pikërisht KLGJ dhe ILD si “institucionet përkatëse”,- deklaroi kreu i qeverisë.
Më herët kreu i qeverisë kishte shfaqur rezerva edhe për vendimet e gjyqtarëve Hazbi Balliu dhe Klarent Demirit po për të njëjtin motiv. Këto reagime ndaj gjyqtarëve thotë kryeministri Rama kanë ardhur si pasojë e nevojës për t’u shpjeguar qytetarëve, se përse ngrehina të caktuara në mes të rrugës nuk po largohen për t’I hapur rrugë lirimit të hapësirave publike, njëjtë sic po ndodh në të gjithë vendin.
